E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Problemi i serverit, i zgjidhur sipas ligjit

style="position:relative;z-index:2">

Suela Topi

Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çuar në çdo KZAZ tabelat përmbledhëse të rezultateve të parapërgatitura dhe të miratuara më parë si modele, por për shkak të këtij problemi teknik një pjesë e KZAZ-ve kanë plotësuar manualisht tabelat dhe një pjesë i kanë printuar ato nga baza e të dhënave

Tabelat përmbledhëse të rezultateve finale për çdo Komision Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve janë në përputhje me ligjin. Kështu sqaroi dje drejtori i Drejtoria së Teknologjisë dhe Informacionit, Petrit Gjokutaj, pas shqetësimeve të ngritura nga anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi. Sipas Varfit, sistemi i të dhënave ka krijuar pamundësinë e printimit të tabelave përmbledhëse siç e përcakton ligji çka ka detyruar KZAZ-të të plotësojnë me dorë këto tabela, por Gjokutaj sqaroi se një klauzolë shtesë në udhëzimin përkatës të plotësuar nga KQZ-ja e krijonte këtë mundësi dhe të gjitha të dhënat janë plotësuar në tabelat përmbledhëse sipas ligjit, pavarësisht nëse këto tabela janë printuar nga sistemi bazë i të dhënave apo janë plotësuar me dorë.

Serveri qendror

Në udhëzimin 2 ju keni miratuar që pasi mbaron numërimi i QV-ve për një njësi bëhet tabela përmbledhëse për këtë njësi, kontrollohet dhe miratohet me vendim. Gjithashtu është e vërtetë se jo të gjitha KZAZ-të e njësive të qeverisjes vendore kanë vepruar kështu. Ky është problem teknik, që i ka ndodhur kompanisë së kontraktuar nga KQZ-ja. Në momentin që KZAZ ka kërkuar të printojë tabelat përmbledhëse, kompania nuk ka mundur të sigurojë këto tabela dhe ato janë plotësuar në mënyrë manuale, - sqaroi Gjokutaj, duke shtuar se në një paragraf shtesë të manualit të miratuar nga KQZ-ja thuhet: Nëse për arsye teknike nuk mund të printohet, KZAZ e plotëson manualisht. Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çuar në çdo KZAZ tabelat përmbledhëse të rezultateve të parapërgatitura dhe të miratuara më parë si modele, por për shkak të këtij problemi teknik një pjesë e KZAZ-ve kanë plotësuar manualisht tabelat dhe një pjesë i kanë printuar ato nga baza e të dhënave. Kjo nuk është bërë në kohën e duhur, por jo se nuk ekziston tani kjo tabelë. E kam parë që është e printuar dhe e miratuar me firmat e anëtarëve të KZAZ-së. Në kontaktet me KZAZ-të u kemi treguar udhëzimin dhe klauzolën shtesë kur kishte probleme teknike. U kemi thënë se kur jeni të bindur që përputhet plotësisht e firmosni, - tha ai. Edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, sqaroi se në rastet kur nuk printohet, komisionerët kanë tabelën e rezultateve të GNV, të dhëna të cilat i hedhin me dorë në tabelën përfundimtare. Mund të mos e printojë elektronikisht fare, e plotëson me dorë dhe e firmosin 7 anëtarët. Edhe në këtë rast tabela është tërësisht korrekte, - sqaroi ai. Por, sipas Varfit, në tabelat e rezultateve nuk figuron as kolona ku të shënohet shuma për secilin subjekt apo shuma në rang koalicioni. Edhe për këtë shqetësim, Gjokutaj tha se është një problem teknik, kur printohet. Por nëse mungon faqja e fundit e këtij materiali, tha ai, komisionerët e plotësojnë të gjithë tabelën me dorë. Ai garantoi se në bazën e të dhënave çdo gjë kontrollohet me rigorozitet. Gjokutaj sqaroi se do të testohet edhe një program i ri për të bërë llogaritjen e mandateve sipas votave të çdo njësie. Më tej, me short, u përcaktua edhe relatimi për 10 ankesa të dorëzuara në KQZ nga subjekte të ndryshme politike. Një kërkesë ankimore e Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte vendimin e KZAZ 6 për tabelën përmbledhëse të rezultateve, është kthyer për plotësim, ndërsa u caktua të shqyrtohet ditën e diel një kërkesë ankimore e PSD-së që kundërshton vendimin e KZAZ 64 për miratimin e tabelës përmbledhëse. Kërkesat e tjera do të relatohen sot.

Njësia 5, Gjonçaj: Fletët e votimit, të prodhuara me shënime

Fletët e votimit që janë përdorur nga votuesit e njësisë bashkiake numër 5, përkatësisht të KZAZ-së 49, janë prodhuar me shënime. Ky shqetësim u ngrit dje nga përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj. Sipas tij, që nga momenti i printimit nga shtypshkronja, fletët kanë në vetvete disa shënime që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme nga komisionerët. Fletët e votimit kanë pasur shënime që nga printimi nga shtypshkronja. Nuk do dëshiroja që kjo gjë të merrte vlerësim të gabuar të KZAZ-së nëse flitet për një problematikë të prodhimit. Nëse është e mundur, të bëhet ky verifikim, se procesi aty po ecën dhe çdo vlerësim i gabuar për shkak të kësaj problematike mund të krijojë probleme, - theksoi Gjonçaj. Përfaqësuesi demokrat në KQZ, Niazi Kosovrasti, edhe pse e konsideroi të drejtë shqetësimin, sqaroi se kjo çështje është pjesë e vendimmarrjes së KZA-së dhe KQZ nuk mund të ndërhyjë. Nuk kam kundërshtim me problemin, por me mënyrën si duhet të zgjidhet. Për ta vlerësuar fletën e votimit është kompetencë e KZAZ-së. Atje nuk duhet të fusim hundët ne, - theksoi ai. Por, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, mirëpriti shqetësimin e Gjonçajt, duke i kërkuar administratës të çojë inspektorët për tu njohur me problemin. Ne mund të shkojmë dhe të verifikojmë një situatë sipas shqetësimit që ngrihet. Nuk ka asgjë të keqe. Dhe nëse e dërgojmë inspektorin, nuk e dërgojmë të ndërhyjë në punën e KZAZ-së. Nuk ka asgjë të keqe të verifikojmë shqetësimin dhe më pas ndjekim procedurat ligjore, - tha ai.

Poliçan, PD e LSI kërkojnë rinumërimin e votave në KQZ

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkojnë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rinumërimin e votave për Bashkinë e Poliçanit, ku fitues ka dalë Adriatik Zotka, kandidati i Partisë Socialiste. Zotkaj i PS-së ka fituar me 25 vota. Kontestimi ka të bëjë me votat e pavlefshme. PD dhe LSI pretendojnë se 74 vota të pavlefshme i kanë kaluar në favor Zotkajt, duke u cilësuar si të vlefshme nga komisionerët e PS-së. Edhe PR denoncon grabitjen e votave dhe do të kërkojë rinumërimin e votave në Bashkinë e Poliçanit. Kemi fakte për manipulimin e votës së qytetarëve, që ka çuar në tjetërsimin e rezultatit, - deklaroi dje nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›