E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kokëdhima, ikonë e spekulimit. Patozi-Ramës: Vlora nuk të lë të kalosh

VLORE –  Nga Vlora, ku çeli fushatën e Partisë Demokratike dhe prezantoi kandidatët për zgjedhjet e 23 qershorit, kryeministri Berisha sulmoi sërish alternativën e PS-së, ndërsa hodhi akuza të forta në drejtim të biznesmenit Koço Kokëdhima, i cili kandidon i dyti në listën e kandidatëve të PS-së në Vlorë. Sipas Berishës, Kokëdhima është simbol i spekulimit, që siç tha si, synon të përfitojë në Vlorë ashtu siç përfitoi në Tiranë gjatë kohës kur Rama ishte në krye të bashkisë.

“Alternativa e Ramës, për ta kuptuar ju bëj thirrje lexoni për Kokëdhimën. Çfarë është Kokëdhima, është simboli, ikona e spekulimit mbi tokë. E nisi me Hajdin Sejdinë, me fajdet, përfundoi në menaxherin de facto të Bashkisë së Tiranës për 11 vite. Pse zoti Rama në dokumentarin për kujtimet e vegjëlisë nuk vendose asgjë nga kujtimet e Bashkisë, si vendosje dot se modeli që vendose në bashki për 11 vite ishte modeli i drejtuar nga Kokëdhima që fitonte 80% të tenderave. Ecën me një platforme akuzash, mohimi”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa e vuri theksin tek arritjet e deritanishme të qeverisë dhe premtimet për 4 vitet që vijnë, kryeministri Berisha akuzoi sërish opozitën për bllokimin e statusit kandidat.

“Vetë Komisioni Europian kishte bindur zotin Rama dhe kishim rënë dakord për të votuar 3 ligjet. Zoti Rama nuk i votoi kurrë ligjet. Bllokoi statusin. Do t’i bëjmë një pyetje nga ky shesh kreut të PS. Erdhe këtu dhe shpalle izolimin e thellë në të cilin e paska zhytur Berisha Vlorën. Zotëri, Vlora kryeqendra historike e kombit, sot anëtare e NARTO-s. Vlora qytet i qytetarëve që lëvizin të lirë pa viza në Europë. Vlora qytet i një vendi që plotësoi te gjitha kushtet për statusin e kandidatit, qenka i izoluar. Po ti që nuk voton 3 ligjet për t’i mohuar statusin, ç’të drejte ke ti”- deklaroi Berisha.

Kryeministri vijon t’i qëndrojë premtimit të tij për liberalizimin e vizave me SHBA, duke shprehur bindjen se qeveria e tij do të arrijë të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara.

“Ne jemi një force politike serioze, ne bëjmë gjithçka për të mbajtur fjalën tonë. Premtuam rritje rrogash dhe pensionesh, i dyfishuam ato, premtuam anëtarësimin në NATO, sot jemi anëtarë të NATO-s, premtuam liberalizimin e vizave, sot lëvizim pa viza. Ju premtoj se do bëjmë gjithçka për të hequr vizat me SHBA, vendin mik.”- vijoi kryeministri.

PATOZI: EDI RAMA, VLORA NUK TE LE TE KALOSH
"Vlora do ta ndalojë modelin Rama-Kokëdhima". Kështu u shpreh nënkryetari i PD-së Astrit Patozi, njëherësh kreu i listës për kandidat për deputet në qarkun e Vlorës, gjatë mitingut mbrëmjen e sotme. “Më 23 Qershor, Vlora nuk do të votojë vetëm për vete, por për të gjithë Shqipërinë, për të zbrapsur modelin e shëmtuar Rama-Kokëdhima”, tha Patozi

“Vlonjatët e dinë mirë se Rama me mos votimin e ligjeve të statusit, nuk bllokoi vetëm integrimin në Europë, por bllokoi shtrimin e rrugëve, ndërtimin e by pasit aq të rëndësishëm për këtë qytet, si dhe shumë vepra të tjera, shkolla, spitale, investime në të mirë të qytetarëve të Vlorës dhe te gjithë Shqipërisë”,- theksoi Patozi 

Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi deklaroi se, Rama me kandidimin e Kokëdhimës në Vlorë, kërkon të pushtojë kryeqytetin e pavarësisë.
“Ai ju premtoi rrugë, ju premtoi uljen e taksave për biznesin, ndërsa në Tiranë në 11 vite shkatërroi sheshin Skënderbej, nuk mbështeti biznesin, pasi ai punoi për Kokëdhimën, partnerin dhe ortakun e tij në grabitjen e Tiranës në 11 vite. Të njëjtën gjë kërkon të bëj edhe në Vlorë, kërkon që biznesmenët e Vlorës të punojnë për Koçon, i cili nuk di të paguaj taksa”, - tha Patozi. 

“ Edi Rama Vlora nuk të lë të kalosh. Ne do t'i themi jo modelit Rama-Kokëdhima. Do i themi po zhvillimit të Vlorës, po vendeve të punës, do i themi po Vlorës”, theksoi ai.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›