E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Pas 23 qershorit, Berati e pret Berishën si turist. Naço: Meta kryeministër

BERAT – Lëvizja Socialiste për Integrim u ndal sot në Berat, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. Lideri i LSI-së, Ilir Meta akuzoi kryeministrin Berisha për diskriminimin e qarkut të Beratit, duke anashkaluar thirrjet e deputetëve të LSI-së për rikthimin e vëmendjes nga ky qark.

“Kryeministri në largim e ka diskriminuar Beratin, si asnjë qark tjetër në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre 8 viteve. Ai dhe qeveria e tij, jo vetëm që nuk kanë dëgjuar zërin tuaj, por njëkohësisht nuk kanë dëgjuar as zërin tim, as zërin e deputetit të Beratit Nasip Nacos në parlament dhe kudo, për të treguar jo ndonjë dashuri shumë të madhe për Beratin, Skraparin dhe Kuçovën, se atij i ka mbetur ora për këtë qark akoma në referendumin e 94-ës. Por të tregonte dhembshurinë më të pakët që mund të tregohet ndaj këtij populli.”- u shpreh Meta.

Kreu i LSI-së u shpreh i bindur për fitoren e së majtës në qarkun e Beratit, pasi sipas tij, “qytetarët nuk kanë ndërmend të presin Berishën të mbajë premtimet”.

“Por ne jemi njerëz bujare, mikpritës, tolerantë. Pas 23 qershorit nuk do ta presim Berishën si kryeministër se ai me votën tuaj, të gjithë shqiptarëve do të shkojë në opozitë. Por ne do ta presim si turist, të vizitojë kalanë, malin e Tomorrit, Kanionet.
Berati në 23 qershor do t’i thotë jo diskriminimit që ju bë këtij qarku. Jam i bindur se Berati nuk do të pajtohet me mendësitë totalitare ku ligji shërben si hanxhar kundër njerëzve të pambrojtur”- vijoi Meta.

Ndërsa renditi premtimet e LSI-së për rimëkëmbjen e ekonomisë, sigurimin e rendit publik apo zhvillimin e turizmit Meta theksoi se vendi ka nevojë për rotacion dhe ndryshim.

“Shqiptarët kërkojnë një lidership me këmbë në tokë që kujdeset për hallet e përditshme të njerëzve. Eshtë koha për të ecur më shpejt, është koha për rotacion, për ndryshim. Eshtë koha të ecim më shpejt përpara, drejt një progresi shoqëror. Ne do t’i rikthejmë Beratit shpresën. Në 24 qershor do të gdhihemi të gjithë fitimtarë se do t’i japim fund politikës që armiqëson shqiptarët. Me ne të gjithë do të jenë të fituar.”- theksoi kreu i LSI-së. 

NAÇO: ME VOTËN TUAJ BËJMË METËN KRYEMINISTËR TË SHQIPËRISË
Deputeti i LSI-së Nasip Naço deklaroi në Berat se Ilir Meta është lideri i së majtës shqiptare. Ai kërkoi votat e qytetarëve të Beratit, ndërsa u shpreh i bindur se Ilir Meta do të bënte më shumë se gjithë të tjerët si kryeministër i vendit.

“Me votën tuaj bëjmë Metën kryeministër të Shqipërisë. Ilir Meta kryeministri më i suksesshëm i së majtës. Meta kryeministër do bëjë më shumë së gjithë të tjerët. Eshtë një lider i provuar këto vite.”- u shpreh Naço.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›