E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konventa e PS, Rama: Në 23 qershor mbyllet me votë plebishitare kapitulli i rrënimit

TIRANE- Me moton “Bashkë për një fitore plebishitare që sjell ndryshim rrënjësor”, Partia Socialiste nisi paraditen e sotme Konventën 2-ditore, Pallatin e Kongreseve. Në thelb të kësaj Konvente është prezantimi i koalicionit të majtë për Shqipërinë Europiane dhe prezantimi përpara publikut bashkarisht i të gjithë kandidatëve të PS-së për deputetë në të 12 qarqet e vendit. Figura të së majtës, aleatë, të rinj dhe simpatizantë opozitarë u mblodhën në këtë konventë së bashku në prag të hapjes së fushatës elektorale.

Në sallë kryetari i PS, Edi Rama është ulur pranë kreut të LSI-së Ilir Meta, për herë të parë që pas nënshkrimit të marrëveshjes për aleancën zgjedhore në muajin prill, në Shkodër.

Konventa u hap me një letër përshëndetëse të shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili ndër të tjera kërkonte rrotacionin dhe fitoren e opozitës së bashkuar më 23 qershor. Në të njëjtën linjë është shprehur dhe ish presidenti, Rexhep Meidani, i cili ka përshëndetur me një fjalë të pranishmit. “Qeveria e ardhshme të mos kthehet në burim problemesh”, u shpreh ai. 

Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama premtoi se më 23 qershor do sjellë ndryshimin, duke realizuar zgjedhje historike. “Me trenin e qytetarëve drejt Europës ose me trenin e mallrave drejt humnerës.”- tha Rama.

Ndërkohë kryetari i LSI-së Ilir Meta u shpreh i sigurt për fitoren e së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit. Ai theksoi se bashkimi i së majtës më shumë se çdo gjë ishte një detyrim ndaj qytetarëve që donin ndryshimin. 

Konventa e PS-së do të vijojë paraditen e së hënës me prezantimin e programit të Rilindjes. 

KONVENTA E PS-së, PREZANTOHEN KANDIDATET PER DEPUTETE
Ora: 17:21 - Konventa e PS-së vijoi pasditen e sotme me prezantimin e kandidatëve për deputetë. 

QARKU TIRANE- PANDELI MAJKO: TIRANA ESHTE JERUZALEMI SHQIPTAR
“Tirana është kryeqyteti i kombit më të ri në Europë. Ai është edhe stacion shpirtëror i identitetit jo vetëm i vendalinjve të mrekullueshëm por edhe pjesë e identitetit të një brezi të ri mbarë shqiptar. Tirana është Jeruzalemi shqiptar ku bashkëjetesa fetare sfidon politikën. Tirana ka kohë që nuk është qyteti simbol i pushtetit në Shqipëri. Sot Tirana është kthyer në një qytet ku kombi shqiptar sheh vetëm endrrën e tij. Fushata në Tiranë është më e thjeshta por dhe më e vështira gjithashtu. Eshtë pasqyra më e mirë e asaj që ikën dhe asaj që po vjen. Ne socialistët në këtë fushatë i ofrohemi Tiranës të qetë dhe me mendje të mbarë për ta rifituar qytetin që na i vodhën në vitin 2011. Rilindja në Tiranë nuk është parullë politike. Ne socialistët e mirëkuptojmë ulërimën përpara të kundërshtarëve tanë politikë. Ajo thirrje sot bëhet nga ata që kanë mbetur mbrapa. Tirana e di këtë. Tirana në 23 qershor do të flasë me gjuhën e numrit 29, me gjuhën e fitores europiane në Shqipëri. Numri 29 në fletën e votimit, në zgjedhjet që po trokasin është një sinjal i historisë, është 29 e të parëve tanë. Eshtë 29 Nëntori i dëshmorëve tanë të LANC-it për çlirimin e Atdheut. Clirimi i Shqipërisë nga pronarët e pushtetit pa tapi do të ndodhë pa asnjë dyshim. Shqipëria e 2013 ka nevojë për një kontratë të madhe bashkimi. Për këtë arsye Tirana në 23 qershor do të jetë në krahun tonë. Nënës Vlorë sot ja lëmë amanet Edi Ramën të na e sjellë si deputet lab dhe kokëfortë për sfidat që e presin. Në 24 qershor grupi i deputetëve të qarkut të Tiranës do ta presë atë si kryeministrin e Shqipërisë.” 

QARKU FIER- GRAMOZ RUCI: DEMOKRATE, VOTONI SI QYTETARE, OTONI SI FIERAKE
“Ky është ekipi i qarkut më të madh pas kryeqytetit. Ky është ekipi i qarkut me naftë e pa naftë, se nafta ka ikur në drejtim të paditur. Ky është ekipi i qarkut me vijën bregdetare që ka ¼ e Adriatikut dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë investim për zhvillimin turizmit detar. Ky është qarku më i dhunuar nga pushtetarët. Të më degjojë mirë Sali Berisha, por mbi të gjitha të më dëgjojnë demokratët e Lushnjes, Fierit dhe Mallakastrës. Çfarë tha Saliu në Fier para katër vitesh. Brenda 2010-ës, citoj Saliun, Fieri nuk do të ketë asnjë metër rrugë të paasfaltuar. Sot Lushnja është e bllokuar me Beratin, Krasta e Fierit, ky Saliu i kilometrave nuk arriti të asfaltojë 9 kilometra të Krastës. Saliu tha se të gjithë myzeqarët do të kenë ujë, sot të gjithë myzeqarët thahen për një pikë ujë. Sot jemi vendi i fundit në Europë për pensionet. Premtimi i Saliut për Fierin ishte, do t’i kushtoj rëndësi të veçantë mbrojtjes së mjedisit dhe Gjanicën do ta kthej në Valbonë, tha Saliu. Jo vetëm të gjithë mbetjet e naftës derdhen në Gjanicë, por Gjanica e ka përmbytur 3 herë Fierin, o Sali Gjanica. Unë tha Saliu do të çliroj Fierin nga tec-et dhe rrangallat e vjetra të socializmit. Hajdutët e Saliut merren me shitjen e skrapit në Fier. Do të përfundoj brenda këtij mandati By Pass-in e Fierit, sot pas katër vjetësh nuk ka filluar. Brenda këtij mandati do të keni spital rajonal, s’është hedhur asnjë gur në themelin e tyre. Kreu i PS në Fier dha një mesazh shumë kuptimplotë për demokratët. Ai u apeloi atyre, demokratë mos votoni si partizanë, votoni si qytetarë, votoni si fierakë, votoni si shqiptarë. Me PS në pushtet dhe Edi Ramën kryeministër të gjithë fermerët shqiptarë do të marrin certifikatën e munguar mbi pronësinë e tokës. Nga kjo konventë, unë do t’ju drejtohem naftëtarëve të këtij qarku, pasuria më e çmuar siç është nafta do tu kthehet në vlerë monetare si pasuri e gjithë shqiptarëve, nën drejtimin e PS dhe Edi Ramës. Me Edi Ramën kryeministër do rilindë Fieri, do rilindë e gjithë Shqipëria”.

QARKU LEZHE - MIMI KODHELI: KJO QEVERI E DESHTUAR, TA LARGOJME ME VOTE
“Ajo që na ka bashkuar në këtë rrugëtim është një qëllim i përbashkët, rilindja e Lezhës dhe e gjithë Shqipërisë. Lezha, Mirëdita dhe Kurbini, tre emra që kanë dhënë shumë në historinë e vendit tonë. Bujare dhe me traditë, por dhe pse të tillë për fat të keq, qarku i Lezhës është një nga qarqet më të vjetra. Familjes lezhjane u duhet të jetojnë me më pak se 6 dollarë në ditë. Qytetarët e këtij qarku kanë lista borxhesh në dyqane. Kjo qeveri në këto 8 vite krijoi një sistem arsimor të korruptuar, jo funksional, jo eficent. Biznesi i vogël është mbytur nga pesha e taksave abuzive selektive. Biznesi i madh vuan të mbijetojë për shkak të monopoleve të bizneseve pranë qeverisë. Vota e lezhianëve do të shkojë për PS dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane. Fitorja është e jona, vetëm e jona.” 

QARKU KUKES- RAME HOXHA: KUKESI MBESHTET PS DHE KRYETARIN RAMA
“Këto 8 vite në qarkun e Kukësit papunësia është shumë e madhe, varfëria është e tejskajshme. Sot unë jam i bindur se PS do të fitojë në shumicë në të gjithë Shqipërinë, ashtu edhe në qarkun e Kukësit. Sot të mbështesim PS, kryetarin e saj Edi Rama dhe gjithë skuadrën e rilindjes për të fituar. 

QARKU GJIROKASTER- ARBEN AHMETAJ: NE 23 QERSHOR NDRYSHIMI ESHTE EDI RAMA DHE PS
“Fitoja e Partisë Socialiste është e sigurt. Qarku i Gjirokastrës do t’i japë PS-së 4 mandate për të garantuar një qeverisje stabël, të fortë të PS-së me kryeministër Edi Ramën. Qarku i Gjirokastrës ka vite e vite që refuzohet nga Sali Berisha. Eshtë lënë qarku më i mjerë dhe më i varfër. Kanë 8 vite që numërojnë ditët dhe presin ndryshimin. Në 23 qershor ndryshimi është Edi Rama dhe PS. Ne skuadra e rilindjes së qarkut të Gjirokastrës i premtojmë qytetarëve të Gjirokastrës se vëmendja për atë qark do të jetë kaq e madhe sa votat që ata do japin për PS-në dhe Edi Ramën”. 

QARKU SHKODER - HAFIZI: SHKODRA E KA PRITUR KETE SKUADER ME SHUME DASHURI
“Shkodra këtë skuadër e ka pritur me shumë dashuri dhe me siguri në 23 qershor Shkodra do t’i japë mazhorancën edhe në Shkodër Partisë Socialiste.” 

QARKU DIBER- HASAN CANI: UNE DOKTORI QE DO NXJERR BERISHEN NGA POLITIKA
“Unë jam Hasan Ceni, 30 vjet kirurg, kështu qenka e thënë, një doktor me hy e një doktor me dalë. Unë jam ai që do të nxjerr Sali Berishën nga politika. Fitore, Edi Rama kryeministër.
SHKELQIM CANI- BRENDA MANDATIT PERFUNDON RRUGA E ARBRIT
“Ju uroj për fitoren e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Matjanët, bulqizakët dhe dibranët do të jenë pjesë e kësaj fitoreje plebishitare në 23 qershor. Qarku i Dibrës me pasuri nëntokë e mbitokë është në kontrast me qeverisjen. Një varfëri e tejskajshme, një shëndetësi thuajse e munguar tërësisht në zonat e thella. A do ta pranojmë këtë realitet, kurrën e kurrës. Programi për një rilindje shqiptare ka parashikuar gjithçka në detaje për çdo qytet, fshat, komunë të këtij qarku. Do të ndalem vetëm në 3 elemente të tij. Programi i rilindjes parashikon përmirësim rrënjësor të jetës së fshatarit. Programi i rilindjes parasheh në detaje mbrojtjen në radhë të parë të jetës së minatorit, statusin e minatorit dhe rritjen e punësimit në industrinë e kromit. Brenda mandatit do përfundojë Rruga e Arbrit. Fitore në qarkun e Dibrës për t’i dhënë mbështetje kryeministrit Rama." 

QARKU BERAT, FIDEL YLLI: BERATI KA MBETUR SI NJE ISHULL LARG SHQIPERISE
“Qarku i Beratit ka mbetur si një ishull larg Shqipërisë, pa shkolla, pa shëndetësi, pa ato muzeumet e mrekullueshme që i njeh edhe UNESCO. Kryeministri i papërgjegjshëm ka ardhur 5 herë në një muaj në Berat, se e di që rilindja do të nisë nga Berati, ku bashkë me aleatët tanë do të marrim 6 deputetë. Do të bëjmë ndryshimin e madh. Do ta fillojmë me rrugët Lushnje-Berat, Berat –Skrapar, për ta çarë këtë ishull dhe për t’i dhënë frymëmarrje malit të Tomorrit. Berisha nuk do t’i gënjejë me kuçovarët që flenë mbi pasuri nëntokësore. As skraparlinjtë që kanë ato kanione të mrekullueshme. Ne do t’i japim dinjitet fshatit. Do të bëjmë që ndryshimi i madh në 23 qershor të vijë nga Berati. Na mbështesni dhe ne ju japim fjalën se do t’ju nderojmë dhe do ta bëjmë rilindjen nga ky qytet i vlerave”. 

QARKU KORCE- ZAMIRA KITA: SHPRESA E VETME ESHTE VOTA PER PS
“Jam ngjitur shpesh në skenë, por sot vi të përcjell një mesazh për të gjitha ato gra që janë të pamundura, që nuk dalin dot mbi padrejtësitë. Sot e kemi një shpresë, shpresa e vetme është vota për PS dhe kryeministrin Edi Rama. Vetëm kështu do ta rigjeni veten, do rilindni, do rinitegroheni, do fitoni të drejtat tuaja.”
BASHKIM FINO: RILINDJA KOMBËTARE TINGËLLON NË KORCË MË BUKUR SE NË CDO QARK
“Korça i ka të gjitha potencialet për të qenë një qark i zhvilluar. Më 23 qershor Korça, Pogradeci, Kolonja e Devolli, fillon një kohe e re. Rilindja kombëtare tingëllon në Korçë më bukur se në çdo qark tjetër. Programi i PS synon krijimin e fermave të mëdha nëpërmjet nxitjes së tregut të tokës. Qeveria e rilindjes do ta mbrojë sektorin evfasonit duke rihapur mijëra vende pune që u mbyllën nga veshi i shurdhër i keqqeverisjes. Turizmi do të njohë zhvillim të madh. Dardha dhe Voskopoja do të kthehen në qendrat kombëtare të turizmit dimëror. Infrastruktura në qeverisjen e PS do të përgjysmohet distanca kohore e Korçës, nga Tirana, Saranda. Rruga Arsimi do të rilindë përmes rilindjes së edukimit arsimit dhe dijes. Programi i PS për qarkun e Korçës ka në qendër njeriun, qytetarin. Për ne forca e ndryshimit është dashuria e njeriut për vendlindjen”. 

QARKU DURRES, BLENDI KLOSI: U PROPOZOJME NJE PROJEKT QE NA PAJTON DHE NA BASHKON
“Rilindje, rilindje është propozimi që ne ekipi i qarkut të Durrësit po u ofrojmë qytetarëve të Durrësit. Ne si misionarë besimplotë tek rinia shqiptare dhe Edi Rama i premtojmë qarkut të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, rilindje kombëtare. Ne në këto dite do tu flasim atyre që vuajnë, atyre që shpresojnë, atyre që kanë vuajtur pasojat e një qeverie të papërgjegjshme, arrogante e të korruptuar. Ne do të bisedojmë çdo ditë për punësimin, gangrenën e kudogjendur të qytetarëve të zonës sonë. Në emër të ekipit të rilindjes premtojmë që qarkun e Durrësit do ta kthejmë në një platformë industriale ekonomike. Ne ekipi përfaqësues i Durrësit zotohemi se do të punojmë çdo moment për rimëkëmbjen ekonomike të qytetarëve. Ne me Edi Ramën kryeministër po u propozojmë qytetarëve një Shqipëri krenare mes kombeve të tjera. U propozojmë një projekt që na pajton dhe na bashkon.” 

QARKU ELBASAN - BEN BLUSHI: ELBASANI, LISTË TË SHKËLQYER KANDIDATESH
“Te dashur miq, socialistë nga e gjithë Shqipëria. Dua të them se jam i nderuar që kandidoj dhe do të jem deputet i qarkut të Elbasanit. I një qarku dhe një qyteti që i ka dhënë aq shumë shkollës. Elbasani ka një listë të shkëlqyer me burra dhe me gra që do jenë përfaqësues në Parlamentin Shqipërinë. Duartrokitje për Musain, një shok për të gjithë, një njeri që na ka dhënë më shumë besim për fitoren në Elbasan. Musai vendosi të kandidojë në Belsh e Peqin, duke i shtuar fuqinë. Taulant Balla opozitari perfekt, njeriu që është paditur 12 herë nga Sali Berisha dhe po paguan gjobën e së vërtetës”.

RAMA: FITORE PLEBISHITARE, RIKTHEJMË NË PUSHTET SHUMICËN
Ora 13:00- Ndërsa kreu i Partisë Socialiste Edi Rama premtoi se më 23 qershor do sjellë ndryshimin, duke realizuar zgjedhje historike.

“Kemi vullneti të garntojmë ndryshimin më 23 qershor. Zgjedhejt do jenë po aq historike sa ato të 22 marsit 1992, populli shqiptar i dha një votë plebishitare ndryshimit rrënjësor në 1992, në 23 qershor populli shqiptar me një tjetër votë plebishitare do mbyllë kapitullin e rrënimit dhe do hapë kapitullin e shpresës dhe ëndrrave që do bëhen realitet me Shqipërinë Europiane”, tha ai. 

Pas 23 qershorit tha kryesocialisti, në Shqipëri do qeverisë shumica natyrale.
“Më 23 qershor bashkimi ynë i kthen Shqipërisë të drejtën natyrale për tu qeverisur nga shumica dërrmuese, për të mos mbetur kurrë më peng i pakicës”.

Ai ftoi më tej çdo shqiptar, të zgjedhin për udhëtim një vagon në trenin që niset drejt Europës.
“Qytetarët të zgjedhin vagonin që duan por të mos e ngatërrojnë me trenin e mallrave që po shkon drejt humnerës, ai le të shkojë se aty e ka vendin por të mos marrë me vete shqiptarët e ndershëm”, tha ai.

Dy alternativa ka, vijoi kreu i selisë rozë, “Me trenin e qytetarëve drejt Europës ose me trenin e mallrave drejt humnerës”, duke mbyllur me këtë fjalë edhe punimet e ditës së sotme të kësaj konvente.

META: PAK KOHË NA NDAJNË NGA LINDJA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË SË VËRTETË EUROPIANE 
Ora 12:40- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta teksa u shpreh i sigurt për fitoren e së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit, nënvizoi se bashkimi i së majtës më shumë se çdo gjë ishte një detyrim ndaj qytetarëve që donin ndryshimin.

“Më 23 qershor shoqëria jonë është përpara sfidës së madhe për të dëshmuar zgjuarsinë dhe pjekurinë, forcën dhe vendosmërinë, për të realizuar më në fund ndryshimin e madh, për të bërë rrotacionin e domosdoshëm, që do t’i çelë rrugën e pandalshme Shqipërisë së vlerave të vërteta evropiane. Bashkimi i së majtës është një aksion politik për forca politike evropiane dhe për misionarë të së nesërmes evropiane të Shqipërisë. Bashkimi ynë është reflektim i përgjegjshëm dhe në koherencë të plotë me interesin publik të shoqërisë sonë dhe të çdo qytetari shqiptar. Ky koalicion nuk është një kalkulim numrash por është një detyrë dhe përmbushje e përgjegjësisë historike që buron prej dëshirës dhe vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë t’i japin fund tranzicionit por edhe që presin ndryshime thelbësore pikë së pari në jetën e tyre sociale dhe ekonomike. Nevoja e bashkëpunimit për të ardhmen evropiane të vendit, energjia dhe vizioni ynë i përbashkët për atë se çfarë do të jetë Shqipëria e pas 23 qershorit, vlerat e së majtës moderne dhe progresiste evropiane, solidariteti, humanizmi e kohezioni social formësuan dhe e konsolidojnë çdo ditë koalicionin tonë të fitores, si fuqi kryesore që do të garantojë përfundimisht në këtë vend vendosjen e shtetit mbi pushtetin dhe pushtetit në shërbimin e qytetarëve”, tha ai. 

Sipas Metës, koalicioni i fitores sa vjen e konsolidohet çdo ditë për të garantuar atë që ai e quajti një fitore plebishitare.
“Shqipëria, anëtare e NATO-s; Shqipëria, faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon; Shqipëria që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, nuk mund t’ia lejojë vetes që të jetë vendi i vetëm në Evropë që shkon në zgjedhje me gjysmë KQZ-je. Është përgjegjësia jonë, është misioni ynë ta mbyllim përfundimisht këtë kapitull dhe të nisim më 23 qershor, me fitoren plebishitare në zgjedhje, me një ritën tjetër, me një vizion tjetër dhe me një angazhim e përgjegjshmëri rrugëtim e pandalshëm drejt Evropës së bashkuar. Në përmbushje të këtij misioni historik dhe jetik për fatet e vendit dhe të qytetarëve tanë, për të mbërritur në horizonte evropian që e kemi të qartë dhe të projektuar, ne bashkërisht do të ndërtojmë një Shqipëri me stabilitet politik dhe institucional, do të ndërtojmë një Shqipëri ku prioritetet e vendit dhe të qytetarëve janë edhe prioritetet e politikës. Me të drejtë shqiptarët presin jo vetëm një ndryshim thelbësor të vizionit të qeverisjes por realizimin e një qeverisjeje ndryshe, të qeverisjes së progresistëve, të cilët nuk do ta përplasin më Shqipërinë me Perëndimin, as me Evropën dhe as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por që do të ridimensionojë dhe forcojë gjithnjë e më shumë urat e bashkëpunimit dhe të partneritetit euroatlantik.
Pas 23 qershorit, kur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” do të fitojë në mënyrë plebishitare votëbesimin e qytetarëve shqiptarë, ne do të punojmë për të mbrojtur shtresat sociale në nevojë për të zgjeruar dhe fuqizuar klasën e mesme, për të nxitur investimet në sektorët potencialë të ekonomisë që kanë intensitetin më të lartë të punësimit si dhe për të krijuar hapësirat për një shoqëri civile aktive, e cila i imponohet klasës politike dhe rrit llogaridhënien në jetën publike”, tha ai më tej. 

“Të dashur motra dhe vëllezër socialistë. Pas 23 qershorit ne të gjithë do të punojmë për të krijuar një shoqëri më të denjë, më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë. Për një mirëqeverisje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme, duke i qëndruar besnik vlerave të një shoqërie të emancipuar për të garantuar atë që shqiptarët e ëndërrojnë prej 22 vitesh, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Edhe pak javë na ndajnë nga fitorja historike dhe plebishitare e 23 qershorit, nga lindja e një Republike të re, e asaj të Shqipërisë së vërtetë evropiane. Rroftë Shqipëria Evropiane. Fitore”, nënvizoi Meta më tej.

NGJELA: NA JEPNI VOTËN SE NUK DO T'JU ZHGËNJEJMË
Ora 12:00- Edhe kreu i PLD, Spartak Ngjela u shpreh i sigurt për ndryshimin e qeverisjes më 23 qershor, ndërsa tha se opozita e bashkuar do i japë fund errësirës.
“Ne do ta shpërtojmë karrocën e shtetit nga një bandë hajdutësh. Na jepni votën se nuk do t’ju zhgënjejmë”, tha ai.

MILO: RRUGA E OPOZITËS, FITORJA
Ora 11:40- Paskal Milo, kreu i PDS gjatë fjalës së tij në këtë konventë u shpreh I binudr se rruga e Aleancës së Shqipërisë Europiane është ajo e fitores.

“T’i japim Shqipërisë ndryshim cilësor. Kjo konventë nuk është thjesht një manifestim zgjedhor që e bëjmë në prag të fushatës. Është përpjekje që ëndrrat dhe aspiratat e shqiptarëve të gjejnë realizim të plotë. Ekipi ynë do jetë i ndryshëm. Kjo konventë hap rrugën e suksesit tone. Nuk ka rrugë tjetër vetëm ai ajo e fitores së opozirtës”, tha Milo më tej.

Sipas tij më 24 qershor, “Opozita do çlirojë Shqipërinë nga kthetrat e diktaturës”. 

PËRSHËNDETJA NË KONVENTË E PATRIARKUT TË PS, DRITËRO AGOLLI
Të nderuar miq të mi, të familjes së madhe socialistëve e progresistëve!
Vëllezër të opozitës!
Në pamundësi fizike për të marrë pjesë me ju, e ndjej që jam i pranishëm me zemër, shpirt dhe mendje. Ju dërgoj përshëndetjet e mia, duke ju uruar edhe duke e bekuar bashkimin historik të të majtës socialiste, lsi-te, socialdemokrate e të gjithë progresistëve, për një fitore të madhe në zgjedhjet e 23 qershorit.
Bashkimi është fuqi dhe shpresë. Edhe lumenjtë bashkohen, madje edhe detet.
Një njeri i vetëm ka në fillim iluzione, pastaj bashkohet me një komunitet, shoqatë apo parti. Kur ndahet nga shokët, kujton se do të bëjë vezën e patës, por ulet dhe bën vezën e rabeckës.
Të bashkuar në fitore dhe pas fitores më pak fjalë, më shumë punë dhe më shumë ekonomi.
Naimi i pavdekshëm na porositi nga themelet e Rilindjes Kombëtare:
Punë punë natë e ditë;
Që të shohim pakëz ditë!
Unë jam shumë i lumtur dhe i gëzuar, por edhe shumë i bindur se këtë radhë e gjithë opozita e bashkuar do të realizojë fitoren e madhe e të shumëpritur për të kryer rotacionin e nevojshëm si rruga më e mirë për të ecur në hapa të sigurt drejt integrimit europian të Shqipërisë e të shqiptarëve.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Konventa, Rama-Meta: Bashkë për një fitore plebishitare që sjell ndryshimin rrënjësor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›