Berisha: Komisionet hetimore nuk mund të hetojnë çështjet e gjykuara

(UPDATE)- Kryeministri Sali Berisha i jep edhe njëherë përgjigje pretendimeve të pabaza nga ana ligjore, opozitës shqiptare, lidhur me hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë një interviste për mediat vetëm pak minuta më parë, shefi i ekzekutivit u shpreh se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por njëherazi edhe nëse do të kishte një mungesë të ligjit për komisionet hetimore, ndarja e pushteteve është ndër 2 apo 3 parimet themelore të çdo shoqërie demokratike. Sipas kreut të qeverisë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, thotë qartë se komisionet hetimore nuk mund të hyjnë në çështje të gjykuara. Ka një përcaktim të Gjykatës Kushtetuese, e cila, në mënyrën më të qartë, përcakton se komisionet hetimore nuk mund të hyjnë në çështje të gjykuara. Këtu, nuk jam unë ai që pengoj, në mënyrë absolute, kategorike, hapjen e apo mos hapjen e kutive, numërimin apo mos numërimin e votave. Këtu janë parimet më themelore të një shoqërie të lirë. Janë kushtetuta dhe ligjet e vendit që nuk pranojnë një gjë të tillë”, u shpreh kryeministri. Berisha theksoi se i ka propozuar vazhdimisht liderit të opozitës që çdo dokument që disponon t’ia japë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka të gjitha atributet e hetimit. “Më keni dëgjuar ndonjëherë që nuk pranoj që prokuroria të mos hetojë? Kurrë! Prokuroria heton në çdo kohë dhe mbi çdo gjë. Pra, kështu jemi një vend i lirë. Por, as unë, as zoti Rama, as përfaqësuesit tanë në komisione, nuk mund të marrim atribute prokurori”- tha kryeministri. Përsa i takon tryezës që pritet të thërritet nga Presidenti Topi, kryeministri Berisha tha i takon kreut të shtetit të përcaktojë temën e diskutimeve dhe të negociatave politike....