Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, përparësia e qeverisë

Zëvendëskryeministri Meta garanton intensifikimin e kësaj lufte, jep garanci për liberalizimin e vizaveZëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, në kuadër të luftës kundër krimit dhe trafiqeve njerëzore. Shefi i diplomacisë shqiptare tha se duhet zhvilluar një luftë pa kompromis për trafikun e qenieve njerëzore. “Qeveria ka marrë masa dhe strategji për të ulur trafikimin e qenieve njerëzore. Rezultatet e strategjisë kombëtare antitrafik, kanë qenë domethënëse. E rëndësishme është që shoqëria jonë tanimë ka përfituar një ndërgjegje të re dhe një kulturë të re qytetare për ta luftuar këtë të keqe të përbashkët. Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria ka hartuar bazën e nevojshme ligjore, si dhe Strategjinë Kombëtare antitrafik. Veprimi antitrafik i qeverisë është fokusuar në 4 drejtime të mëdha: ndjekja penale e trafikantëve, mbrojtja dhe asistimi i viktimave, parandalimi dhe koordinimi. Qeveria shqiptare ka demonstruar dhe është plotësisht e angazhuar të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, të ndalojë shfrytëzimin e personave vulnerabël, si dhe të ndëshkojë me të gjithë rreptësinë e ligjit shfrytëzuesit e tyre”, u shpreh Meta.Gjithashtu, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e cilësoi luftën kundër krimit dhe trafikut si është shumë të rëndësishme, për të fituar heqjen e vizave sa më shpejt. Por, tha ai, kjo nuk është vetëm çështje e lëvizjes së lirë, por edhe një çështje dinjiteti.Ndërkaq, të pranishëm në takim ishin ambasadori amerikan John Withers, ambasadori i KE-së, Helmut Lohan dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha....