Berisha: Koordinim dhe reagim më i mirë i strukturave të PD-së

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me drejtuesit e rinj të degëve të PD-së në vend, ka kërkuar riorganizim të plotë të strukturave të partisë dhe intensifikim të punës në terren.
Berisha e përqendroi fjalën në takim te protesta e 8 majit, duke theksuar se alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie. “Ta ketë të qartë çdo qytetar”, u shpreh ai.
Në qendër të diskutimeve për protestën, sipas tij, janë farsa elektorale dhe mbrojtja e korrupsionit nga Edi Rama.
Berisha theksoi se Partia Demokratike duhet të forcojë organizimin në të gjitha nivelet, duke nisur nga seksionet lokale, deri te drejtimi qendror, me qëllim rritjen e efikasitetit politik dhe komunikimit me qytetarët.
Sipas tij, aksioni opozitar duhet të mbështetet mbi organizim të fortë dhe mobilizim të vazhdueshëm të strukturave, duke pranuar se kjo ka qenë një nga pikat e dobëta të deritanishme të partisë.
“Strukturat e PD-së duhet të përqendrohen në organizimin dhe riorganizimin në çdo nivel. Kjo është thelbësore për forcimin e aksionit politik”, u shpreh Berisha.
Gjatë takimit, ai kërkoi gjithashtu angazhim më të madh në terren dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke theksuar se beteja politike e opozitës duhet të vijojë deri në realizimin e objektivave të saj.
Berisha u shpreh se situata politike në vend kërkon reagim të vazhdueshëm dhe koordinim më të mirë të strukturave të Partisë Demokratike në të gjithë vendin.
/j.p/r.e/