E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Agjencia e imigracionit ICE pritet të riemërtohet NICE

UASHINGTON, 27 prill /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur idenë për ndryshimin e emrit të agjencisë së imigracionit ICE në NICE, një propozim që ka shkaktuar debat në SHBA.

Zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt e bëri të ditur nismën përmes platformës X, duke konfirmuar mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për këtë ide.

Më herët, Trump shpërndau një postim ku sugjerohej shtimi i fjalës “National” në emrin aktual “Immigration and Customs Enforcement” (ICE), (Zbatimi i Rregullave të Imigracionit dhe Doganave) duke krijuar akronimin NICE, ide të cilën ai e kishte mirëpritur publikisht.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse do të zbatohet një ndryshim i tillë, pasi agjencia është pjesë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Sipas medias amerikane, përfshirë “The Hill”, ndryshimi i emrit të një agjencie federale kërkon miratimin e Kongresit.

ICE ka qenë nën kritika të forta muajt e fundit, veçanërisht pas operacioneve të ashpra ndaj imigrantëve dhe incidenteve me viktima në Minesota, që kanë rritur tensionet politike dhe protestat në vend.

Pas këtyre ngjarjeve, autoritetet federale kanë bërë disa ndryshime në drejtimin operacional të agjencisë, ndërsa situata në terren mbetet delikate. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›