Berisha: Kosova është de fakto anëtare e NATO
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se Kosova, në disa prej aspekteve të bashkëpunimit, është de fakto anëtare e NATO-s. Duke folur në takimin e "Kartës së Adriatikut", kreu i qeverisë shqiptare theksoi se mbështetja e NATO-s ka qënë mjaft e rëndësishme për Kosovën .
"Në disa aspekte Kosova është de fakto anëtare e NATO-s, por jo de juro. Me bashkëpunimin që ka me KFOR, Kosova është një vend me garanci, stabilitet dhe paqe në rajon. Jam i bindur që pas kapërcimit të problematikës në Veriun e Kosovës, Serbia do të marrë rolin që i takon", tha Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se qëndrimi i qeverisë shqiptare për të ardhmen e Aleancës dhe hyrjen e vendeve të reja është i qartë. "Shqipëria është e hapur për bashkëpunimin e ngushtë me vendete tjera dhe do të mbështes aspiratën e vendeve të tjera", tha Berisha.
Ai shtoi gjithashtu se nisma e ndërmarrë vite më parë mes vendeve të rajonit ka rezultuar e suksesshme dhe se tashmë rajoni është më i sigurt dhe më i qartë në objektivat e tij.