E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Kosova, faktor real i paqes dhe stabilitetit rajonal”

16-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri takon ministrin e Punëve të Jashtme te Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ministrin e Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe delegacionin që e shoqëronte, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër  të një vizite zyrtare për  nënshkrimin e Protokollit të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin, Shqipëri-Kosovë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi zhvillimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Kosovë, e cila është shndërruar tashmë në faktor real  të paqes dhe promovimit të bashkëpunimit e miqësisë në Rajon.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj e falënderoi  Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të kryeministrit Thaçi dhe të të gjithë autoriteteve të larta të Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj i shprehu Kryeministrit  Berisha mirënjohjen e tij, të qeverisë së Kosovës dhe të popullit të Kosovës për përpjekjet, përkushtimin, mbështetjen e paçmuar e të vazhdueshme që Kryeministri Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare i ka dhënë e vijojnë ti japin Kosovës e institucioneve të saj në të gjitha aspektet.
Në takim u theksua rëndësia e ndërtimit mes të dy vendeve të standardeve  më të mira të bashkëpunimit, që ekzistojnë sot në Bashkimin Evropian për sa i përket heqjes së barrierave doganore dhe të gjitha barrierave të tjera të bashkëpunimit ekonomik, të cilat do t’i shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të të dy vendeve, rritjes së shkëmbimeve tregtare e të gjithanshme në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve, por edhe zhvillimit ekonomik të mbarë Rajonit në përgjithësi.
Duke u ndalur te integrimi euroatlantik i Republikës së Kosovës Kryeministri Berisha e Ministri Hoxhaj e vlerësuan atë si e ardhmja më e mirë e saj e qytetarëve të Kosovës duke theksuar gjithashtu rëndësinë themelore që edhe qytetarëve të Kosovës, ashtu si edhe qytetarët e vendeve të tjerë të rajonit, tu njihet sa më parë e drejta e lëvizjes së lirë çka do të sillte veçse avantazhe ekonomike, kulturore e të gjithanshme jo vetëm për ta por edhe për mbarë rajonin edhe për bashkimin evropian.
Përsa i përket dialogut mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, zhvillimet e fundit  u cilësuan si pozitive. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria e ka mbështetur në vijimësi  dialogun bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në takim u ripohua rëndësia e implementimit  të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura e që do të arrihen në të ardhmen midis këtyre dy vendeve sovrane, si faktor themelor për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe që do ti shërbejnë jetës së përditshme të qytetarëve të tyre si edhe paqes e bashkëpunimit në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›