“Kosova po përjeton momente historike”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takon ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj
Në takimin e zhvilluar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e informoi kryeparlamentaren me ecurinë e bisedimeve Kosovë-Serbi, mbi vizitën e Baroneshës Ashton në Kosovë si dhe për procesin e njohjeve të reja të Pavarësisë së Kosovës. “Kudo ku shkoj, tha ministri Hoxhaj, shoh gjurmët tuaja të mbështetjes që keni dhënë për Kosovën dhe ju falënderoj shumë për këtë”.
Lidhur me procesin i Stabilizim Asociimit të Kosovës me BE-në Hoxhaj tha se shpresojmë, që negociatat që pritet të nisin në Qershor të përfundojmë brenda pak muajsh.
Duke uruar mbylljen sa më shpejt të negociatave të MSA-së por edhe ecuri sa më pozitive lidhur me liberalizimin e vizave, si dhe në dialogun Kosovë-Serbi, Kryetarja e Kuvendit theksoi se: “Kosova po përjeton momente historike. Në momente historike duhen njerëz të guximshëm dhe vendime të forta. Kosova ka treguar maturi të madhe politike dhe jam e bindur se Shqipëria e Kosova do bashkohen në familjen e përbashkët europiane”.
Ministrat Panariti dhe Hoxhaj nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë/Kryediplomati shqiptar Edmond Panariti dhe homologu i tij, Enver Hoxhaj nënshkruan dje protokollin e Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin, Shqipëri-Kosovë.
Të dy ministrat ndanë mendimin se ky Protokoll është dokumenti më i plotë e më gjithëpërfshirës në marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, që mund të konsiderohet si plan zhvillimor për t’i bërë më komplementare të gjithë sektorët e bashkëpunimit, me synim krijimin e një tregu më të gjerë në rajon. Ministri Panariti u shpreh, se ky Protokoll do të përshpejtojë nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera dypalëshe në fushat e interesit të përbashkët, në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, teknologjisë, industrisë minerare, pyjeve, ujërave, sigurime shoqërore, arsimit etj., dhe njëkohësisht me mekanizmat e tij operatore do t’i japë zgjidhje të shpejtë dhe efikase problemeve që lindin në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Të dy ministrat shkëmbyen mendime për gjetjen e rrugëve për t’i dhënë, një mbështetje më të gjerë rajonale projektit për gazsjellësin TAP, dhe mundësinë e përfshirjes së Kosovës në këtë projekt energjetik evropian.