Berisha-Kover: Të papranueshme aktet e opozitës në bllokimin e institucioneve
Hungaria, Presidente e radhës së BE, i garanton mbështetje Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, z. Lazlo Kover. Kreu i ekzekutivit e konsideroi vizitën e z. Kover si një kontribut në konsolidimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve. Nga ana e tij Laszlo Kover vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare gjatë viteve të fundit, si integrimi në NATO, liberalizimi i vizave, ecja përpara në rrugët e integrimit Europian, etj. Duke u ndalur në situatën politike të kohëve të fundit në vend, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, z. Laszlo Kover, i cilësoi si të pakuptueshme aktet e opozitës për bllokimin e institucioneve demokratike, duke ndikuar kështu edhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Kover se qeveria shqiptare është e vendosur për të adresuar rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit, të jenë ndër më të mirat në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto zhvilloi një takim me Z. Kover. Gjatë takimit, bashkëfolësit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe potencialet e mëdha, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit ekonomik.
Topalli-Kover: Ndëshkim me votë ndaj atyre që pengojnë integrimin/Kryetarja e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli dhe homologu i saj në krye të Asamblesë kombëtare të Hungarisë, vendit që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian apeluan ndaj opozitës socialiste të mos mbajë peng aspiratën e 96% të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Evropian, duke mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar. Në këtë linjë të shprehur nga Topalli, kreu i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Kover, do të theksonte se Hungaria nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një vendi tjetër, por si përfaqësues i një partie politike në parlamentin hungarez, solli në vëmendje sesi opozita socialiste hungareze në ’98-n dhe 2002-n do të mbante peng anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Europian, pikërisht duke mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar, një tjetër histori e ngjashme kjo e dy vendeve më të shkuar komuniste.
Por Kover theksoi se për politikanët që nuk përmbushin aspiratën e 90% e qytetarëve për integrim se nuk njeh rregullat e demokracisë, ose është kundër këtij procesi, ndëshkimi vjen me votë. “Kjo ndodhi me socialistët në Hungari”, tha ai. Kover zhvilloi një takim të gjatë me kryetaren e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli ku e cilësua unik bashkëpunimi ndërparlamentar. Hungaria është vendi i parë që ratifikoi marrëveshjen e stabilizim-asociimit të Shqipërisë duke e bërë ndër të parët që ratifikoi protokollin për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, që njohu gjithashtu pavarësinë e Kosovës dhe mbështeti fort liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE. Kontributi i këtij vendi u premtua se nuk do të mungojë as në përpjekjen e vendit tonë e për të marrë statusin e vendit kandidat, por siç theksoi Kover së pari janë forcat politike të një vendi ato që duhet të japin kontributin në këtë drejtim.