E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’të paska lezet kandidimi, zoti Rama!

31-03-2011 / Gazeta 55

Letra/Shkruan një banor i vjetër i ish-Bllokut komunist

Edi Rama!
Të pashë dje, teksa ecje rrugës “Komuna e Parisit” e bëje sikur e kishe problem për rrugët e Tiranës, të cilën, për hir të së vërtetës, e ke shndërruar në një komunë...
E kuptova.
Problemi yt, që me gjithë tentativën për ta injoruar, nga dje, do të jetë 8 maji.
Afërmendsh...
Kjo nuk është gjë e keqe.
Më në fund, ti, Edi Rama, tentove ta marrësh seriozisht 8 majin.
Suflerët e tu, Eduar Shalësi, apo Lindita Nikolli, nuk arritën deri para ditës së djeshme, me daljet e tyre publike, të tipit “hera ai, herë ajo”, apo “herë të dy bashkë”, të merrnin përsipër, që me lakimin e emrit të Luzim Bashës, të injoronin e shpërfillnin, se gara për zgjedhjet e 8 majit 2011, nuk është për “7 drejtime themelore, 100 masa e 1000 faqe”. Shpatullat e tyre të njoma, nuk arritën të përballonin, konsumimin e tyre publik, në emër të “programit” tuaj virtual. Se para “programit” virtualja për “7 drejtimet themelore, 100 masat e 1000 faqet”, qëndron “programi” i probleme të prekshme e të dukshme të Tiranës, për lulishtet, kopshtet, bile edhe për rrugët e trotuaret e tyre, të cilat duket se i ke “ngrënë”, ashtu sikurse “hëngre” dje, trotuarin e Rrugës  “Komuna e Parisit”...
Nuk e di, të ra apo jo në sy, se ajo copë rruge që “përurove” dje te “Komuna e Parisit, nuk kishte as trotuare, por as puseta…
Nejse…
Me daljen tënde dje, paralajmëruese, se punën e punëve të Tiranës, nuk do ia besosh Eduart Shalësit, apo Lindita Nikollit, nuk e di, por se pse mu kujtuan frazat tuaja të vitit 2000 për qytetin (lexo Komunën e Tiranës)...
Atëherë, kishin njëfarë kuptimi e shprese...
Kuptimi e shpresa, ndoshta merrte kuptim nga ngjyrat e fasadave të projektit “kthim në identitet”, me të cilat lyeve ca pallate të vjetra në Tiranë. Por sot, pas 11 vjetësh, ndërsa atyre pallateve që lyeve ti, ju ka dalë boja, boja ju ka dalë edhe premtimeve të tua për Tiranën.
Nuk ke edhe shumë faj. Sepse gjysmën e kohës që ke kaluar në krye të bashkisë, e ke konsumuar, si “i dypunësuar”.
Posti i kryetarit të PS-së, sidomos në opozitë, është i vështirë e i lodhshëm . Në fakt, në këto vite, ku ti je konsumuar si kryetar i PS-së, duket se më shumë e ke vështirësuar vetë këtë “pozitë”, në të cilën, për dreq, se kush të shtiu “trutë e gomarit” dhe të mbylli në një kuti, çuditërisht, sërish virtuale dhe ti, ende deri më sot, nuk ke arritur të artikulosh fjalët magjike “sezam hapu”...
Jo për gjë, por që të dalësh prej andej...
“Ngecja” në atë kuti, të bëri të harrosh, apo të lësh pas dore Tiranën. Rreth 300 ditët e mungesës suaj në bashki (lexo në kuti), pa llogaritur të dielat, gjithsesi, nuk ju ka penguar, me gjithë devotshmërinë e djeshme për të përuruar një rrugë pa trotuare e pa puseta, që ti ndërprisnin vendit, një rrugë edhe më të rëndësishme, atë të integrimit. Nga kutia, ku ju ende i njihni vetes të drejtën të mos dilni prej andej, gjithsesi nuk keni reshtur, që nëpërmjet tentativës së marrjes peng të e progresit të Shqipërisë, ti ndërprisnin asaj një rrugë, shumë më të rëndësishme, se sa ajo që përurove dje. Fjala është, në qoftë se nuk e ke kuptuar, për rrugën e integrimit e të liberalizimit të vizave..., të cilën gjithsesi, me gjithë investimin  madh, nuk arrite ta ndërpresësh.
... E pra, të shëtisje rrugëve e të bëje sikur shqetësoheshe dje për qytetarët, kuptova veç një gjë, angushtinë që më vjen nga zgjedhjet...
S’të paska lezet kandidimi, zoti Rama...!

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›