Thoma Miço: Vangjel Dule, duke u bërë beniamin i Edi Ramës, po përçan komunitetin grek
Ish-deputeti i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, dhe një nga themeluesit e OMONIA-s, Thoma Miço, vëren se aleanca ‘Rama-Dule’ po përçan komunitetin grek në vendin tonë. Angazhimi i Vangjel Dules në koalicionin e socialistëve të drejtuar nga Edi Rama jo vetëm dobësoi pozitat e PBDNJ-së dhe mbështetjen e saj elektorale, por njëherazi aktivizoi një valë përplasjesh mes drejtuesve kryesorë të partisë së minoritetit. Në anën tjetër, Miço thotë se Vangjel Dule po bëhet beniamin i Edi Ramës duke u kapur me çdo kusht pas kësaj aleance. “Z.Dule nuk po zbaton asnjë nga marrëveshjet historike që prej themelimit të OMONIA-s. Në 2009-ën doli në zgjedhje me disa slogane si i pavarur dhe më pas u bë shtojcë e Edi Ramës. Kjo situatë i humbi mbështetjen PBDNJ-së, ndërsa tani mund të thuhet me bindje se elektorati nuk është më ai i dikurshme”- u shpreh ish-deputeti i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, dhe një nga themeluesit e OMONIA-s, Thoma Miço.
Kolegji Zgjedhor shqyrton çështjen e parë që lidhet me 8 Majin/Kolegji Zgjedhor shqyrton çështjen e parë që lidhet me ankesat e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Filip Ruxho, kishte depozituar ankesën e tij në lidhje me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për skualifikimin e kandidaturës së tij, si kandidat i pavarur për zonën e Dropullit të Sipërm, në KZAZ-në numër 25. Kolegji zgjedhor me Relator gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Tom Ndreca, ka rrëzuar pretendimin e Ruxhos, duke vlerësuar të drejtë vendimin e datës 12 mars të KQZ-së, për problemet e konstatuara në mbledhjen e firmave të domosdoshme për t’u pranuar kandidat për kryetar të njësive vendore. Kolegji Zgjedhor është i përbërë nga gjykatësit e Apeleve, Dhurata Averi nga Krimet e Rënda, Tom Ndreca nga gjykata e Apelit e Tiranës, Astrit Kalaja, nga Apeli i Shkodrës, Entela Prifti dhe Meriban Mulai, nga apeli i Korçës, Sahenka Jonuzi nga Apeli i Vlorës, Petraq Dhimitri nga Apeli i Durrësit, dhe Maria Qirazi nga Apeli i Gjirokastrës. Seanca për Ruxhën e zhvilluar të shtunën në ambientet e Gjykatës së Apelit të Tiranës, është vetëm fillimi i një procesi vlerësimesh të ankesave që mund të kenë kandidatët për procesin e regjistrimit dhe ecurinë e procesit zgjedhor të 8 Majit.