E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jorida Tabaku: Edi Rama, asnjë alternativë për Tiranën, shpifja dhe trillimi për kundërshtarin, oferta e vetme për elektoratin

31-03-2011 / Gazeta 55

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike për këshillin bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku reagoi dje ndaj deklaratave të Edi Ramës, i cili si kundër herë akuzoi kundërshtarin e tij të 8 majit, për bashkinë e kryeqytetit. Tabaku tha se Rama provoi përsëri para qytetarëve të Tiranës se interesi i tij i vetëm është lufta politike dhe jo zgjidhja e halleve dhe problemeve të këtij qyteti dhe banorëve të tij. “Edhe sot, rraskapitja politike e Edi Ramës provoi përsëri para qytetarëve të Tiranës se interesi i tij i vetëm është lufta politike dhe jo zgjidhja e halleve dhe problemeve të këtij qyteti dhe banorëve të tij. Shpifja dhe trillimi absurd ndaj kundërshtarit dhe familjarëve të tij, mbetet e vetmja alternativë që Edi Rama ofron si bilanc të 4 viteve në krye të Bashkisë. Kjo politikë e dëshpëruar e shpifjes dhe përbaltjes, nuk krijon asnjë vend të ri pune, nuk ul çmimet, nuk ndërton asnjë park, shkollë apo kopsht të ri, nuk tregon se ku shkojnë taksat e qytetarëve që ai i ka rritur nga viti në vit, nuk zgjidh kolapsin e trafikut, nuk e ul ndotjen e qytetit. Të gjithë në Tiranë tashmë e kanë kuptuar se Edi Rama, vjen duarbosh para qytetarëve në zgjedhjet e 8 majit dhe ofron si alternativë vetëm konfliktin politik, përbaltjen dhe shpifjen ndaj kundërshtarit”- u shpreh Tabaku. Ndërsa deklaroi se Lulzim Basha është shumë ndryshe; është personaliteti që kujdeset për qytetarët e Tiranës. “Lulzim Basha është ndryshe. Sot si çdo ditë ai është në mes të qytetarëve duke i dëgjuar, duke ndarë me ta projektet për përmirësimin e jetës në Tiranës, dhe për zgjidhjen e problemeve që ka qyteti dhe njerëzit e tij. Sepse, për Lulzim Bashën, e para është Tirana, të parët vijnë qytetarët e saj, dhe shpresat e tyre për të ardhmen” - tha më tej Jorida Tabaku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›