Berisha: Krenarë që jemi pjesë e NATO-s

Sali Berisha / foto arkiv
Aleanca transatlantike është garantuesi më i madh i rregullit ndërkombëtar që bota ka pasur ndonjëherë dhe ne jemi krenarë që jemi pjesë e saj. Kështu u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij sot në Konferencën e Komandove të NATO-s, e mbajtur në Tiranë.
Berisha vlerësoi strategjinë Smart Defence, e cila sipas tij është përgjigjja më e mirë e NATO-s ndaj krizës së vështirë ekonomike me të cilën përballet bota dhe Europa në veçanti.
Kohët janë të vështira. Europa po përballet me krizën ekonomike dhe shpenzimet për sigurinë janë më të vogla. NATO ishte e para që elaboroi konceptin e ri për shpenzimin në strategjinë Smart Defence. Forcat tona të armatosura duhet të adoptojnë skemën e re të NATO-s, tha kryeministri.
Duke u ndalur në përshkrimin e vizitës së tij të fundit në Afganistan, Berisha gjeti rastin të ritheksojë gatishmërinë e qeverisë që drejton për të qenë krah SHBA-së në misionet e saj paqeruajtëse në botë.
Isha nëAafganistan dhe gjeta ushtarët që punonin në të gjitha frontet. NATO dhe gjenerali Xhons më informuan për planet për të transferuar pushtetin te forcat e sigurisë afgane, një proces që po shkon mirë. Vendet tona duhet të qëndrojnë me SHBA-në dhe përpjekjet e saj për sigurinë në këtë vend. Marrëveshja strategjike mes Obamës dhe Hamid Karzait është një bazë e fortë ligjore për kontributin e secilit vend, tha Berisha. / Gazmira Ndoja