Berisha: Kriza ekonomike nuk do pengojë investime në rrugë
Kreu i qeverisë ka inspektuar dje punimet për tunelin, pjesë e rrugës Tiranë-Elbasan. Ai ka akuzuar opozitën se votoi kundër buxhetit për ndërtimin e tunelit
Ka përfunduar dje kilometri i parë i tunelit që është pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan. Një volum pune ky i kryer para afateve të përcaktuara, ndërkohë që me këtë rast punimet i ka inspektuar edhe kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka harruar ta shfrytëzojë këtë rast për të përcjellë mesazhin e qartë se pavarësisht akuzave të kundërshtarëve politikë dhe situatës së vështirë financiare që ka përfshirë Europën, qeveria e drejtuar prej tij nuk do të heqë dorë nga zhvillimi i infrastrukturës rrugore. Duke folur me banorët e zonave që preken nga ky projekt, kreu i qeverisë ka atakuar edhe opozitën, e cila, sipas tij, një vit më parë nuk votoi për buxhetin e ndërtimit të këtij tuneli. “Nuk mund të mos kujtoj këtu, një natë të gjatë në Parlamentin Shqiptar, nata më e gjatë në karrierën time politike në Parlament, kur me përpjekjet më të jashtëzakonshme, ata të cilët përdorën pushtetin e tyre për të bllokuar statusin e vendit, bënë gjithçka, deri në orën 5 të mëngjesit, për të bllokuar buxhetin për korridorin Tiranë-Elbasan. Në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të papërgjegjshme, ata personalizuan korridorin me Sali Berishën dhe harruan që ky është korridori i miliona shqiptarëve”, - tha Kryeministri në fjalën e tij të rastit. Kreu qeverisë ka pranuar se kriza financiare që ka prekur Europën ka dhënë efektet e saj dhe në vendin tonë, por kjo, sipas tij, nuk do ta pengojë qeverinë që të vijojë projektet në të mirën e qytetarëve të saj. “Në respekt, vërtet ne qëndruam atë natë, deri në 5 të mëngjesit, duke debatuar, por natyrisht ne votuam, vendimin e morëm dhe ja ku është vepra e atij votimi, e atij buxheti. Shqipëria sot është e tëra në rindërtim dhe nuk mund të injorohet fakti se kohërat në ekonominë europiane dhe atë botërore janë të vështira. Nuk mund të injorohet se këto kohëra të vështira, në një mënyrë apo një tjetër pasqyrohen dhe në Shqipëri, por asgjë nuk mund të lëkundë vullnetin tonë për të shndërruar paratë e taksapaguesve shqiptarë në rrugë, në autostrada, në shkolla, spitale, ujësjellës, kanalizime, frutikulturë”, - tha Berisha. Akuzave dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita për mosmarrje të masave ndaj krizës, kreu i qeverisë ka theksuar se kabineti dhe mazhoranca e drejtuar prej tij do t’i përgjigjet vetëm me punë. “Përkundrejt makinerisë së shpifjeve, të trillimit dhe nihilizmit, le të vazhdojmë ne ndërtimin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj të veprave të Shqipërisë europiane. Le t’u përgjigjemi ne shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve, me vepra dhe vetëm me vepra”, - tha u shpreh Berisha. Duke folur për rrugën që po ndërtohet, Kryeministri është shprehur i sigurt se ajo do të shkurtojë me 50 minuta largësinë mes Shkupit dhe Tiranës, ndërsa do të afrojë banorët e zonës juglindore me Tiranën. Punimet, po realizohen nga kompania greke AKTOR. SA, kanë një vlerë rreth 101 milionë dollarë dhe janë investim i Buxhetit të Shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim. Tuneli do të jetë me dy tuba, me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tub. Punimet e gërmimit kanë filluar në të dy tubat, nga të dy portalet. Pas përfundimit të procesit të gërmimit, puna do të vazhdojë me betonimin dhe punimin e pajisjeve elektro-mekanike. Tuneli së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra do të formësojnë një rrugë të re, të rëndësishme, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.