E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mbledh në Tiranë 100 parlamentar të PABSEC

Shqipëria, e cila ka presidencën e radhës së PABSEC-ut, do të mbledhë nesër në Tiranë rreth 100 parlamentarë të vendeve anëtare të PABSEC-ut dhe mbi 300 biznesmenë të TUSKON dhe vendeve anëtare të BSEC-ut, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Asambleja e Përgjithshme do të kryesohet nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidente e radhës së PABSEC-ut. Asambleja e Përgjithshme do të zhvillojë punimet e saj treditore në Tiranë, nga data 21-23 nëntor 2011. Sesioni i 38-të plenar do të ketë në fokus si tema kryesore: “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit-shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, “Përmirësimi i sistemeve tatimore në shtetet anëtare të BSEC-ut” dhe “Çështjet kulturore, arsimore dhe sociale”. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e Presidentes së radhës së PABSEC, ditën e hënë do të përshëndesë ceremoninë e “Forumit-2 të Biznesit të Detit të Zi” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Parlamenteve të PABSEC dhe biznesmenëve të TUSKON (Confederation of Businessmen and Industrialists of Turkey). Gjithashtu, ditën e hënë, datë 21 nëntor 2011, ora 19:00, në “Pallatin e Brigadave” kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të bëjë një pritje ceremoniale zyrtare për biznesmenët dhe delegacionet e PABSEK-ut. Në mbyllje, të mërkurën, kryetarja Jozefina Topalli do të mbajë fjalën përmbyllëse të Asamblesë, e më pas presidenca e radhës së PABSEC-ut do t’i dorëzohet Asamblesë Kombëtare të Republikës së Armenisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›