Rama: I fitojmë zgjedhjet edhe pa gjysmën e Saliut
Kryetari i PS-së mbledh të zgjedhurit e rinj në Asamble dhe u kërkon të shmangin mosmarrëveshjet. Replikon me zërat në rritje për afrimin me LSI-në, duke thënë se nuk duhet shkuar në zgjedhje me iluzionin se do të bashkohen me “gjysmën e Saliut”. “Para se të kërkohet bashkëpunimi me Ilirin, është e nevojshme që ne të bashkohemi mes vetit”
Fitorja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është një qëllim i arritshëm edhe vetëm nëse socialistët angazhohen tërësisht për të përçuar te çdo shqiptar alternativën e Partisë Socialiste, pa qenë e nevojshme që shpresat të varen tek aleancat e mundshme. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit të parë që ka zhvilluar me një pjesë të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të dalë nga procesi i votimit në Kongresin e fundit, ku ndërmjet të tjerave ka theksuar se e majta do t’i fitojë zgjedhjet, se i ka votat edhe “pa gjysmën e Saliut”. Ndërkohë që Rama ka kërkuar nga anëtarët e rinj të Asamblesë që të angazhohen plotësisht në një proces organizativ, duke bashkëpunuar me deputetët dhe të zgjedhurit vendorë, në mënyrë që të rritet kohezioni i veprimit politik dhe elektoral të Partisë Socialiste. Ai ka ftuar anëtarët e rinj që të japin nga një emër për anëtarët e rinj të kryesisë, që do të zgjidhet brenda muajit dhjetor.
Takimi
Kryesocialisti Edi Rama dhe Sekretari i Organizimit, Blendi Klosi, mblodhën dje përreth dy orë anëtarët e sapozgjedhur të Asamblesë Kombëtare nga Kongresi i 5 nëntorit. Zyra e shtypit të PS-së ka bërë të ditur dje me anë të një njoftimi se fillimisht kryetari Rama i uroi të pranishmit për zgjedhjen dhe u bëri një panoramë të situatës politike e ekonomike të vendit, duke u kërkuar angazhim të plotë për një mënyrë të re të vepruari të këtij forumi të lartë vendimmarrës të PS-së. Madje, zyra e shtypit bën të ditur se Rama tha në fjalën e tij se “Asambleja e shkuar nuk ishte gjithnjë në lartësinë e detyrës dhe veçanërisht mbulimi i territorit që është një nga funksionet kryesore të asamblesë si forum drejtues i partisë la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, duke e lënë tërë barrën mbi deputetët”. Mësohet se Rama ka replikuar në mënyrë indirekte dhe me ata zëra që kanë folur për një afrim të mundshëm me LSI-në, ka theksuar se fitorja është e mundur edhe pa i varur shpresat tek aleancat. “Ne votat i kemi, tani na duhet të që angazhohemi që t’i kthejmë ato në fitore. Fitorja jonë jo me iluzionin se do marrim gjysmën e Saliut” Kjo, sipas tij, është e arritshme në rast se të gjithë socialistët nga qendra në bazë do të bëjnë të mundur që nëpërmjet ngritjes së problemeve, ndërgjegjësimit të shqiptarëve, prezantimit të alternativës që ofron programi i ri, dhe natyrshëm ruajtjes së votës, të cilat do mund të rrisin ndjeshëm numrin e atyre që marrin pjesë në zgjedhje dhe që votojnë për opozitën. Në funksion të këtij qëllimi, ai ka bërë thirrje për një solidaritet më të madh mes socialistëve, për shmangur mosmarrëveshjet dhe debatet joproduktive brenda vetë socialistëve. “Para se të kërkohet bashkëpunimi me Ilirin, është e nevojshme që ne të bashkohemi mes vetit”, - mësohet të jetë shprehur kryesocialisti. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Asambleja Kombëtare që tani e tutje do të funksionojë ndryshe nga më parë, ku secili anëtar i saj do të ketë të ngarkuar për të administruar dhe për të ndjekur proceset elektorale në një zonë të veçantë, kryesisht atje ku jeton ose në vendlindjen e tij. Për këtë qëllim Rama mësohet se ka theksuar se është e nevojshme që së pari të ketë një bashkëpunim për administrimin e punëve politike dhe organizative të partisë në bazë me deputetët e zonave dhe drejtuesit e pushtetit vendor dhe marrëdhëniet me ta të mos shihen si një rivalitet. Kështu, mësohet se Rama u ka thënë të pranishmëve në këtë takim se ata do të jenë tani e tutje përgjegjës politikë për zonën e tyre të administrimit.
Kryesia
Më pas e morën fjalën shumë diskutantë, të rizgjedhur apo zgjedhur rishtas në asamble, si Ilir Zela, Natasha Paço, Ndriçim Hysa, të cilët shprehën gatishmërinë për të ndërtuar një forum me frymëmarrje të gjerë, angazhim të plotë dhe solidaritet e kohezion të lartë. Në fund kryetari i Partisë Socialiste kërkoi nga anëtarët e sapozgjedhur në Asamblesë Kombëtare t'i dërgojnë drejtpërdrejt propozimet e tyre të mundshme për kryesinë e re të partisë, e cila do të zgjidhet në dhjetor. Kreu socialist ka porositur të zgjedhurit e rinj që të paraqesin secili nga një emër për anëtar kryesie.