Berisha: Kriza është vetëm tek ëndrrat skizofrenike të opozitës, jo tek ekonomia shqiptare
Kryeministri Berisha u shpreh se suksesin e investimeve të tilla e garantojnë edhe politikat fiskale dhe reformat e thella ekonomike që ka ndërmarrë dhe ndërmerr qeveria shqiptare
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e inaugurimit të qendrës tregtare dhe argëtuese “City Park”. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti investitorët, të cilët me guximin, kurajën, mendjen dhe investimin bënë të mundur ndërtimin e një qendre të tillë tregtare dhe argëtuese, një nga investimet më të mëdha në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë të rajon. Kryeministri u shpreh se suksesin e investimeve të tilla e garantojnë edhe politikat fiskale dhe reformat e thella ekonomike që ka ndërmarrë dhe ndërmerr qeveria shqiptare. “City Park”, - u shpreh Kryeministri, - është dëshmi e suksesit të kësaj ekonomie, dëshmi e suksesit të këtyre reformave.
Më pas, Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj qendre dhe u përshëndet me njerëz të shumtë, të pranishëm në këtë ceremoni.
Ja edhe fjala e plotë përshëndetëse e Kryeministrit Berisha
“Zotërnj ministra, Shkëlqesi ambasadorë, Të nderuar deputetë, Të nderuar qeveritarë vendorë, Zoti Mene, Zoti Ponari, Të nderuar aksionerë, pjesëmarrës të ‘City Park”, Zoti drejtor i Tirana Bank,
Të dashur qytetare dhe qytetarë,
Sot inaugurohet qendra më e madhe tregtare dhe argëtuese për vendin, si dhe ndër më të mëdhatë në rajon, “City Park”. Më këtë rast dëshiroj t’u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë atyre që me guximin, kurajën , mendjen dhe investimin bënë të mundur këtë dhuratë të mrekullueshme në prag të Vitit të Ri për kryeqytetin e vendit dhe mbarë Shqipërinë. “City Park” përbën qendrën tregtare dhe argëtuese më të madhe, më të bukur dhe më prestigjioze. Ajo sjell tek qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë galeritë më prestigjioze të Evropës, sjell dhe konceptin më të mirë dhe më të bukur të këtyre qendrave në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, qendra në të cilat tregtohet, por dëfrejnë të gjitha moshat, nga fëmijët deri tek të moshuarit. “City Park” do të shndërrohet së shpejti në një nga polet e rëndësishme të zhvillimit të kryeqytetit dhe përbën përpjekje madhorë për një qendër të re të madhe, për decentralizim të vërtetë dhe modern të kryeqytetit. Ky është një investim madhor prej 80 milionë eurosh. City Park punëson sot rreth 2000 punonjës dhe ka një projekt në të cilin synon që të arrijë në 210 milionë euro, të kompletohet me një zonë të bukur rezidenciale, me një hotel modern, me një ekspozitë permanente të veçuar si ndër më të mirat. “City Park” është një qendër e vërtetë olimpike me pishinat, me pistat e patinazhit dhe të gjitha lehtësirat e tjera që u krijon klientëve sportdashës.
“City Park” inaugurohet në prag të festave të mëdha dhe në këtë kontekst dua të theksoj se kjo është kartolina më e bukur që AM Group i’u dërgon shqiptarëve. Dua të falënderoj Tirana Bank për financimin e rëndësishëm të këtij projekti të mrekullueshëm, por dua të theksoj se janë politikat fiskale dhe reformat e thella ekonomike që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe ndërmerr, të cilat garantojnë suksesin e vërtetë të investimeve të tilla. Ekonomia shqiptare qëndron në këto vite të një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Evropën dhe botën. Ajo qëndroi jo se ishte e izoluar, jo se ishte e centralizuar, por qëndroi sepse ishte e mbështetur në parimet më të shëndosha për tregun: me taksa të ulëta, investime të mëdha, administratë të vogël. “City Park” është dëshmi e suksesit të kësaj ekonomie, dëshmi e suksesit të këtyre reformave.
Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë të vizitojnë “City Park”. Ftoj edhe ndonjërin që ëndrrat e natës i merr për realitetin e ditës të vijë këtu, të pijë ndonjë kafe dhe të shohë që kriza është thjesht një ëndërr e keqe nate, sepse ditën Shqipëria vetëm zhvillohet, inauguron qendra të tilla të fuqishme, thith investime të huaja. Këtë vit, më shumë se kurrë në historinë e saj, priti 36 për qind më shumë turistë. Këtë vit ishte 1-shi i botës për rritjen në përqindje të turizmit. Të gjitha këto sintetizohen më mirë në këtë kompleks të mrekullueshëm, në këtë qendër të mrekullueshme, e cila shpreh dinamizmin e ekonomisë shqiptare, mençurinë dhe vendosmërinë, guximin e AM Group, Tirana Bank dhe të gjithë aksionerëve të tjerë....