E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Ahmeti rizgjidhet kryetar i BDI-së

SHKUP-Zgjedhjet për kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim në Kongresin e II-të, ashtu siç edhe pritej rimandatuan dhe njeherë kryetar, Ali Ahmetin, i cili ishte edhe kandidati i vetëm në këto zgjedhje ku morën pjesë 690 delegatë. Rikonfirmimi i zotit Ahmeti për herë të dytë në krye të BDI-së nuk përbente surprize në këtë proces votimi. Kryetari i sapozgjedhur BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij pasi që u dëshiroi mirëseardhje të gjithë delegatëve dhe mysafirëve të pranishëm tha se ky Kongres mbahet në kohën e zhvillimeve me rëndësi historike për Maqedoninë dhe rajonin. "Po bëhen hapa serioze drejt integrimit, për të cilën partia jonë ka dhënë kontribut të çmuar, në këto shtatë vite kemi qenë bashkë në çdo rrethanë. Pikërisht kjo forcë e na ka bërë që këtyre shtatë viteve të jemi më të fortë më të mëdhenj dhe ta ndërtojmë bashkarisht familjen e madhe të quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim", tha lideri i BDI-së. Ai megjithatë ka pranuar faktin se shqiptarët në Maqedoni janë mjaft të diskriminuar pasi kreu shtetëror nuk udhëhiqet nga asnj shqiptarë. “Si ta ndërtojmë lojalitetin kur në 12 pozicionet kryesore udhëheqëse në shtet nuk ka asnjë shqiptarë. As presidenti, as kryeministri, kryetari i Parlamentit, ministri i punëve të jashtme, i punëve të brendshme… etj, asnjë nga udhëheqësit e këtyre institucioneve nuk janë shqiptarë ose nga komunitetet tjetra”, theksoi Ahmeti. Ndërkaq lidhur me çështjen e emrit, që po pengon integrimin e vendit, Ahmeti tha se zgjidhja duhet gjetur përmes bisedimeve. "çështja e emrit është komplekse, por e zgjidhshme, kjo mund dhe duhet të arrihet me anë të bisedimeve dhe dialogut të drejtpërdrejtë, zgjidhja duhet gjetur për faktin se kjo është pengesa e fundit për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Vlerësojmë se në periudhën e fundit janë bërë hapa pozitivë, veçanërisht në kontakte të drejtpërdrejta të kryeministrave të Bruksel dhe Prespë", bëri të ditur lideri i BDI-së. Sot gjithashtu pritet të zgjidhet edhe Këshilli i përgjithshëm, i cili numëron 75 anëtarë. (d.b/INA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›