Tipare të propagandës majtiste - Dy shkallë matjeje të ndryshme
Na duhet të vëmë në dukje, paraprakisht, se e kemi fjalën për propagandën e majtizmit tonë të skajshëm i cili, në ndryshim nga e majta euroatlantike, është qartësisht i indoktrinuar. Mjafton të sjellim një argument, pa qenë e nevojshme të shtyhemi në prova të tjera. Në cilin vend të Europës, - sa për të dhënë një shembull, - festohet për diktaturën: për çausheskun a për Jelenën, në Rumani, ose për Hitlerin në Gjermani?Për totalitarizmin nazist, mund të evidentojmë sërish rastin e një aktori me moshë mbi nëntëdhjetëvjeçare, tepër i çmuar për talentin e tij si aktor. Quhet Johanes Esli. Dikur, pati imprudencën që të vlerësonte në një intervistë disa nga akuarelet e Adolf Hitlerit, që i ishin dukur interesante. Mjaftoi kjo, që të gjendej, së pari, para kundërveprimit të së shoqes. Por ishte pak. U shmang edhe nga kërkesat për veprimtarinë artistike si personalitet i skenës, në recitimet, në dhëniet e mendimeve për veprat teatrore, e të tjera. E kuptoi që opinioni poublik nuk ia kishte gëlltitur dot atë që ai, me naivitet, kishte shprehur si një elozh për Hitlerin. Pra, kishte rëshqitur në dërrasë të kalbur. Tinimë ishte bërë i paftuar në aktivitetet artistike. Por me një mea culpa të sinqertë, në njërin ndër këto aktivitete, ku kishte vajtur i paftuar, doli në podium dhe tha, me lot në sy, se e ndjente që, pa dashur, kishte folur pa u thelluar për një person që ishte i mallkuar nga populli gjerman. Auditori e mirëkuptoi Eslin dhe e shpërbleu prapë me duartrokitje, duke i kërkuar, madje, edhe një recitim.Në vendin tonë është shkelur me këmbë nga e majta jonë vendimi i AP-së së KE-së. Sidomos në Pezë, në 16 shtatorët e ovacioneve për E. Hoxhën, ndonëse diktatori për Konferencën e Pezës kishte një rol më pak se dytësor: të papërfillshëm. E. Rama ishte promovues.Në vendin tonë të indoktrinuar, për më tepër se nuk ndodhi ajo frymëmarrje e përgjithshme e destalinizimit, Nexhmije Hoxha, Zonja e Zezë, vijon propagandën e saj fare lirshëm për ekzaltimin e figurës se bashkëshortit të saj, qoftë edhe pas rrëzimit të diktaturës, në një mori organesh të shtypit dhe të medieve me frymëzim të majtë. Por nuk jep asnjë përgjigje për atë ngjarjen skandaloze kur Enveri i kishte propozuar Titos detyrën që të ishte sekretari i parë i PK.- së shqiptare, nënshtrim i cili kishte tejkaluar së tepërmi qëndrimin e Kuislingut ndaj forcave gjermane të okupacionit.çështja Pango, e ngritur si një kazusDhe tani kalojmë nga hyrja, në temën kryesore. Këto ditë përballë gazetarit Blendi Fevziu, Ylli ishte fitues, apo i mundur? Sigurisht fitimtar. Jo vetëm sepse kishte një atú në dorë, domethënë një kartë fituese, një përparësi, konkretisht: një vendim gjyqësor në favor të tij. Por edhe se pati rastin ta sqaronte me elokuencë, me gojëtari të të shprehurit dhe me logjikë të ftohtë çështjen e montuar kundër tij. Në alternativën nëse ishte dëmtuesi apo viktima, ai provoi këtë të dytën. Ai heshti, u tregua i durueshëm, përballoi një mori mësymjesh e përbaltjesh nga më ordineret, gjatë gjithë kohës që stoikisht, do të thoshim, pësoi humbjen e ofiqit të ministrit të Kulturës, Sporteve dhe Turizmit. Ndonëse turizmi, në kohën e drejtimit të tij, pati një ngritje të ndjeshme. Kuptohet se në atë uragan shigjetimesh me një egërsi të pazakontë, dr. Berisha veproi me një maturi dhe me një pjekuri politike për të përmbyllur me efikacitet një skandal, sido që të stisur, në përgjegjshmërinë e kreut të ekzekutivit, që u vu në qendër të shenjestrës. Por ai pati kurajën, gjithashtu, që të thoshte disa të vërteta që do t’i vërtetonte koha. Dhe këtë taktikë ndoqi edhe vetë viktima e kësaj montature, i provokuari në vetë të parë, Ylli Pango. Dhe ja, erdhi një çast, që akuzuesit dolën të akuzuar, provokatori i imagjinuar doli viktimë dhe vetë çështja u shndërrua në një bumerang, që përfundoi si çështja e famshme Drejfys, paudhësitë e së cilës i nxori në dritë të diellit Emil Zolai (“L’Affaire Draifus”).Gjykata i dha të drejtë Ylli Pangos në katër pika thelbësore juridike, në të cilat paditësi kërkoi drejtësi ligjore. Ajo vajza, që i vajti në shtëpi, u detyrua të bënte rolin e një provokatoreje. A mund të mos e bënte? Ajo nuk ishte nismëtare për një veprim të tillë. Qé e ngarkuar. Përgjegjësia kryesore nuk bie mbi atë, por mbi ata që e ngarkuan. I provokuari fitoi edhe një dëmshpërblim, që kishte kuptimin e një simboli, përkundrejt dëmit shpirteror, moralit, prestigjit dhe humbjes së një pune të merituar, së cilës i ishte përkushtuar me sukses. Njerëzit objektivë në vendin tonë dhe specialistët ndërkombëtarë e kishin vlerësuar lart veprimtarinë e progresit turistik në Shqipëri dhe punën e ministrit përkatës në këtë sektor. Vetëm nihilistët tanë varnin buzët përkundrejt sukseseve të materializuara në shifra. Por nihilizmi në PS-në e Ramës, ishte bërë një profesion më vete. Ky ishte edhe një tregues se opozita jonë ishte nxitur që t’i kundërvihej edhe faktorit ndërkombëtar, për hir të interesave të një njeriu dhe të atyre që e telekomandonin.Krahasimi me moralin e një personi të pambrojtshëmE, megjithatë, ky njeri u programua që të mbrohej me çdo kusht. Me pak fjalë, veproi në një mënyrë çnjerëzore, ndaj një artisteje të re dhe me talent të spikatur. Kjo vajzë që ishte bërë e njohur dhe e admiruar në artin dramatik, u shpërfytyrua nga një zgjedhje e gabuar, për bashkëshortin e saj. Akuzat e të shoqit u bënë të përbindshme, gjer në incest brenda familjes. Fëmija që lindi nga kjo martesë, nuk u njoh nga i ati, i cili nuk deshi të paguante as detyrimet që lindnin nga vendimi i gjykatës. Vajza e ndjeshme hoqi dorë nga arti. Mori edhe udhën e vështirë të emigracionit, sepse e ndjeu veten të turpëruar, nga akuzat e çmendura të një njeriu të pandërgjegjshëm dhe të çekuilibnruar. Shokët e punës në institucionin artistik e konsideronin atë vajzë si model të karakterit dhe si të jashtëzakonshme në talëntin e aktores. Por kjo e quajti veten të tepërt në vendin e saj. Prindët e ndoqën pas në Golgotën e saj. Dhe vetëm pas nëntë vjet larg atdheut, u kthye me prindët në vendin e saj. Ndërkaq bashkëshorti i divorcuar, e kërkonte që të rrinin së bashku për një periudhë në Paris. Ajo, natyrisht, nuk pranoi.Të gjitha këto i nxori në gazetën e vet një gazetar, bashkë me dokumentet e procesit gjyqësor të divorcit. Tani ky person që bëri të njohur për publikun fatkeqësinë e vajzës, është bërë bashkëpunëtor në politikë me ish-bashkëshortin e kësaj vajze që humbi profesionin dhe qetësinë shpirtërore. Madje as një shtëpi nuk i dha i shoqi, që njihet si ndër përfituesit më të mëdhenj të ndërtimeve në Tiranë.E majta shqiptare u zu në lak. I doli në mbrojtje kryetarit mandatprerë të PS-së, autorit të kësaj fatkeqësie, me të drejtën e privatësisë. A ka vlerë kjo “e drejtë” përkundrejt rrënimit të të gjithë jetës së një vajze, në kulmin e karrierës së saj, dinjiteti i së cilës u rrënua nga meskinitetet e bashkëshortit? Personat publikë nuk e patën këtë të drejtë, siç nuk e patën B. Klintoni, Miëtërani e shumë të tjerë. Por në rastin tonë, iu nxi jeta një vajze të pafajshme, ndërsa Monika Levinski vinte e jepte intervista nga Amerika në Europë, për të zbardhur yneret e saj me personin e lartë, intervista që paguheshin me monedha ari!Krahasimet janë të pamundshme. Ata që flasin për privacy, nuk e përfillën asfare këtë term në rastin kur i provokuari, megjithatë, nuk ra në grackën e provokueses. As që deshën t’ia dinë për privatësinë. Por, ama, në këtë rastin vërtet të dhimbshëm të fatit të aktores, kërkohet të mos flitet për një gjë që mund të hyjë edhe në nenet e kodit penal! Dhe kjo, në emër të… “respektit” për privatësinë!Ja, si është katandisur propaganda e pamoralshme në vendin tonë!...