E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kriza politike nuk rrezikon investimet e huaja

TIRANE- Kryeministri Berisha kërkon të garantojë investitorët se ngërci politik në të cilën ndodhet vendi për hapjen apo jo të kutive të zgjedhjeve nuk do të ndikojë në mbështetjen që qeveria do ti japë të gjithë investitorëve që kanë investuar apo duan të investojnë në Shqipëri.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretaren franceze te shtetit, Anne-Marie Idrac e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë kryeministri Berisha deklaroi bindshëm se ngërci politik është problem i vecantë i cili nuk ndikon aspak në zhvillimin e Shqipërisë nëpërmjet investimeve.

“Investitorët duhet të jenë të sigurtë që kanë mbështetjen e plotë të qeverisë. Nuk duhet konfonduar një problem specifik sic është kutia, me problemin e rëndësisë së vecantë që është investimi.”- deklaroi sot paradite kryeministri Berisha.

“Opozita mund të ketë objeksion për problemin e zgjedhjeve, të cilat kanë një certifikim ndërkombëtar dhe kombëtar, por opozita nuk është dhe nuk mund të jetë kundër investimeve të huaja në Shqipëri. Nuk e di që mund të ketë një sëmundje ksenofobie, nuk është shfaqur gjer sot një sëmundje e tillë”- vazhdoi më tej Berisha.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›