E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, vrasja e shqiptarit, hetohet pista e hakmarrjes

SIENA- Hakmarrje ndaj një vrasjeje të ndodhur 10 vite më parë në Shqipëri. Kjo është hipoteza që një mik i Lorenc Lames, i cili u ekzekutua të dielën në mbrëmje afër banesës së tij afër Sienës, ka dhënë për policinë.

Viktima banonte me të vëllanë dhe të fejuarën e tij. Sipas dëshmitarit ka qenë i vëllai i Lorencit objektivi i vrasjes, pasi ky i fundit ka kryer një vrasje 10 vite më parë.

Pas disa vitesh burg, ai kishte fituar lirinë, dhe ishte transferuar në Itali. Karabinierët italianë të cilët kanë nisur hetimin për vrasjen nuk kanë përjashtuar as pista të tjera hetimi.

Policia ka marrë në pyetje 20 persona, mes tyre komshijtë dhe miq të viktimës, ndërsa është ushtruar kontroll në makinën dhe në banesën e viktimës ku dhe janë sekuestruar disa prova. Lorenc Lame jetonte në Itali me dokumente të rregullta.

Ekzekutorët të hipur në një makinë tip Pezho 508 kanë pritur viktimën afër banesës së tij. Në momentin kur 27 vjecari ka qenë duke parkuar makinën, ekzekutorët kanë dalë nga mjeti i tyre dhe e kanë qëlluar me pistoletë disa herë. I riu, i cili kishte marrë plagë në kokë dhe në gjoks ka gjetur vdekjen në spital.

Dëshmitarët kanë parë makinën të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia gjeti mjetin të djegur, pak orë pas vrasjes afër varrezave të qytetit.
(s.g/ANSA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›