Berisha: Kur mora vesh që Rama ishte me Italinë, e dija rezultatin e ndeshjes

“Euro2012”, kryeministri Berisha ironizon rivalin e tij politik, Edi Rama
Kryeministri Berisha drejtoi dje mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku hapësirë iu dha ndeshjes së mbrëmshme mes Spanjës dhe Italisë, për trofeun e Euro2012. Berisha tha se për të, ishte ndeshja më e bukur që kishte parë ndonjëherë. “Para se të kaloj në probleme thelbësore, nuk mund të mos them 2 fjalë për ndeshjen e mbrëmshme, e cila ishte një eveniment botëror për futbollin. Ishte botëror sepse përballeshin mbrojtja më e mirë me sulmin më të mirë. Ajo që më bëri përshtypje ishte se aty ku rrija unë në tavolinë, dy të krahut të djathtë dhe dy të krahut më majtë ishin me Italinë. Vetëm Fabiani ishte me Spanjën. Ajo lojë, për mua, që nuk shoh shumë ndeshje, ishte më e bukura që kam parë në jetën time. Më riktheu momente nga Hollanda e viteve 70, aty kishte një gërshetim të momenteve më kulminante të futbollit evropian dhe atij botëror. Gjatë ndeshjes, vëzhgoja miqtë e mi, me të cilët po e shihja ndeshjen dhe çdo sulm i shkëlqyer i Spanjës, në fillim nuk përjetohej njëlloj. Ndihesha i vetmuar, kisha vetëm Fabianin, i cili sigurisht fluturonte nga gëzimi, Gerti i vetëpërmbajtur, ndërsa ata dy të tjerët sigurisht që ishin me Italinë”, theksoi kryeministri. Të rinjtë që po ndiqnin ndeshjen, tha ai, u bënë të gjithë me Spanjën gjatë pjesës së dytë. Në vlerësimin e kreut të qeverisë nuk munguan as ironitë. Ai tha se kur mori vesh që Rama ishte me Italinë, e kuptoi se cili do ishte rezultati i ndeshjes pa nisur... “Në pjesën e dytë u bënë të gjithë me Spanjën, jo se e tradhtuan Italinë, por nuk i rezistuan dot lojës së papërsëritshme të ekipit spanjoll. Në fillim të ndeshjes, vjen mesazhi, direkt nga stafi i Edi Ramës, ‘Rama, thotë e deklaroi, është me Italinë’. Lëre, thash, e mora vesh rezultatin sapo e pashë. ‘Me kë je ti’, më thanë. ‘Unë e kam të zgjidhur, thashë, jam me atë që fiton’. Fabiani u thotë shokëve dhe shoqeve që ishin aty, ‘Winner take it all’. I mori Spanja të gjithë evropianët dhe botërorët. Kurorë futbolli si kjo, kohërat nuk mbajnë mend”, u shpreh më tej kryeministri Berisha.
...