E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit është shumë i domosdoshëm

03-07-2012 / Gazeta 55

Komiteti i Planifikimit të Strategjive diskuton destinacionet kryesore të shpërndarjes së fondit të KE-së prej 86.4 milionë euro
 
“Një ndër prioritetet më të rëndësishme të qeverisë është dhe mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Por ndërkohë që investimet në infrastrukturën rrugore janë gjithashtu primare për qeverisjen aktuale”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Planifikimin e Strategjive Kombëtare.
Kreu i qeverisë u ndal pikërisht në fondin prej 86.4 milion euro të akorduara nga KE për vitin 2013, që janë parashikuar që të kenë si destinacion fushën e drejtësisë, ku një çështje shumë e rëndësishme ka të bëjë me funksionimin e Gjykatës Administrative, Agjencisë së Falimentimit, probleme të lidhura me pronën, forcimin e kapaciteteve për hetimin penal, bashkëpunimin e policisë gjyqësore dhe prokurorëve, luftën kundër korrupsionit, parandalimit të pastrimit të parave etj.
“Natyrisht, një ndër destinacionet e rëndësishme është mbrojtja e zhvillimit të mjedisit për të cilat qeveria ka angazhimin më të madh. Mbrojtja e zhvillim i mjedisit përbën një prioritet absolut të qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst monitorimi i mbrojtjes së mjedisit, eficenca e masave për mbrojtjen e tij, janë të një rëndësie parësore. Qeveria duhet të bëjë gjithçka për të mbrojtur më tej mjedisin”, vuri në dukje Berisha.
Gjithashtu, sipas tij, dhe investimet rrugore janë të një rëndësie të veçantë.
“Qeveria nuk mund të mos investojë për ndërtimin e rrugës së Elbasanit, sepse kjo përbën një domosdoshmëri të madhe, për faktin se Farka, e cila pak vite më parë ishte një zonë shumë modeste në popullatë, sot po shndërrohet, dora - dorës, në një nga qytetet e mëdha të vendit. Natyrisht, është e dhimbshme prerja e atyre pemëve atje, por rruga duhet zgjeruar. Jam i bindur se ata qytetarë të cilët e kanë të domosdoshme rrugën e gjerë, të përshtatshme për të ardhur në qendër të Tiranës, do të votonin, jo një herë, por shumë herë, për zgjerimin e rrugës. Natyrisht, ato pemë duhet të zëvendësohet 1 nga 1 dhe bashkia po mbjell dyfishin e tyre. Sikundër, zoti ministër Olldashi, për ato pemë që akoma nuk janë prerë, të ndihmohen organizatat mjedisore në marrjen e tyre dhe transplantimin në një vend tjetër. Kjo është shumë pozitive, ndaj ne mund t’i ndihmojmë, apo të paguajmë diçka më tepër, për t’i transportuar këto pemë së bashku me dheun dhe rrënjët, në mënyrë që të transplantohen në një vend tjetër. Por rruga do të zgjerohet, sepse qytetarët e të gjitha atyre zonave nuk mund t’i dënosh e t’i lësh pa rrugë. Ajo zonë është një lagje banimi tashmë”, u shpreh Berisha, duke kundërshtuar zërat të cilët janë kundër zgjerim it të saj rruge.
Njëkohësisht, duke u ndalur në projektet e zhvillimit, kreu i qeverisë bëri me dije se Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, ka orientuar fonde në drejtim të mjedisit, landfill-deve, kanalizimeve në disa qytete.
Po kështu Ministria e Punës mendon të rrisë transparencën në të gjithë problemet e lidhura më ndihmën sociale dhe ekonomike.
“INSTAT-i nëpërmjet këtyre fondeve kërkon të realizojë standardet e EUROSTAT dhe e përgëzoj këtë institucion për vlerësimet pozitive që morri në Bruksel, sikundër shumë shpejt do vijnë në qeveri e do kalojnë në Parlament ndryshimet e sugjeruara nga EUROSTAT për konsolidimin e pavarësisë së këtij institucioni”, nënvizoi Berisha.
Gjithashtu, sipas kreut të ekzekutivit bujqësia do të jetë një fushë jashtëzakonisht prioritarë për qeverinë, pasi do ketë investime në disa drejtime.

Destinacionet e rëndësishme ku do të investohet fondi prej 86.4 milionë euro për vitin 2013

- Fusha e drejtësisë, në çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e Gjykatës Administrative, Agjencisë së Falimentimit, probleme të lidhura me pronën, forcimin e kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen penale, bashkëpunimi ndërmjet policisë gjyqësore dhe prokurorëve, luftën kundër korrupsionit, parandalimit të pastrimit të parave dhe një seri aktivitetesh të tjera.
- Mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit, për të cilën qeveria ka angazhimin më të madh.
- Investime në ujësjellësa, kanalizime të ujërave të zeza në disa qytete.
- Investimi për ndërtimin e rrugës së Elbasanit.
- Mbështetje për çështje që lidhen me ndihmën sociale dhe ekonomike.
- Investime në doganat e tatimet e vendit, për forcimin e veprimtarisë së tyre dhe rritjen e transparencës.
- Mbështetje për Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të rritur efiçencën dhe transparencën e veprimtarisë së tij.
- Mbështetje e veçantë për Shkollën e Administratës Publike që shumë shpejt do të fillojë veprimtarinë e saj.
- Mbështetje për Inspektoratin Qendror, në mënyrë që të dixhitalizohet dhe konsolidohet sa më shpejtë dhe sa më mirë.
- Mbështetje në disa drejtime në fushën e bujqësisë, si një fushë jashtëzakonisht prioritare për qeverinë, veçanërisht në drejtim të përmirësimit racor të lopëve, deleve dhe dhive, ngritjen e land-fill-eve, etj.
- Mbështetje për ndërhyrje të tjera në lumin Mat, në mënyrë që ky lumë të nxirret tërësisht jashtë rreziqeve të përmbytjes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›