E Diel, 1 Nëntor 2026

Omonia nis vetëregjistrimin, formular greqisht për minoritetin. Bollano: Censusi dështoi

Share

Organizata Omonia ka deklaruar se do të realizojë regjistrimin e saj për vetëm komunitetin grek në Shqipëri, pasi nuk njeh rezultatet e censusit të vitit 2011 për minoritetet, edhe pse këto rezultate ende nuk janë bërë publike nga INSTAT.

Këshilli i Përgjithshëm i kësaj organizate, i mbledhur të shtunën në Sarandë ka marrë vendimin për këtë regjistrim duke miratuar edhe një draftformular që do të përdoret. Dokumenti i siguruar nga Top Channel do t’i shpërndahet gjithë minoritareve dhe regjistrimi do të nisë në 23 korrik e do të përfundojë për Krishtlindje.

Kryetari i kësaj organizate, Vasil Bollano në një intervistë telefonike tregon arsyen e këtij veprimi.

Edhe në vitin 2001 pati konsekuenca me mënyrën e përgatitjes dhe është i njohur tashmë qëndrimi ynë. Edhe në vitin 2011 nuk u bë e mundur që të kemi një proces, i cili do të zgjidhë problemet dhe kur themi do të zgjidhë problemet, nënkuptojmë që të jetë një proces i besueshëm, por nga ana ligjore se si ndërtohet ky proces, por edhe nga ana praktike, se si realizohet, tha Bollano.

Bollano thotë se të njëjtin qëndrim kanë edhe minoritetet e tjera etnike dhe linguistike, por edhe komunitetet fetare, që nuk e kanë pranuar censusin. Ai shton se edhe relacioni i Këshillit të Europës e cilëson procesin të dështuar dhe të pabësueshem. Bollano thotë se procesi dhe rezultatet janë të pabesueshme për Omonia-n.

Jo, nuk është e vërtetë që ne nuk njohim institucionet, por ne kritikuam dhe nuk mund të pajtohemi me mënyrën e realizuar të këtij procesi. Patjetër përpjekjet tona ishin me institucionet shqiptare, me organizmat ndërkombëtarë, që mbështesin ekonomikisht dhe për zhvillimin demokratik të vendit, por nga ana e institucioneve përkatëse nuk pati një reagim pozitiv, tha Bollano.

Baza ligjore për një regjistrim paralel për Bollanon është e drejta e Omonia-s, e cila është regjistruar ligjërisht në gjykatë.

Ky është një regjistrim, i cili nuk prek interesat e individit, por patjetër organizata e Omonia-s, për të regjistruar komunitetin e saj është një çështje që e ka në program dhe statut, që në themelimin e saj, tha Bollano.

Po sa i besueshëm është ky proces?

Është e drejta jonë si organizatë politike e njohur, që funksionon me nje program dhe statut të miratuar. Ne pritëm të realizohet një regjistrim popullsie në nivel kombëtar. Përderisa ishte e pamundur, shpresojmë në të ardhmen do të kryhet një proces i drejtë që do të zgjidhë problematikat, ne të ndodhur përpara këtij fakti realizojmë regjistrimin e anëtarëve të komunitetit tonë, tha Bollano.

Ky proces pritet të hapë polemika të shumta dhe të forta në vend.

Top Channel u interesua për një reagim zyrtar nga qeveria shqiptare, burime të së cilës deklaruan se të vetmet të dhëna zyrtare që qeveria dhe shteti shqiptar njeh janë ato të censusit të realizuar në vitin 2011. Për qeverinë shqiptare çdo regjistrim tjetër është thjesht formal, pasi në një vend demokratik çdo organizate apo individ është i lirë të realizojë çdolloj procesi verifikimi që e sheh të arsyeshëm, por që nuk njihen aspak si të dhëna zyrtare.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›