Berisha: Ky, viti më i rëndësishëm për energjetikën

Këshilli i Ministrave miraton Memorandumin e Mirëkuptimit me Malin e Zi dhe Kroacinë, për gazsjellësin TAP
Qeveria miratoi dje Memorandumin e Mirëkuptimit me qeverinë e Malit të Zi dhe Kroacisë, për mbështetjen dhe bashkëpunimin për realizimin e projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik dhe projektit të Gazsjellësit Adriatik Jonian. Kryeministri Berisha, duke prezantuar Memorandimin, e konsideroi firmosjen e këtij Memorandumi dëshmi e rritjes së leverdishmërisë së projektit TAP, krahasuar me projekte të tjera. “Destinacioni kryesor është Italia dhe Europa Perëndimore, natyrisht, Shqipëria e Greqia, sepse janë në trajektore, por në çdo eventualitet mundësie, hapet një treg i ri rajonal për këtë projekt, që përbën edhe projektin më të madh që ndërtohet në Shqipëri në fushën energjetike, krahas kaskadës së Devollit” - u shpreh kryeministri, ndërsa vlerësoi se ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për energjetikën shqiptare, ku po ecet paralel në dy drejtime, në drejtimin hidroenergjetik dhe termoenergjetik. “Ky është ndoshta viti më i madh në historinë energjetikës shqiptare. Po ecet paralel në dy drejtime, në drejtimin hidroenergjetik dhe termoenergjetik dhe ndër energjitë termo, gazi është më i leverdishmi për sigurinë në gatim, për ngrohje, se të gjitha materiet e tjera. Kështu që mbështetja publike për TAP, këtë projekt të madh, shkon gjithnjë e në rritje. Së shpejti do të mblidhet edhe Komiteti politik i krijuar nga tre vendet, Shqipëria, Italia dhe Greqi, për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë fushë, natyrisht, në pritje të vendimit të konsorciumit Shah Deniz, ku vend kryesor sigurisht është Azerbajxhani me sipërmarrjen e tij Socar, por po kaq i rëndësishëm është British Petrolium, Total dhe Statoil e Norvegjisë. Në Shqipëri vijnë dy gjigantët më të mëdhenj perëndimorë, kompani nga Norvegjia, vend i cili është ndër vendet më të para dhe kryeson botën në një mori të madhe treguesit dhe natyrisht bashkëpunimi me këtë vend ka interes shumë të veçantë”- tha kryeministri. Trajektorja e përcaktuar e gazsjellësit është Greqi-Shqipëri-Itali, por vendet veriore të Ballkanit kanë treguar e tregojnë interes të madh për këtë gazsjellës. Firmosja e këtij Memorandumi Mirëkuptimi, natyrisht me konsensusin e palëve të interesuara, është dëshmi e rritjes së mëtejshme të leverdishmërisë të këtij projekti, krahasuar me projekte të tjera. Këto janë vende që kanë marrëdhënie shumë të mira me Republikën e Azerbajxhanit dhe presin me interes të madh furnizimin me gaz, në momentin e mundshëm.