E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Ligjet e votuara impakt tek qytetaret

Kryeministri Sali Berisha, duke folur përpara deputetëve në seancën e fundit për këtë sezon, tha se ligjet që ata kanë miratuar, kanë ndikuar në rritjen ekonomike dhe reformat e gjithanshme.

“Ju, 2-3 muaj më parë votuat faljen, e cila nuk u shndërrua dot në amnisti, por ju shfrytëzuar hapësirat ligjore për t’i dhënë asaj përmasat më të gjera. Nuk u shndërrua në amnisti për shkak të një qëndrimi konstant politik të drejtuesve aktualë të opozitës shqiptare, të cilët besojnë jo te votimi, por te bllokimi dhe vetëm bllokimi, duke besuar se kështu i afrohen karrigeve të amshuara. Mbi 260 mijë familje kanë përfituar nga falja. Shqiptarët janë korrekte ndaj borxhit si i tillë, por padrejtësitë e mëdha dhe dallimet mes të ardhurave dhe çmimeve të tregut, bën që këto familje të bien në një borxh që nuk e përballonin dot. Ndaj dhe unë konsideroj faljen si një akt madhor në interes të 260 mijë familjeve shqiptare. Falja është dhunti e një shteti që funksionon, e një ligji që funksionon,” tha Berisha.

“Ju votoni sot një paketë të dytë, me një impakt direkt në portofolin e të ardhurat, punësimin e qytetarëve shqiptarë. Ju votoni sot heqjen e një takse të rëndë të automjeteve, nga e cila do përfitojnë qindra e mijëra shqiptarë. Mendoj se ky është një veprim jashtëzakonisht i drejtë,” tha Berisha

Kryeministri theksoi edhe heqjen e taksave për fasonët, duke vlerësuar se çmimet e rrobave janë shumë të rëndësishme për shqiptarët. “Çmimet e rrobave kushtojnë shumë. Ka nga ata që i sjellin me një xhet special. Ëndrrat me kostume 20 mijë dollarë u mbeten vetëm atyre që pasurohen duke fjetur. Ajo kategori njerëzish nuk bëjnë asgjë, por kontot bankare u fryhen çdo natë. Me këtë vendim bëni të mundur krijimin e mijëra vendeve të reja pune. Shqipëria në rrafshin ndërkombëtar po merr një peshë gjithnjë e më të madhe. Ky vendim është i domosdoshëm pasi qeveria vendosi dje të rrisë rrogën minimale në 220 dollarë, rritje kjo e domosdoshme për këta punëtorë me një punë relativisht të vështirë dhe ky është një hap tjetër shumë i rëndësishëm. Ne kemi dhe do kemi përparësi madhor rritjen e rrogave në këtë vend,” tha Berisha.

“Ne do bëjmë gjithçka për një rritje të pandërprerë të rrogave e pensioneve për shqiptarët. Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme të larta. Ndaj dhe ne duhet të ndjekim këtë politikë. Rroga mesatare në vitin 2000 ishte 119 dollarë, sipas PNUD. Sot është 530 dollarë. Ne faktikisht kemi dyfishuar rrogën minimale në raport me rrogën mesatare që ka ekzistuar dhjetë vjet më përpara. Kjo është meritë e reformave të mëdha që ju keni votuar gjatë këtyre viteve.”

Berisha tha se deputetët e mazhorancës votuan ndryshimet në buxhet, duke mundësuar rritjen e pagave dhe pensioneve, e duke shkurtuar shpenzimet e tjera të burokracisë shtetërore.

“Ju votoni sot për përgjysmimin e akcizës së birrës. Fakti është fakt. Pas ujit e qumështit, birra është më e përdorshmja. Ky është realiteti dhe po t’i shtojmë faktin që birra shqiptare qëndron në krye për shkak të kimisë së ujit dhe disa arsye të tjera, në kurorën e birrës botërore, ne ndërmorëm një veprim shumë të drejtë. Prodhuesit e birrës në Shqipëri nuk e kanë të lehtë konkurrencën me prodhuesit gjigant të birrës në botën gjermane, vendeve të ulëta, etj. Ne krijuam një mundësi se pavarësisht se kostot vijnë gjithmonë në rritje, duke ulur akcizën ne mbrojmë konsumatorin. Kjo është një mbështetje direkte për këta investitorë,” u shpreh kryeministri.

“Ju keni votuar në këto gjashtë muaj me dhjetëra e dhjetëra ligje, por u ndala tek ato ligje që kanë të bëjnë direkt me portofolin, me llogarinë, me xhepin e familjeve shqiptare.”

Berisha përmendi edhe reformën në çmimet e telefonisë dhe internetit. Ai premtoi se shumë shpejt çmimet e internetit dhe telefonisë do jenë shumë më të lira.

“Duhet t’ju falënderoj shumë për këto reforma që keni votuar, mbështetur dhe t’u garantoj se do bëjmë gjithçka që këtë sistem ta bëjmë gjithnjë e më shumë popullor,” tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›