Vendimi qeveritar/Berisha firmos për ligjërimin e shtëpive të 500 familjeve të strehuara në objekte shtetërore
Qeveria i jep një zgjidhje të fortë problemit të strehimit nëpërmjet vendimit për kalimin në fond banesash të një numri objektesh shtetërore industriale në zonën e kryeqytetit, në të cilat prej 20 vitesh janë të strehuara më shumë se 500 familje
Kryeministri Sali Berisha firmosi dje vendimin e Këshillit te Ministrave, të miratuar në mbledhjen e datës 24 prill 2013, për kalimin në fond banesash të një numri objektesh shtetërore industriale, përkatësisht në ish-Kombinatin e Autotraktorëve, Uzinën e Foder – Mek në Shkozë, ish-Kombinatin e Tekstileve të Pambukta si dhe ish-Uzinën Dinamo e Re, në Tiranë.
Me këtë vendim Këshilli i Ministrave i kalon këto objekte në pronësi dhe pa kundërshpërblim, pra falas, më shumë se 500 familjeve, të cilat janë strehuar në këto godina prej rreth 20 vitesh. Këto objekte e kanë humbur prej vitesh qëllimin ekonomik dhe publik që kanë pasur.
Familjet e strehuara në to, gjatë këtyre 20 viteve, i kanë përshtatur këto objekte në ambiente banimi dhe i paguajnë shtetit rregullisht detyrimet për shërbimet e energjisë, ujësjellës - kanalizimeve etj.
Me këtë vendim, Këshilli i Ministrave duke kaluar në pronësi të këtyre familjeve këto objekte, i jep zgjidhje një problemi të mprehtë social shume vjeçar për një numër mjaft të madh banorësh në rrethin e Tiranës, atë të strehimit të tyre.
Marrja e titullit të pronësisë u jep këtyre familjeve të qytetit të Tiranës zgjidhjen përfundimtare për përmbylljen e nevojës për strehim në mënyrë të ligjshme.
Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Entin e Banesave për trajtimin sa më shpejt të këtyre rasteve.