Berisha: Marrja e statusit të vendit kandidat, ngjarje historike për vendin. Opozita të bëhet serioze dhe të votojë reformat

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha e ka cilësuar si një ngjarje historike vendimin e Komisionit Europian për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Berisha theksoi se ky vendim është përpjekja e të gjithë shqiptarëve për të bërë Europën që mungonte. “Vendimi i djeshëm ishte kurorëzimi i një suksesi në sigurinë e jetës së shqiptarëve e cila kërcënohej në mënyrë të tmerrshme nga 200 e ca banda që u shpartalluan. Ky vendim vjen si kurorëzim i suksesit të reformave dhe të shqiptarëve në zbatimin e tyre me të cilat u ndërtua në këtë vend çdo ditë Europa që mungonte. Shpesh ka një konfondin në njerëzve mbi konceptin e Europës. Europa nuk është vetëm gjeografi, lashtësi apo trashëgimi, këto nuk mjaftojnë në Europën e sotme, por një tërësi vlerash që u ndërtuan pas luftës me një vizion gjenial të atyre që e themeluan dhe e shndërruan Europën në mrekullinë më të madhe”- u shpreh kryeministri Beisha. Kreu i qeverisë ka theksuar më tej se vendimi pozitiv i KE-së u bë i mundur falë investimeve dhe reformave të ndërmarra nga qeveria. “Ky status u dha sepse ekonomia në ndër më të falimentuar dëshmoi se në krizën më të rëndë të kohës qëndresë të madhe, dëshmoi që ekonominë që nuk bie në recesion dhe një model që në 4 vitet rriti investimet e huaja”- tha ai.
Pretendimet e PS, mocion votëbesimi për qarkun e Fierit
Kryeministri Berisha i është referuar edhe pretendimit të socialistëve për qarkun e Fierit duke theksuar se kjo çështje mund të zgjidhet fare lehtë, përmes një mocioni votëbesimi. “Ju ftoj të votoni tre ligjet, u them shqiptarëve këto ligje janë të treja në Kuvend, nuk janë votuar me qëllime bllokimi. Nëse ju do të bëheni seriozë me veten tuaj ka një parim themelor, zgjedhja e thjeshtë që nesër, me kusht të vetëm të pranoni një parim, se në këtë kuvend kurrë një kryeministër nuk mund të ketë se ky nesër po humbi, këtë shumicë nuk flet si kryeministër, kjo është identike për këshillin bashkiak, komunal, e qarkut dhe ai është si parlament. Nëse nuk duam ti fusim shkopinj rrotës, që nesër të shkojë në mocion, nuk duhet të keni frikë nga mocioni të dalin të votëbesuar të gjithë ata që do drejtojnë qarkun”- tha ai.
Bregu: Të miratojmë ligjet e mbetura deri në 20 nëntor
Ministrja e integrimit Majlinda Bregu i ka bërë thirrje opozitës të miratojë ligjet e kërkuara nga Komisioni Europian për integrimin e vendit. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, ministrja Bregu ka theksuar se duhet të përmbushen deri në 20 nëntor 3 kriteret e kërkuara nga KE-ja për integrimin e vendit. “Duhet të miratohen tre kriteret e kërkuara nga Komisioni Europian ku një është ligji për Gjykatën e Lartë, për nënpunësit civil dhe reformën parlamentare. Një detyrim është edhe Gjykata e Lartë që s`ka arsye të mos e votoni, një ligj që është certifikuar si nga më të mirët dhe të keni mundësi ta zgjidhni dilemën sot nëse duhet të votoni për të mbyllur këto reforma apo doni ta bllokoni për herë të tretë statusin. Shpresoj që ne të gëzojmë në 13 dhjetor. Ky është muaj vendimtar dhe përkon me detyrimet madhore që në dhjetor dhe ju të mos ndiheni të turpëruar por të keni një argument më shumë kur të filloni fushatën e 2013-ës”- tha Bregu.