E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Masa lehtësuese që biznesi të rritet me shpejtësi të madhe

19-11-2012 / Gazeta 55

Qeveria premton shumëfishimin e investimeve në qarkun e Tiranës
 
Kryeministri Sali Berisha ishte dje paradite, në komunën e Farkës, ku mori pjesë në përurimin e dy investimeve të rëndësishme, rikonstruksionin e digës së liqenit të Farkës dhe fillimin e projektit për mbjelljen e pemëve dekorative në parkun e këtij liqeni. Kryeministri vizitoi edhe panairin agro-ushqimor “Baçja e Tironës”, me produkte të fermerëve të komunave Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Bërzhitë.
 
Kryeministri Sali Berisha ishte dje paradite, në komunën e Farkës, ku mori pjesë në përurimin e dy investimeve të rëndësishme, rikonstruksionin e digës së liqenit të Farkës dhe fillimin e projektit për mbjelljen e pemëve dekorative në parkun e këtij liqeni. Kryeministri vizitoi edhe panairin agro-ushqimor “Baçja e Tironës”, me produkte të fermerëve të komunave Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Bërzhitë.
Me një fond financimi prej 36 milionë lekë të Ministrisë së Bujqësisë është realizuar rikonstruksioni total i digës, ndërtimi i veprave të artit, sistemimi ujërave, asfaltimi dhe betonimi i kurorës së digës. Rezervuari i liqenit të Farkës ka një kapacitet të projektuar 9.2 milionë m3, i parashikuar për të ujitur rreth 1900 hektarë tokë bujqësore, por edhe për furnizimin me ujë të pijshëm të një pjesë të zonës së Farkës. Me investimin e kryer rritet siguria dhe qëndrueshmëria e digës. Ndërsa me financim rreth 40 milionë lekë të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave do të bëhet mbjellja e pemëve dekorative, të llojeve të ndryshme, në parkun  liqenit të Farkës.
Duke i vlerësuar këto projekte, të rëndësishme për zhvillimin e kësaj zone, Kryeministri tha se Farka do të shndërrohet në një qendër e zhvillimit elitar në vend. Kryeministri veçoi ndër projektet më të rëndësishme zhvillimore të zonës, ndërtimin e plotë parkut të ri të liqenit të Farkës, i projektuar nga një studio austriake dhe i konceptuar si park zbavitës, me shëtitore, terrene sportive, fusha golfi e tenisi, lodra uji etj., me vlerë investimi prej 3.2 milionë euro. Kryeministri shprehu vlerësimet më pozitive për administrimin që autoritetet lokale i bëjnë kësaj komune, e cila realizon rreth 4 milionë euro të ardhura në vit, që shkojnë për investime në sektorë të ndryshëm. Kryeministri, ndërsa nënvizoi se gjatë këtyre viteve, qeveria ka subvencionuar në këtë komunë, 22 herë më shumë në dru frutorë, ullinj, sera, produkte blegtorale, garantoi fermerët se mbështetja për ta do të shumëfishohet.
Në takimin me komunitetin, Kryeministri Berisha bëri edhe një përmbledhje të investimeve në të gjithë sektorët, në qarkun e Tiranës, gjatë viteve të fundit dhe garantoi se në katër vitet e ardhshme, ato do të shumëfishohen dhe se qeveria do të bëjë gjithçka për krijimin e tregjeve më të mira, për uljen më tej të barrës fiskale, për mbrojtjen nga arbitrariteti burokratik të bizneseve.
“Nga viti 2007 e gjer më sot, ne kemi financuar 1500 projekte në drurë frutorë, shegë, vreshta e sera. Vetëm ullinj janë mbjellë rreth 1000 hektarë. Jam këtu për t’ju dhënë fjalën ju, qytetarëve të qarkut të Tiranës se, gjatë viteve që vijnë, investimet për ullirin, shegën fikun dhe drurët e tjerë frutorë do të katërfishohen. Garancia jonë për këtë janë 1000 hektarë ullinj të mbjellë në një kohë të shkurtër. Ne do të bëjmë gjithçka që shijen e jashtëzakonshme të ullirit të Tiranës ta njohë mbarë bota. Sot, numri i bizneseve në qarkun e Tiranës është 57 mijë, nga 28 mijë në fillim të vitit 2006. Ju garantoj se masa të reja lehtësuese, nxitëse e mbrojtëse për biznesin do të bëjnë që në vitet që vijnë, biznesi të rritet me shpejtësinë më të madhe. Ju garantojnë se do të bëjmë gjithçka për krijimin e tregjeve më të mira, për uljen më tej të barrës fiskale, për mbrojtjen nga arbitrariteti burokratik, të bizneseve të Tiranës dhe vendit”, u shpreh Berisha.
Duke ju uruar qytetarëve në takim, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Berisha tha se ky përvjetor është njëherësh, një apel i fuqishëm për t’u bashkuar e për të punuar së bashku në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe të së ardhmes së qytetarëve shqiptarë. “Edhe pak ditë na ndajnë nga festa e të gjitha festave, festa e shekullit, 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Për shqiptarët, këto 100 vite kanë qenë vitet më të vështira, se të çdo kombi tjetër në Evropë. 100 vjet më parë, shqiptarët përballeshin me alternativën e zhdukjes si nocion politik, me copëtimin përfundimtar të të gjitha trojeve etnike shqiptare, të të gjitha zonave ku banonin shqiptarë. Me përpjekje të jashtëzakonshme, shqiptarët do të shpallnin pavarësinë e tyre dhe do të bënin gjithçka, për të ndërtuar shtetin  tyre, do të përgënjeshtronin të gjitha akuzat e dyshimet se ky ishte një popull që nuk mund të ndërtonte shtet. Më pas, Shqipëria ishte shteti i parë në Evropë që u pushtua nga koalicioni nazifashist. Shqiptarët bënë një nga luftërat më të shkëlqyera të historisë së tyre. Vajza e djem, burra e gra rrokën armët e morën malet, për liri e dinjitet kombëtar. Ata luftuan së bashku me aleatët fitimtarë dhe dolën prej saj fitimtarë. Por, më pas, ata do të pësonin një fat, si të asnjë kombi tjetër në Evropë. Ata do të përjetonin diktaturën më çnjerëzore në historinë e kombit dhe në historinë e Evropës. Diktaturë që do t’i shndërronte ata në skllevër të vërtetë, të një sistemi të pashpirt. Diktaturë që do t’u merrte me ligj e Kushtetutë, liritë e tyre më themelore, pronën, lëvizjen, besimet. Diktaturë që do t’i rrethonte me klone e tela me gjemba dhe që do të ndërtonte në Shqipëri, më shumë burgje e kampe përqendrimi, sesa stadiume apo shkolla të larta e universitete. Por 22 vjet më parë, sërish, ata u ngritën si viganë dhe hodhën mënjanë këtë diktaturë”, vlerësoi Berisha.
Ai deklaroi gjithashtu se nën qeverisjes së Partisë Demokratike, Shqipëria po ecën me shpejtësi në rrugën e zhvillimit. “Këto vite të krizës më të thellë financiare evropiane  botërore, Shqipëria përballoi pasojat e saj. Fermerët sipërmarrësit shqiptarë nuk u gjunjëzuan. Këto vite, rritja ekonomike e vendit, e 5 viteve së bashku, ishte më e larta, se e çdo vendi tjetër në Evropë. Eksportet u dyfishuan. Shqipëria është i vetmi vend, sipas Komisionit Evropian, që papunësia jo vetëm nuk u rrit, por u ul në mënyrë të ndjeshme progresive. Të gjitha këto i kemi arritur si njerëz të lirë dhe janë para së gjithash, meritë e juaja, e duarve tuaja të mrekullueshme, e mendjes, përkushtimit dhe fuqisë suaj, e dashurisë suaj për familjet, për t’i bërë ato, çdo ditë e më të begata. Por, natyrisht, ato janë rezultat edhe i reformave të shkëlqyera të kësaj qeverie, i vendimeve të saj të drejta, për të ndërtuar rrugë kudo ku banojnë qytetarët shqiptarë, për të ndërtuar shkolla moderne kudo ku jetojnë fëmijët e tyre, për të ndërtuar ujësjellës e kanalizime, për të subvencionuar projekte kombëtare të ullirit, arrorëve, drurëve frutorë dhe e përpjekjeve për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më të tërheqës për investimet e huaja, përpjekjeve për ta shndërruar atë në kopshtin më të bukur të drurëve frutorë, në Evropë”, tha midis të tjerash, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›