Vëzhgimi/Rama interesohet që shtëpia e Vilajet Qyrkut të jetë me kangjella
Edhe pse ka vetëm një ditë kohë për t’iu futur një procesi dialogu, i cili mund të prodhojë si efekt marrjen e statusit të kandidatit, Edi Rama s’e ka shumë shqetësim këtë punë. Për konsum publik, ai hodhi mbrëmë në darkë në eter, të njëjtën “ftesë për dialog” të 16 nëntorit, duke mos sjellë asgjë të re e duke rrëfyer vullnetin për të mos pasur asnjë zgjidhje për këto punë. Por në fakt, dita e Edi Ramës ka qenë fort e zënë, pasi ai ka dhënë e ka marrë me disa struktura partiake, me një biznesmen ndërtimi e me disa shoqe partie, vetëm e vetëm që të realizohet një dëshirë personale e Vilajet Qyrkut. Siç e dinë shumë të mirinformuar për punët e sektit që ka uzurpuar PS-në, Vilajet Qyrku dhe partnerja e tij, gjithashtu një shoqe partie e Edvinit, janë kandisur të bashkëjetojnë, e për këtë, kanë blerë një strehë, tek “Kodra e Diellit”. Por shoqja e partisë dhe Vilajet Qyrku, prej ditësh janë shumë të shqetësuar, pasi shtëpia e tyre, është njëlloj me simotrat e tjera të kompleksit, dhe nuk ka kangjella. Shoqja e partisë është ankuar tek bashkëshortja e biznesmenit, ndërkohë që “pazarin e presionit” e ka ngritur vetë Vilajet Qyrku, i cili është ankuar fiks tek kryetari i partisë. Dhe dëshira e tij merr rëndësi partiake, prandaj burime të mirinformuara mësuan dje se dita e Edi Ramës ka kaluar me një seri telefonatash me sipërmarrësin, për të bitisur dëshirën finale të çiftit të partisë, dëshirën që shtëpia e tyre të jetë deledash, e ndryshme nga simotrat e veta të kompleksit, dëshirën që Vilajet Qyrku dhe Shoqja e Partisë të jenë të rrethuar me kangjella. Hulumtimin për arsyet e kësaj dëshire po e shtyjmë për një herë tjetër.