Berisha: Mazhoranca ka propozuar 100 prokurorë, për transparencën e zgjedhjeve, por opozita ka zero fakte

Zv/kryeministri Meta: Opozita të ndalë politikën destruktive, t’i drejtohet Kushtetueses ose Komisionit të Venecias për zgjedhjet
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se shumica parlamentare është e gatshme të bëjë transparencën e çdo flete votimi dhe se ka propozuar për këtë angazhimin e 100 prokurorëve, të cilët mund të nisin nga puna në çdo moment. Shefi i ekzekutivit deklaroi se gatishmëria e treguar nga mazhoranca i ka shërbyer opozitës për të bërë refuzimin radhës, pasi nuk kanë asnjë fakt për manipulimin e zgjedhjeve, veç akuzave politike për qëllime të ulëta. “Nëse transparencës i themi transparencë, propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo skutë fletëvotimi të procesit zgjedhor, angazhimi i buxhetit për të mbushur këtë detyrë është zgjidhja totale nëse kërkohet transparenca. Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete”, u shpreh Berisha. Sipas Berishës, Komisioni Hetimor do i japë fakte prokurorëve nëse qëndrojnë apo jo akuzat e përditshme të opozitës. “Premtova 100 që mos ketë vonesë në proces. Nëse Rama ka 100 fakte me 100 prokurorë kjo do përshpejtojë procesin. Kushtetuta e vendit përcakton ndarjen e pushteteve dhe respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që nuk i lejon pushtetarët të marrin në dorë detyra kushtetesue. Oferta është më e ndershmja dhe e sigurta për transparence”, deklaroi më tej, kreu i qeverisë Sali Berisha. Këtë deklaratë, shefi i ekzekutivit e bëri pas vizitës së zhvilluar në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në ditën e Sulltan Novruzit.
Meta: Opozita të ndalë politikën destruktive, t’i drejtohet Kushtetueses ose Komisionit të Venecias për zgjedhjet
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta shprehet gjatë një komunikimi me mediat, se opozita bën mirë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Komisionit të Venecias për pretendimet e saj. Kryediplomati shqiptar thotë se mazhoranca nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave, përsa kohë ka një ndarje pushtetesh, që duhet t’i respektojë cdo forcë politike në vend.
“Mazhoranca ka pranuar t’i japë shumicën dhe drejtimin e Komisionit opozitës. Mazhoranca ka pranuar që për çështjen e hapjes së kutive të merret vendim nga Kushtetuesja. PS t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca ka pranuar t’i drejtohet Komisionit të Venecias, por opozita ka refuzuar.
Lidhur me deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch se Komisioni Hetimor është i padobishëm, ministri Meta tha se nuk ka informacion për këtë deklaratë.
Zëvendëskryeministri theksoi gjithashtu se PS po përpiqet të ndjekë një politike destruktive që synon të prishë imazhin e vendit.
Lidhur me ligjin e ri të SHISH, zv/kryeministri Meta thotë se mazhoranca ka siguruar standardet më të larta të BE dhe NATO-s.
“Mendoj se për vetë faktin që ligji aktual është një ligj i vjetër, ndërkohë që ka ndryshime shumë të rëndësishme, që nga bërja e vendit me Kushtetutë, dhe në përgjithësi në sfidat me të cilat ndeshet sot Shqipëria, por me të cilat ndeshet edhe NATO, ato të terrorizmit apo edhe më gjerë, natyrisht që ka nevojë për një rishikim, apo edhe për një përmirësim të tij. Sigurisht që kjo do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në radhë të parë me Bashkimin Evropian ku duam të anëtarësohemi, dhe me NATO-n ku jemi anëtarë”, deklaroi më tej ministri i Jashtëm, Ilir Meta.