PE: Keni plotësuar detyrimet teknike, në prill KE jep propozimin për heqjen e vizave
Qeveria shqiptare ka përmbushur detyrimet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ky është konstatimi që ka bërë delegacioni i Parlamentit Europian, i cili ka mbërritur në Tiranë në një vizitë disa-ditore që përfshin një njohje në terren të hapave të hedhura nga vendi ynë. Vlerësimin për pëmbushjen e detyrimeve, e bëri Presidenti i Komisionit për Ballkanin, në Parlamentin Europian Eduard Kukan gjatë takimit me Kryeministrin Berisha. “Ne si deputetë të Parlamentit Europian do të vazhdojmë të ngremë zërin lart në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më shpejt”, tha Kukan, duke shtuar se delegacioni konstatoi në vend funksionimin efikas të të gjithë sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës e lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare.
Kryeministri njohu europarlamentarët me masa të rëndësishme legjislative të miratuara gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi si ligji antimafia, shtyrja e afatit për moratoriumin për skafet, etj. Z. Berisha i shprehu eurodeputetëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë çdo reformë, miratuar çdo masë dhe paguar çdo çmim që këto procese të përmbyllen me sukses sa më parë. Ne takim u diskutua dhe mbi situaten politike ne shqiperi. Kryeministri foli për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme buxhetore dhe institucionale për 100 prokurorë, të cilët në mënyrë të pavarur dhe të paanshme do të hetojnë dhe të realizojnë në mënyrë sa më të shpejtë transparencën. Z. Berisha i vuri me dije eurodeputetëve për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar pas kërkesës së opozitës, duke i garantuar ata për angazhimin e plotë të qeverisë për respektim të plotë të Kushtetutës në punën e tij.
“Jemi të impresionuar nga arritjet e vendit tuaj në plotësimin e detyrimeve teknike që lidhen më heqjen e vizave”. Kështu është shprehur Presidenti i Komisionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan në takimin që delegacioni i PE-së pati sot me kryeparlamentaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Kukan u shpreh se “ajo që pamë dje në Tiranë, mbi instrumentat teknikë që lidhen më heqjen e vizave ishte shumë impresionuese për të gjithë”. Ndërkaq, eurodeputetja Tanja Fajon tha se “nga muaji dhjetor Shqipëria ka arritje të jashtëzakonshme në plotësimin e kushteve teknike lidhur me liberalizimin”. Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, zoti Kukan dhe delegacioni i eurodeputetëve shprehën mbështetjen e plotë të Parlamentit Europian për heqjen e vizave për shqiptarët. Kryetarja e Kuvendit tha se qeveria e parlamenti po punon fort në plotësimin e të gjitha detyrimeve për këtë prioritet kaq të rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke u ndalur në situatën politike, Topalli e njohu delegacionin me vendimin e fundit të parlamentit për ngritjen e komisionit për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ky komision tha ajo, i ngritur nga nisma e opozitës, bazohet në dy parimet themelore që Komisioneri për zgjerim Fule theksoi në deklaratën e tij: transparencë e plotë dhe respekt i Kushtetutës. Si Kryetare e Kuvendit unë i kam ftuar dhe shpresoj që deputetët socialistë të vijnë në komisionin hetimor të zgjedhjeve dhe të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit”, shtoi ajo. Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Kukan biseduan mbi intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian për përshpejtim të proceseve integruese, në mënyrë që Shqipëria të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Europian.
Delegacioni i Parlamentit Europian u takua edhe me Presidentin Bamir Topi. Kryetari i shtetit tha se liberalizimi i vizave për Shqipërinë ishte një hap tepër pozitiv që do të afronte më tepër dhe jo vetëm shpirtërisht shqiptarët me familjen e madhe europiane. Bashkëbisedimi u ndal në mënyrë të veçantë në situatën politike në Shqipëri. Duke shprehur besimin se partitë politike do të dinë të tregojnë vullnetin e tyre për kapërcimin e kësaj situate, Presidenti Topi nënvizoi se zgjidhja institucionale e saj do të t’u shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme të sigurt dhe në BE.
...