E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur shantazhi antishtetëror i komunistëve mbërrin edhe tek tempulli i demokracisë

Gjithë opinioni publik, vendas e ndërkombëtar, u bë dëshmitar i një maskarade që u luajt nga e majta ish-komuniste në Parlamentin e Shqipërisë për dy ditë me radhë. Gjoja në emër të transparencës për hapjen e kutive, në momentin e votimit, me urdhër të Edi Ramës, deputetët socialistë u tërhoqën, duke vertetuar faktin se përpjekja e tyre ishte thjesht farsë, sa për t’i hedhur hi syve elektoratit majtist. Pafytyrësia dhe dyfytyrësia ishin tiparet themelore të deputetëve socialistë, që të karikuar si robotë me bateritë e Edvinit, nuk ka gjasa të qëndrojnë gjatë. Askush në Shqipëri nuk mund të besonte me 22 Mars 1992, kur komunizmi u përmbys me fitoren e Partisë Demokratike, se një ditë Gramoz Ruçi, ish-Ministri i Sigurimit Komunist si një lugat i neveritshëm si nga varri do të ngrihej dhe me një hipokrizi të shpifur do “jepte mesazhe për demokracinë” në Parlamentin e Shqipërisë. çuditë e mëdha ndjekin njëra-tjetrën në një ambient ku e majta posedohet në të gjithë përfaqësimin e saj nga hijet që të kujtojnë dhe inspirojnë kohën e diktaturës komuniste. çuditërisht nuk është hiç e largët koha kur komunizmi u shemb si sistem dhe kur kriminelët e diktaturës u fshehën vrimave si minj. Kishin frikë nga hakmarrja popullore dhe po përpiqeshin të shpëtonin kokat. Humbën si t’i kishte përpirë dheu ish-operativët e sigurimit, sekretarët e byrove të partisë, spiunët e ish-Sigurimit, u zhduk nga sytë e publikut e gjithë kasta enveriste, fajtore për një sërë krimesh të llahtarshme kundër shqiptarëve. Por kur panë se s’ishte vendi për hakmarrje, shumë shpejt dolën nga vrimat dhe u riorganizuan në partinë e tyre ish-komuniste që vetëm emrin e kishte të ndryshuar. Vetëm tre muaj nga humbja e thellë në zgjedhjet e 22 Marsit, në zgjedhjet e pushtetit lokal, ata patën paciptësinë të pretendonin fitore në zgjedhjet e 26 korrikut për pushtetin lokal.

Ditëve të fundit po hidhet dritë mbi fakte trishtuese të implikimit të kriminelëve të diktaturës. Mbarë opinioni u njoh se Babai i Edi Ramës nuk ka marrë në qafë vetëm Havzi Nelën me firmën e varjes në litar, por edhe një njeri tjetër, 29 vjeçarin Enver Osmani nga Gjorica e Poshtme e Dibrës, i pushkatuar edhe ai, me firmën e Kristaqit si “armik i popullit”. është apo nuk është për t’u çuditur që i biri i një krimineli ish-sigurims të tërheqë zvarrë në kohën e demokracisë partinë më të madhe të opozitës, të pretendojë t’i hedhë hi syve popullit shqiptar për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë si njeri pa familje dhe me vese të theksuara. Këtë dilemë duhet ta zgjidhim sa më parë, për të mirën e Shqipërisë. Në këtë kontekst më kujtohet një fenomen i përafërt që i ka ndodhur edhe Amerikës në kohën e qeverisjes së Presidentit Linkoln. Në vitin 1864, Presidenti i Amerikës dhe u dha lirinë të gjithë skllevërve amerikanë. Por në hapësirën e lirisë, skllevërit e SHBA nuk po kishin mundësi të ambientoheshin dhe përsëri filluan të trokisnin në dyert e padronëve të tyre të vjetër për t’u shndërruar edhe njëherë tjetër në skllevër. S’duhet lejuar të përsëritet as si karikaturë ky fenomen në Shqipëri, në shekullin XXI. Pas një diktature të gjatë komuniste nga më barbaret në botë dhe kur i jemi afruar aq shum familjes europiane, përmes sakrificash e privimesh të mëdha, nuk mund të mendohej, se i biri i Xhelil Gjonit, bashkëpunëtori i ngushtë i Enver Hoxhës dhe i Ramiz Alisë, të zgjidhej deputet në Parlament dhe t’i hakërrehej Kryetarës së Parlamentit, duke mbrojtur publikisht kriminelët e diktaturës komuniste, me paçavuren-arsyetim se “nuk mund të hedhësh baltë ndaj atij brezi që i ka shërbyer këtij vendi”. Krejt argumentimi i një të sëmuri mendor, i një struci afrikan, i një qenieje që gjalloka edhe këtu ndër ne, në Ballkan.

Dhe plagët që akoma nuk janë shëruar, dhembin shumë fort. A mos vallë shqiptarët e kanë harruar mitingun famëkeq të Korrikut 1990, organizuar nga Xhelil Gjoni për “të dënuar tradhtinë” e njerëzve që hynë nëpër ambasada për t’i shpëtuar skllavërisë komuniste. “Jashtëqitja e kombit” i quajtën Xhelil Gjoni, Skënder Gjinushi etj, njerëzit e ambasadave. Dhjetëra të tjerë që kërkonin të kalonin në liri përmes kufirit u vranë në kufi me urdhër të Gramoz Ruçit dhe kufomat u tërhoqën zvarrë të lidhur me tela me gjëmba fshatrave dhe qyteteve të Shqipërisë. Akoma mijëra e mijëra njerëz në të katër anët e Shqipërisë kërkojnë me kazma e lopata në duar, të afërmit e tyre që u pushkatuan nga diktatura. U pushkatuan nga regjimi i Gramoz Ruçit, Xhelil Gjonit, Sulejman Bushatit, Hamit Shamkut e co. Por si shkruan Hygo “ai që vret, është njëlloj kriminel si ai qe jep urdhrin per te vrare”. Të ngjallin krupë dhe neveri mbiemra të tillë që morën fjalën duke e përdhosur foltorën e Parlamentit si Peza, Shamku, Hysi, Bare, Minxhozi, Tahiri, Leskaj apo Dade, pinjoj pa mbarim të brezit të dytë të kastës enveristo-komuniste. Ata ishin aty “deputetë” për të mbrojtur aferat korruptive të mafias së ndërtimit dhe karteleve të drogës. Milionerë dhe supermilionerë përfaqësojnë PS-në sot në Parlament. Qëllimi i tyre i vetëm është marrja e pushtetit me dhunë e violencë per t’u pasuruar dhe mbrojtur pasurite e tyre te paligjshme. Opozita shqiptare ka hyrë në një rrugë pa krye, por duhet penguar qëllimi i skizofrenit të PS dhe i kastës enveriste që po e ndjek nga pas, për një revolucion bolshevik. Nuk mendoj se do të shkelen rregullat e demokracisë që sa herë të marrin fjalën në Parlament ish-kriminelët e diktaturës dhe pinjojtë e tyre të brezit të dytë me maska e makiazhe, të informohet mbarë opinioni se politika ka dhe duhet te ketë nje moral. Mbarë opinioni duhet të njohë krimet e tyre dhe të baballarëve të tyre kundër popullit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›