E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama nuk kërkon transparencë, por intifadën e sekuestrimit të vizave

Opozita socialiste humb arsyen dhe i rikthehet rrugës dhe pështymës politike, duke bojkotuar përsëri institucionet Kushtetuese. Serra politike e Partisë Socialiste po mbjell e rrit vetëm fidanë akaciesh gërvishtëse për demokracinë e brishtë shqiptare. është një lodhje e tmerrshme për shumicën e shqiptarëve, që opozita kryesohet ende nga Edi Rama, një politikan i stresuar dhe me një profilit të ulët moral e institucional. Gjithsesi inflacioni i kutive po shkakton kosto të madhe në humbjen e kohës për reformat. Për disa, koha është flori, për të tjerë tiranike, por për Edi Ramën është gjithmonë koha e lëvizjes anti-demokratike. Sepse klisheja e kutive të stër-hapura mediatikisht po sekuestron debatin publik, duke e shterpëzuar politikën me deklarata dhe kundër-deklarata. Kështu që qeveria dyzohet në qeverisje dhe kundërpërgjigje publike, dhëmbpërdhëmb, çdo fantazmagorie opozitare.

Gjithashtu të gjithë kanë kuptuar se zvarritja e reformave është një prodhim artificial, i sajuar për të vetmen arsye, atë të mospërballjes me opinionin që e cilëson humbës, një dështak 24 karatësh. Po ashtu për motive të dobëta, si pasojë e mospranimit të humbjes së 28 qershorit, PS po synon të tkurrë energjitë e qytetarëve me artificie kauzash opozitare; të cilave sërish koalicioni qeveritar PD-LSI s’po lodhet së përgjigjuri me hekur e zjarr mediatik.

Edi Rama i ka hyrë një spiraleje të ngatërruar, nëpër të cilën po e ndjek pa bërë zë një e majtë pa shumë alternativa. Edhe LMN ngjan e anuluar nga neo-radikalizmi me qofte e protesta i Edvinit. Në fillim, I Papranueshmi Rama i humbi me sukses zgjedhjet dhe një pjesë e socialistëve ngeci në spiralen e brendshme konfliktuale, me pas filloi bojkoti i vetë-kushtëzuar, me tej erdhi ndërprerja për të mos djegur rrogën e deputetëve dhe më pas po nis sërish, e sërish një pjesë e militantëve të majtë po mbetet nëpër spirale sloganesh pa fund.

Sidoqoftë problemet e lidershipit socialist nuk kanë asnjë lidhje me problemet që hasin qytetarët ditë për ditë. Ata nuk kanë arsye të shqetësohen. Kësisoj edhe rishtarët e parlamenti shqiptar janë të gatshëm për gjithçka, në fund të fundit me hyrjen në parlament deputetë socialistë e siguruan rrogën, dhe tani për 6 muaj mund të shkojnë në vakanca apo ekskursione protestash anekënd vendit. Nëpërmjet konferencës për shtyp PS shpalosi një intifadë të dytë protestash, që kuptohet vetiu sjell një kosto të pashmangshme për liberalizimin e vizave. Deputetja e re e PS-së, Vasilika Hysi, nuk sheh variant tjetër për zgjidhjen e ngërçit politik përveçse demonstrimit në rrugë për të rrëzuar qeverinë “Berisha”. Platforma gjenetike e marrjes së pushtetit më dhunë nuk është shuar kurrë në këtë organizëm politik soc-komunist. Metodologji e forcimit të rendit kushtetues me provokimi masash të hutuar nga

“kurajë” dhe “besim” dy mantra të reja të politikës së re, që i krijon përshtypje më shpejtësinë që një njeri i zakonshëm i harron.

Afërmendsh Edi Rama njeriu i dilemave të qenësishme personale dhe politike, ka një qëllim pa ekuivok: largimin e qeverisë! Natyrisht, kjo është profesioni ku opozita punon qëkurse është shpallur humbëse të zgjedhjeve dhe vijon në mënyrë demokratike shtyrjen situatës drejt zgjedhjeve të parakohshme. Mirëpo krye-socialisti, me gjeneratën e dy të bllokut mendon se kjo mund të realizohet në precipitim e situatës nëpërmjet metodave revolucionare: tensionime të vazhdueshme, provokimi me protesta kapilare të pa fund sidomos pa kauzë për diskredituar qeverinë, dhunim të institucioneve dhe pushtimin e tyre nga masa e cilësuar si “populli socialist”. Sigurisht, rikthimi i tensioneve radikale të opozitës socialiste lufton kundër dhe nuk kontribuon në përshpejtimin e integrimit europian të vendit, çka përkthehet në një sekuestrim të liberalizmit të vizave. E vetmja hulli ku po mbijeton froni i egoarkut Rama mbetet politika destruktive, për interesa të ngushta. Gjërat tashmë janë shumë të qarta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›