E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mazhoranca vullnet për të trajtuar rekomandimet e ODIHR

Kryeministri Berisha, në takimin e zhvilluar me delegacionin e ODIHR, i cili kryesohej nga kryetari i misionit Jonathan Stonestreet, u shpreh se cilësimi i zgjedhjeve si transparente dhe kompetitive është një vlerësim që përmbledh të gjitha standartet që ka arritur procesi zgjedhor i 2011.
Kryeministri nënvizoi se rekomandimet e ODIHR-it, në raportin e vitit 2011 së bashku me rekomandimet e vitit 2009, përbëjnë një bazë shumë të mirë në procesin e reformës zgjedhore. Ai siguroi delegacionin e ODIHR se mazhoranca ka vullnetin e plotë për t`i trajtuar të gjitha rekomandimet në mënyrë konsensuale me opozitën dhe se ajo është e gatshme që puna për to të fillojë menjëherë me ngritjen e komisionit parlamentar.
 

Në këtë takim, kryeministri Berisha dhe zoti Stonestreet ndanë të njëjtin mendim se reforma e ardhshme duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse si KQZ dhe organizatat e shoqërisë civile të specializuara në çështjet zgjedhore. Kryeministri Berisha theksoi se tryeza e reformës zgjedhore e iniciuar nga mazhoranca në vjeshtën e vitit 2010, kishte pikërisht këtë frymë gjithëpërfshirëse dhe është një precedent i mirë në këtë drejtim.
 

Kryeministri Berisha falënderoi nga ana e tij, zotin Stonestreet dhe misionin që ai drejtoi për punën e kryer si dhe e çmoi raportin e ODIHR, si realist e që vë në pah progresin e zgjedhjeve të 2011, karshi zgjedhjeve të shkuara në përmbushjen e standarteve si dhe nevojat për përmirësim të procesit zgjedhor.

Kryeministri ftoi ODIHR dhe Komisionin e Venecias të japin ekspertizën e tyre në procesin e reformës dhe rikonfirmoi qëndrimin se mazhoranca mirëpret propozimet e opozitës të bazuara në rekomandimet e ODIHR dhe të çertifikuara nga këto dy institucione prestigjioze. Zoti Stonestreet e mirëpriti ftesën dhe siguroi për gadishmërinë e ODIHR që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të asistojnë procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore. Zoti Stonestreet falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen si dhe çmoi asistencën dhe bashkëpunimin që qeveria shqiptare i ofroi misionit vëzhgues përgjatë periudhës së vëzhgimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›