E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mbështesim sulmet në Libi, gati tju ndihmojmë

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha, përshëndeti sot vendimin e koalicionit Ndërkombëtar për fillimin e operacioneve ushtarake ajrore, në mbështetje të rezolutës 1973, të Këshillit të Sigurimit dhe kërkesës së Lidhjes Arabe për të mbrojtur civilët libianë ndaj sulmeve të regjimit të Gedafit, që kanë shkatuar qindra viktima.

“Këto operacione në zbatim të ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare, - thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë- janë plotësisht legale dhe legjitime dhe kanë si qëllim kryesor mbrojtjen nga sulmet e egra të regjimit të Gedafit të jetës së qytetarëve libian, lirive dhe të drejtave universale që ata meritojnë, mundësisë për të përcaktuar, me vullnetin e lirë, fatin e tyre.”

Më tej kreu i qeverisë shton se “Këto veprime janë një kontribut historik për liritë, të drejtat, dinjitetin e kombit arab që u ngrit fuqishëm dhe në një hark kohor të shkurtër përmbysi, në Tunizi dhe Egjipt, dy regjime që qëndruan dekada në pushtet, në kundërshtim me vullnetin e popullit të tyre.”

Kryeministri nënvizon në mesazhin e tij përshëndetës se “Ne shqiptarët, në 20 vjetorin e shëmbjes së Benalive dhe Gedafëve të Shqipërisë që sunduan këtë vend me dhunë dhe terror për pothuaj gjysëm shekulli, mirëkuptojnë më shumë se të tjerët, aspiratat e kombit arab për liri dhe dinjitet dhe vlerësojnë lart çdo ndihmë ndërkombëtare ndaj tij. Dhe se Shqipëria mbetet e gatshme t’i ofroj lehtësitë e nevojshme koalicionit ndërkombëtar në misionin e tij shumë rë rëndësishëm për lirinë, paqen, stabilitetin në Mesdhe.”
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›