E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Më 12 nëntor, opozita protestë kombëtare! Do jetë më e madhja që ka njohur Shqipëria

Më 12 nëntor, opozita do të zhvillojë protestën kombëtare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Kështu ka bërë me dije kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, i cili deklaroi nga selia blu se protestës do t’i bashkohen edhe Partia e Lirisë dhe partitë e tjera opozitare.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka krijuar gjendje “katastrofale” në vend dhe se qeveria ka vjedhur fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve.

 “Opozita, PD dhe PL dhe forca te tjera opozitare nisin me datën 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit te urryer, regjimit te narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, të partisë shtet, regjimit te Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes nda monizmit të Edi Ramës. Po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katatstrofale të krijuara nga vjedhjet e fondeve dhe pasurive publike të qytetarëve shqiptarë. Ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjet me regjimin e partisë-shtet”, tha Berisha.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke e theksuar se do të jetë tubimi “më i madh që ka njohur Shqipëria”.

“Unë kam besimin më të madh se të rinjtë, të rejat e Shqipërisë, që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›