E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Më 15 mars protestë kombëtare kundër mbylljes së aksesit në TikTok

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha lajmëroi sot një protestë të përgjithshme kombëtare më datën 15 mars kundër mbylljes së TikTok-ut.

Berisha e cilësoi vendimin e qeverisë për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj si akt censure të mbi 1 milion përdoruesve të TikTok-ut në Shqipëri.

“Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila ka pushtuar sot, ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe në botë”, tha Berisha.

Berisha rikujtoi fjalën e zëvendëspresidentit të SHBA, JD Vance, në fjalën e tij në Mynih, i cili tha Berisha se, “e konsideroi mbylljen e medieve sociale si një antivlerë shumë të rrezikshme për shoqëritë e lira, fjalën e lirë dhe mendimin e lirë”.

Berisha ftoi të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët “të nisim betejën për çlirimin e TikTok-ut dhe përmbysjen e narkodiktatorit”.

“Më datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin para kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTok-ut”, tha Berisha.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›