Marrëveshja për pensionet, Spiropali: Dëshmi se partneriteti me Italinë ka në qendër qytetarët

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përshëndeti sot miratimin nga Senati italian të marrëveshjes me Shqipërinë për pensionet.
Spiropali e cilësoi miratimin e marrëveshjes nga Senati italian si një lajm të bukur nga Italia mike.
“Senati Italian miratoi unanimisht Marrëveshjen me Shqipërinë për pensionet, e cila hyn në fuqi menjëherë dhe prej nga do të përfitojnë mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë”, shkroi kryetarja e Kuvendit në rrjetet sociale.
Spiropali falënderoi Presidentin e Senatit të Italisë, Ignazio La Russa, Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, për kujdesin në ndjekjen e ratifikimit të marrëveshjes mes dy qeverive për pensionet.
“Një tjetër dëshmi se bashkëpunimi e partneriteti me Italinë ka në qendër qytetarët”, u shpreh ajo.
Finalizimi i kësaj marrëveshjeje garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.
1 nga 2