E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Më 8 maj do fitojmë bashkinë e Tiranës dhe bashkitë kryesore në vend

26-04-2011 / Gazeta 55

Gjatë një interviste për ABCNews, kryeministri rrëfen perceptimin e tij për një fitore të thellë në të gjitha njësitë urbane, ndërkohë që thotë se zgjedhësit do e ndëshkojnë elektoralisht një kryebashkiak që ka marrë peng kryeqytetin për interesa strikte politike

Kryeministri Sali Berisha shprehet me bindje të plotë se Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” do fitojnë bindshëm zgjedhjet e 8 majit. Kreu i ekzekutivit deklaroi gjatë një interviste në ABC News me gazetaren Sonila Meço, se Lulzim Basha do të jetë ai që në 8 maj do fitojë bashkinë e Tiranës, për ta kthyer përfundimisht atë te qyteti dhe qytetarët. Besimin e tij në një sukses të arritshëm në 8 maj, Berisha e bazon në mbajtjen e premtimeve të Qeverisë, realizimin e projekteve dhe investimet në çdo cep të Shqipërisë, ku infrastruktura rrugore brenda pak vitesh ka njohur standarde të paparashikueshme.
Anëtarësimi i vendit në NATO, liberalizimi i vizave, rritja e pagave dhe pensioneve, ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës-Morinë, ndërtimi i Boshtit të Jugut si dhe inaugurimi pas pak ditësh i autostradës Tiranë-Elbasan, janë disa nga projektet e premtuara që janë realizuar dhe po realizohen.
“Ne shkojmë me sukses të kristaltë, të pamohueshëm. Ne kemi premtuar heqjen e vizave, kemi premtuar rritjen e rrogave dhe pensioneve, ne kemi premtuar rritjen ekonomike, ne kemi premtuar investime në infrastrukturë. Ne i realizuam. Ne erdhëm në pushtet kur shqiptarët kishin aksesin më të ulët në internet, ishte me 4.1 për qind, sot Shqipëria është me mbi 50 për qind, ne realizuam projektin ‘Shqipëria Dixhitale’. Ne vijmë në këto zgjedhje me koalicionin më të fuqishëm të të gjitha kohërave, përfaqësojmë 55 për qind të elektoratit shqiptar, të votave të shqiptarëve”, u shpreh kryeministri Berisha.
Falë këtyre sukseseve dhe premtimeve të mbajtura nga Partia Demokratike, tha Berisha, mazhoranca aktuale fitoi dhe zgjedhjet e 2009-ës dhe se ky moment do t’i prijë edhe në 8 maj.
Duke iu referuar kandidatit të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, kreu i qeverisë Sali Berisha theksoi se “Basha do të jetë kryetari i ri i bashkisë”.
Arsyetimin e tij, kryeministri Berisha e bazon në platformën dhe programin ambicioz dhe vizionar, mbi të gjitha realist të Lulzim Bashës. Sipas kryeministrit, ai vjen në krye të bashkisë së Tiranës, pas sukseseve të shkëlqyera në dikasteret e mëparshme.
“Lulzim Basha ka shënuar arritje historike në dikasteret që ka drejtuar. Nëse e keni ndjekur, Lulzim Basha iu ka bërë premtime qytetarëve, por reale. 1 miliard euro investime në 4 vite është një premtim jashtëzakonisht real. Nëse Tirana bën transparente financat, buxhetin dhe taksat Tirana do ketë të drejtë t’i adresohet institucioneve ndërkombëtare për kredi. Së dyti, Lulzim Basha ka qenë ministër i Jashtëm dhe arriti suksese të mëdha, ky sukses do e shoqërojë dhe në bashkinë e Tiranës. Po ashtu, Lulzim Basha vjen nga Ministria e Brendshme, ai e njeh shumë mirë decentralizimin e njësive vendore. Le të ndalemi te urbanistika. Ne mund ta akuzojmë të shkuarën për ndërtime të shëmtuara, por urbanistët parashikuan edhe sheshet në Tiranë, tani kemi pallatet shumë katëshe në vend të shesheve. Lulzim Basha shkon drejt atij posti më i kompletuar se asnjë herë tjetër. Ai ka bërë një program kryekëput që i përkushtohet qytetarëve”, u shpreh Berisha. Fushata e z. Basha vijoi kryeministri, është për qytetin dhe qytetarin, ndryshe nga rivali i tij që po bën fushatë politike.
“Nuk po merret me Edi Ramën, por është përqendruar totalisht, për të përpunuar vizionin. Por ka dhe një fenomen, që është zëri i qytetarëve. Basha ka një avantazh që s’e ka pasur askush tjetër që, ai të ketë një zë të pavarur intelektual. Iniciativa për Tiranën është nisma më interesante për kryeqytetin. Kjo nuk është partiake se po të hyjnë në arkivë do të gjejnë një shumësi shkrimesh të intelektualëve kundër meje. Ata janë që të gjithë personalitete me një kurrikul të plotë të tyre, janë njerëz të sukseseve. Platforma që po paraqet Iniciativa është ajo që buron nga zemra e qytetarëve dhe Lulzim Basha duhet të konsiderojë veten me shans të madh që ky grup intelektualësh të bashkuar te interesi i qytetit, propozojnë politika në interes të qytetarit”, tha kryeministri.
Berisha u ndal gjerësisht në mënyrën e qeverisjes së Tiranës gjatë 11 viteve nga Edi Rama.
Kryeministri tha se qytetit i është shkaktuar një asfiksim, batërdi si dhe ngërç, duke bllokuar kështu zhvillimin e kryeqytetit.
“Edi Rama më quan mua kryetar bashkie. Ai shkon në takime dhe iu thotë qytetarëve thërrisni poshtë ‘kryetari i bashkisë’. Unë në këto zgjedhje shkoj si kryeministër i sukseseve që përmenda. Por po ashtu shkoj si qeveri e cila ka prekur me investimet e saj pa asnjë diskriminim, çdo cep të Shqipërisë. Ne kemi investuar në zonat e drejtuara nga socialistët. Të krahasosh modelet e Tiranës me modelin e Fardës, absolutisht del që Farkën ta shpallësh kryeqytet të ballkanit, sepse me të gjithë treguesit Farka është disa herë më lartë se Tirana. Në Kashar nuk gjen dot një rrugë të paasfaltuara, në Tiranë ke dhjetëra rrugë të shkatërruara. Nëse kryetari i bashkisë do të kishte marrë mundimin që financat e Bashkisë t’i bënte funksionale, Tirana mund të merrte kredi nga të gjitha bankat Evropiane, pa pyetur Qeverinë. E vërteta është se këto institucione ndërkombëtare kanë tentuar të japin kredi, por duke studiuar financat kanë arritur në përfundimin se bashkia e Tiranës ngel në klasë, nuk ka fizibilitetin e duhur financiar për shkak të mos funksionimin e financave të Bashkisë. Ndaj është e detyruar që të hyjë Qeveri garante për kreditë e bashkisë. Edi Rama nuk pranoi asnjë negociim për zhvillimin e Tiranës, pasi ne shtonim fondet ai rriste numrin e punonjësve në administratën e bashkisë. Filozofia ime e qeverisë është qeverisje e vogël, qeverisje në dietë. Ne harxhojmë për rrogëtarë, pas dyfishimit të tyre, 6 për qind të GDP-së. Jemi tek grupi i qeverive të vogla. Rusia shpenzohen 24 për qind. Rama nuk ndoqi këtë model, i cili bazohet në qeveri të vogël dhe eficente, por tre-fishoi numrin e punonjësve. Ne mirato fonde, ai i kthente në rroga dhe paga. Në vitin 2008,.Rama kërkoi takim me mua dhe me bashkitë. Bëmë një debat, ngritëm një grup pune dhe u arrit që pas një punë disa mujore, nga 26 taksa, qeveria qendrore do mbante 6, dhe të gjitha të tjerat do i takonin qeverisë vendore. Por çfarë ndodhi? Kaloi në komisione, u votua ndërsa në parlament thanë jo. Bode do t’u thonte se ky është propozimi i kryetarit tuaj, votojeni. Por, mua më informuan se ai e bllokoi projektligjin sepse mendonte se do fitonte zgjedhjet e 2009-ës. Bashkia ka qenë totalisht e bllokuar nga kryetari i saj, i cili për interesa strikte politike, pasi për të zhvilluar qytetin ai duhet të bashkëpunonte me Kryeministrin e vendit dhe unë nuk i kam refuzuar asgjë, por është ai që për kredenciale politike, nuk bashkëpunoi me qeverinë. Bashkisë së Tiranës për 4 vite me radhë, i ka munguar qyteti i parë. Organizoi vetëm gjatë dy viteve të fundit plot 1753, pra duke mos u kujdesur për qytetin, por bridhte nëpër Shqipëri”, tha Berisha, teksa theksoi se Edi Rama shkon drejt 8 majit me një bilanc super negativ. Premtime të parealizuara. Kush e pengoi z. Rama për të ndërtuar Tramvajin? Asnjë, s’ka dashur dhe s’ka bashkëpunuar. Kush e pengoi Edi Ramën që të ndërtonte Kinemanë? Asnjë. Ndërtoi pallate shumëkatëshe në vend të veprave të argëtimit për qytetarët. Qytetarët nuk meritojnë një kryetar të tillë bashkie. Ata duan një të parë qyteti që kujdeset dhe i shërben qytetit e qytetarëve.

Por çfarë ka bërë Edi Rama në 11 vjet?
Tirana ka pësuar një ngërç në disa tregues. Në gjelbërim, i hapësirave të rrugëve, i ndotjes, është absolutisht 3-4 herë larg standardeve të Bashkimit Evropian.
Për çfarë është drejtuesi, kryeministri, kryetari i bashkisë apo qeveria?
Për të marrë përgjegjësi.
Sigurisht që Tirana ka trashëguar problematikë, por çfarë ka ndodhur në 11 vite të qeverisjes së z. Rama, të qeverisjes së tij impotente? E para, ka rikthyer Lanën, edhe pse mund të kishte edhe forma të tjera sistemimi. Nuk është ndërtuar asnjë rrugë, por janë zgjeruar 3 akse. Janë bojatisur pallatet dhe është punuar me fasada. Për ne që e njohim Tiranën edhe para 25-30 vitesh, dua të them se Tirana nuk ka urbanistikë. Ata urbanistë ndoqën rregullat e urbanistikës dhe nuk kishte blloqe pallatesh pa një oborr të madh. Sot kemi vetëm 2 blloqe në periferi.
Në Tiranë është bërë një batërdi e jashtëzakonshme, ka beton dhe vetëm beton. Nëse ne u servirim qytetarëve falsitete, atëherë i bie që të tallemi me qytetarët. Në Tiranë janë zhdukur lulishtet. Ndotja akustike te 21 dhjetori, në Laprakë dhe në disa pika të Tiranës është 25-35 për qind më e lartë se aeroporti i Rinasit.
Kush e pengoi kryetarin e qytetit të mbronte qytetarët e vet nga ndotja akustike?
A e di ai zotëri se ndotja nga pluhuri është më e larta në Evropë? 

Sa liri do të ketë Lulzim Basha
që të realizojë projektet e tij?
Nuk do të refuzoj asnjë projekt të Lulzim Bashës. As Edi Ramës qeveria nuk i refuzoi projektet, por mos bashkëpunimi i tij dhe ecja pas karriges, ishte një drejtim jo për qytetin. Nëse Lulzim Basha do më sjellë për anulim jo vetëm një, por dhe për shumë vendime të tjera, do të anulohen. Interesi i qytetit dhe qytetarëve është i pari. Vendimet e KKRRTSH do të anulohen pas kërkesës së kryetarit të bashkisë, jo vetëm të atij të Tiranës por edhe të bashkive të tjera. Përmes vlerësimit të pronës, z. Basha mund të ndërtojë hapësirat e gjelbra ku të mundet. Lulzim Basha në konceptin e tij do zhvillojë pronën, toka kudo ka vlerën që i takon. Prandaj kjo ishte arsyeja që ai tha se do ecim përmes këtij koncepti. Qeveria do vlerësojë maksimalisht projektet e Lulzim Bashës për zhvillimin e Tiranës dhe punësimin e kryeqytetasve.

Punësimi
Basha iu deklaroi qytetarëve se punësimi do jetë objektivi kryesor i tij. Ai hasi në një kundërshtim të intelektualëve. Njëri më tha se me këtë Lulzim Basha u fut në perspektivën e pushtetit vendor. Kurrë nuk ishte dëgjuar fjala punësim nga kryetari aktual i bashkisë. Asnjëherë!
Qeveria vendore në terma reale ka të paktën 4 herë më shumë mundësi për punësim dhe për të zhvilluar projekte punësimi se qeveria qendrore. Çdo investitor dëshirën më të madhe do ta kishte të investonte në Tiranë, por nëse Edi Rama ka takuar Koçon apo ndonjë mik tjetër të paktën 15 herë në muaj, nuk ka takuar as 3 investitorë të huaj.
Në gjithë këto vite kryetari i bashkisë ka penguar biznesin duke çuar në rritjen e papunësisë. Ulja e taksave për biznesin gjallëron aktivitetin ekonomik si dhe rrit kështu mundësinë e punësimit. Komisioni Evropian deklaroi pak ditë më parë se Shqipëria është ndër të paktat vende ku papunësia nuk është rritur. Edhe në Tiranë janë të gjitha kushtet që, punësimi të marrë një hov të ri. Qeveria ka vetëm një qëllim, të nxjerrë Tiranën nga ky ngërç. Basha, përveç mbështetjes së Qeverisë, Basha ka edhe miq. Por, ka edhe partneritetin privat. A ka më interes për privatët se ndërtimi i Unazës së Madhe? Z.Basha ka deklaruar se do të krijojë agjencinë e investimeve të huaja. Me krijimin e saj, iu garantoj se biznesi nuk do trokasë më në dyert e Qeverisë, por do t’i drejtohet Bashkisë. Lulzim Basha duke e kthyer Tiranën në qytet atraktiv për investime, i hap mundësinë çeljes së

Infrastruktura
Tirana ka rrugë të shkatërruara. S’është investuar prej vitesh në mjaft lagje të kryeqytetit. Lulzim Basha ka një projekt ambicioz për infrastrukturën e Tiranës.
Ndërtimi i Unazës së Madhe është dhe mega-projekti i mandatit të tij në bashkinë e Kryeqytetit.

Kuvendi, 73 vota “pro” për emërimin e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje dekretet e presidentit të Republikës Bamir Topi për emërimin si ministër i Brendshëm të Bujar Nishanit dhe shkarkimin e tij nga detyra e ministrit të Drejtësisë dhe po kështu edhe shkarkimin nga detyra e ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili la mandatin e deputetit dhe postin e ministrit në fillim të fushatës elektorale.
Seanca e shkurtër parlamentare ku merrnin pjesë 124 deputetë, u drejtua nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Pas çeljes së votimit elektronik, Bujar Nishani u emërua ministër i Brendshëm me 73 vota pro.
Deputetët votuan edhe për dekretet për shkarkimin e ish-ministrit Basha nga posti i ministrit dhe atë të ish-ministrit të Drejtësisë. Seanca e Kuvendit zgjati gati dhjetë minuta dhe u mblodh vetëm për shqyrtimin e dekreteve më të fundit të presidentit, duke ditur se në vigjilje të zgjedhjeve është tejet e nevojshme moslënia vakant e postit të titullarit të Ministrisë së Brendshme. Aq më tepër kur kjo fushatë zgjedhore ka nisur me incidente të shumta, me grisje posterash e flamujsh, por edhe me incidente me armë. Ministri Nishani rikthehet kështu në postin e ministrit të Brendshëm pas më pak se dy vitesh, kur ai e la detyrën pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit 2009, pas të cilave do të merrte portofolin e ministrit të Drejtësisë. Ndërkohë deputetët rrëzuan dekretin e Presidentit Bamir Topi për akcizën.
Nishani betohet te Presidenti Topi, zyrtarisht ministër i Brendshëm/Ministri i ri i Brendshëm, zoti Nishani betohet përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në praninë e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko dhe anëtarëve të tjerë të Kabinetit të Presidentit, u zhvillua dje pasdite në Presidencë ceremonia e betimit të Ministrit të ri të Brendshëm, Bujar Nishani. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit, Bujar Nishani bëri betimin përpara Presidentit të Republikës, i cili, pasi i dorëzoi dekretin e emërimit, i uroi Ministrit të ri të Brendshëm, zotit Nishani, suksese në detyrën e lartë dhe të rëndësishme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›