Punësimi dhe projekti i Lulzim Bashës
Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në fjalën e mbajtur para banorëve të Laprakës, ndër të tjera shpjegoi disa nga çështjet që do të përfshihen në planin rregullues të Tiranës. Kështu zgjatimi i Bulevardit deri në Bregun e Lumit, do të kryhet duke zhvendosur Stacionin e trenit në afërsi të Laprakës dhe ndërtimin pranë saj të Stacionit interurban. Së bashku me Stacionin e trenit, do të zhvendoset ajo pjesë e hekurudhës që kalon pranë banesave me rreziqe për jetën e kalimtarëve. Të tilla qendra transporti janë ndërtuar në shumë qytete të SHBA, të emërtuara “South Station” dhe “Bus Terminal”, i pari për trenat, i dyti për autobusët, brenda e larg qytetit. Në vijim Basha tha: “kolektorët nuk do të derdhen më në lumë, do përpunohen ashtu siç përpunohen kudo në botë. Ky është parakusht që Lumi i Tiranës të kthehet në një çlodhje dhe në një vend ku njerëzit të kenë dëshirë të vijnë”.
Na kujtohet Tirana e vështirë e viteve ‘50, kur për mungesë mjetesh transporti, shumica e qytetarëve nuk joshej dhe aq nga plazhet detare. Në ditë pushimesh pas mbylljes së shkollave të rinjtë, largoheshin nga qyteti drejt lumenjve, duke ecur nëpër vapë, më këmbë apo me biçikleta. Vendet me ujë të pastër, ku kalonin pak orë ishin në krye të lumit të Tiranës, të quajtura “Shtatë dhomat” te Ura e Brarit e “Kataraktet” në afërsi të Dajtit, sepse më poshtë lumi qe mjaft i ndotur nga plehrat që mbarteshin nga karrocat me kuaj dhe rrëketë që derdheshin nga qyteti. Disa kalonin më tej, kapërcenin kodrat dhe arrinin në Lumin e Tërkuzës, ku ndodheshin pellgje të thella me emra si, Pellgu i Palaços, Pellgu i Agait etj. Edhe traseja e hekurudhës pa postblloqe e rrethim të kujton ndodhi të dhimbshme me viktima, njerëz e bagëti.
Pra, sipas projektit të Lulzim Bashes, përveç autostradave drejt veriut e jugut, për herë të parë në historinë e Tiranës, si në çdo qytet europian, do të kalojë edhe hekurudha e rindrequr me stacion modern. Lumi i Tiranës do të rrjedhë i pastër përbri e do të soditet si çdo lumë i bukur, nga treni e bregu, si pjesë e qytetit aty, ku do të jetë mbarimi i bulevardit të ri. Shto pastaj Unazën e madhe përqark qytetit të shoqëruar me parkingje, nga do të hyjnë e dalin automjetet e qyteteve të tjera nëpërmjet autostradave. Mbi të gjitha, sipas Bashës, pas kanalizimeve në çdo lagje, kujdes i veçantë do t’I kushtohet asfaltimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve.
Krahas gjelbërimit të bulevardit të ri dhe rrugëve të tjera, ndoshta me ligustra, që nuk i rrëzojnë gjethet as në dimër, është pastrimi i rrugëve dhe i Lanës nga kompani serioze, një problem ky, që mund të zgjidhet vetëm nga Bashkia e re e Tiranës e Lulzim Bashës, në bashkëpunim me njësitë vendore. Në këtë rast shërbejnë automjetet speciale të grumbullimit të hedhurinave, kazanët cilindrikë të montuar në trotuar, ashtu si në çdo qytet apo qytezë të Europës. Për lagjet periferike vlejnë kontejnerët, që duhet të tërhiqen rregullisht sipas një programi. Nuk duhet të shohim më kontejnerë të mëdhenj, si ai pranë një stacioni autobusi, kundër çdo higjiene dhe estetike, i harruar buzë unazës, mbushur përplot me plehra derdhur përdhe, tek bridhnin poshtë e lartë kafshë shtëpiake.
Pastaj ku janë shatërvanët e Tiranës me zanafillë qysh nga viti 1924? Po shtatoret e njerëzve të artit? Në kryeqytetet si Roma. Berlini, Parisi, Vjena, etj. në mes lulesh e blerimesh, ngrihen lart shtatoret e hijshme të poetëve apo piktorëve, kurse në Tiranë shohim vetëm buste pa shprehi. Bashkë me parqet duhet të gjejë zgjidhje edhe problem i mungesës së sallave apo këndeve sportive të pushtuara nga betonizimi i qytetit.
Edvin Rama s’ka patur kohë për këto punë, sepse nga një anë u lodh me organizimin e grevave dhe protestave të dhunshme për marrjen e pushtetit politik, nga ana tjetër u rrek të rrëmbente sa më shumë troje pronarësh me qëllime të qarta pasurimi, për vete dhe bllokmenët e rinj. Së fundi po jep edhe mësime praktike, sesi përdoret biçikleta nëpër trotuare, ku dynden kalimtarë me mosha të ndryshme. Siç shihet nga të gjithë rrugët janë ngjeshur sa s’mbajnë më. Pra, rreziku i aksidenteve nga rruga po kalon edhe në trotuar. Sipas Ramës, pleqtë, kur të dalin për kafe, duhet të hapin sytë mirë e të gjejnë vijat e hequra në trotuar, si në asnjë vend të botës. Por kambana e vetmuar afër Piramidës po bie si melodia e fundit e shpërdorimit të pushtetit vendor, për shfytyrimin e mëtejshëm të Tiranës, nga kryetari i bashkisë në ikje, Edvin Rama.
Gjithkush nëse dëgjon me llogjikë atdhetari një ish-ministër energjik si Lulzim Basha, së shpejti kryebashkiak i Tiranës, i cili shprehet:” Të parët jeni ju!”, do ta miratonte, pa mëdyshje, mundësinë e realizimit në praktikë të projekti të tij serioz. Kjo do të thotë së pari, frymëmarrje e pastër e Tiranës, së dyti, pjesëmarrje inxhinierësh, projektues e zbatues, krijime frontesh pune, gjallërim sipërmarrjesh ndërtimi e gjelbërimi pra, punësim masiv.
Dëshiroj ta mbyll shkrimin me fjalët e arta të rilindasit tonë të madh Sami Frashëri: “Detyra jonë kryesore ndaj njerëzisë është të studiojmë dhe të mësojmë të tjerët, pa u mërzitur. I madh është ai njeri që i shikon të gjithë njësoj, që vepron pa anuar, dhe që mendon për të gjithë. Ai që mendon për interesat e veta, është njeri i ulët. Detyrat njerëzore janë një barrë e rëndë; sjellja e keqe është një moçal i madh. Për të nxjerrë në breg një barrë të tillë të rëndë nga një moçal i tillë, duhet të ecësh drejt, pa shikuar djathtas e majtas”.