Berisha: Më 8 maj, fitores tonë i prin Tirana
Kryeministri, gjatë turit elektoral të fitores mbërrin në Përmet, Tepelenë, Memaliaj e Divjakë
Kryeministri Berisha, në përmbyllje të takimeve të djeshme elektorale, zhvilloi dje në mbrëmje një takim me banorë të Divjakës gjatë të cilit shprehu vlerësim dhe mbështetje për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për këtë bashki Irakli Goreja.
Kryeministri Sali Berisha siguroi të martën se qeveria, në partneritet me pushtetin vendor, do ta shndërrojë Divjakën në një epiqendër të madhe të prodhimit dhe turizmit shqiptar dhe rajonal.
Kreu i qeverisë ka theksuar se do të mbështesë të gjitha projektet e fituesit të ardhshëm të zgjedhjeve.
Ai ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që kjo zonë i ka dhënë PD-së dhe qeverisë Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri premtoi se fitorja e Irakli Goresë në 8 maj do të shndërrohet në një fitore dhe sukses për secilin prej qytetarëve të Divjakës.
Ai vuri në dukje se gjatë këtyre viteve, qeveria ka investuar në Bashkinë e Divjakës 60 milionë dollarë, të cilat janë përdorur për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ujësjellësve, kanalizimeve, shkollave dhe fermave.
““Divjaka është shndërruar në një qendër të madhe të prodhimit dhe turizmit kombëtar. Katër vitet që vijnë fitoren e Goresë do ta shndërrojnë në një sukses për secilin prej jush, për çdo familje në Divjakë dhe Divjakën në tërësi. Gjatë këtyre viteve në infrastrukturën rrugore, ujësjellës dhe ferma qeveria ka investuar 60 milionë dollarë. Janë ndërtuar dhe rindërtuar në tërësi pothuajse të gjitha rrugët e kësaj bashkie”, tha Berisha duke premtuar se 4 vitet që vijnë Divjaka dhe Lushnja do të kenë të asfaltuara çdo kilometër rrugë, si dhe do të rindërtohet çdo shkollë, kopsht apo qendër shëndetësore.
Kryeministri siguroi fermerët e kësaj zone se 4 vitet që vijnë në Divjakë, nga 500 ha ferma dhe dru frutorë që janë subvencionuar, qeveria do të subvencionojë 2000 ha.
“Viti i kaluar shënoi për fermerët shqiptarë një rritje historike, pasi u dyfishuan eksportet bujqësore shqiptare në botë”, tha Berisha, ndërsa ftoi fermerët e Divjakës që të mbjellin drurë frutorë dhe arrorë.
Duke u ndalur te arritjet historike të kësaj maxhorance, Berisha theksoi se tashmë Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën.
“Vitet tona në rrugët e lirisë kanë qenë rrugë suksesi. Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Shqipëria është shndërruar në destinacionin kryesor turistik të globit, ndërsa ekonomia e falimentuar shqiptare është ngritur fuqishëm dhe kryeson rritjen ekonomike në Europë gjatë 3 viteve të fundit”, tha Berisha.
Për sa i përket investimeve në infrastrukturë, Berisha theksoi se nga 2400 km rrugë që kishte në mbarë vendin në vitin 2005, në një kohë të shkurtër janë asfaltuar dhe ndërtuar 8 mijë km.
“Ne kemi ndërtuar kryeveprat e punëve publike si korridorin e kombit që ka shumëfishuar eksportet e Divjakës drejt Kosovës dhe Europës. Kemi dyfishuar rrogat e pensionet, kemi përgjysmuar taksat dhe kemi dyfishuar të ardhurat dhe bizneset”, tha më tej Berisha.
Ai ftoi qytetarët e Divjakës që në 8 maj të votojnë për Irakli Gorenë dhe koalicionin “Aleanca për qytetarin”, duke vendosur kështu një tullë të re në ndërtesën dhe shtëpinë e demokracisë. “Votoni si qytetarë evropianë që secili prej jush të vendosë një tullë të re në shtëpinë e demokracisë që ne ndërtojmë çdo ditë. Rruga tjetër është rruga e vetmisë së madhe e cila u nis për bashkinë e Divjakës dhe e katandisi në komunën e saj. Zoti Irakli më tha se shoku Edi Rama erdhi këtu duke besuar se po vinte në komunën e Divjakës. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe në Memaliaj. Nuk mund të them gjë tjetër se aty të çon rruga e vetmisë, të çon në shtëpinë e së shkuarës. Ne do ecim drejt të ardhmes tonë. Fitores së 8 majit i prin Tirana blu”, tha në përfundim Berisha.