Diktatori i fundit komunist: “Edi Rama dhe shokët e tij duhet ta udhëheqin Shqipërinë”
Kujtesë nga rreshtimi i Ramiz Alisë në shkrimin e tij të 18 prillit 2007
Në shkrimin e botuar në një të përditshme në datën që jepet në okielo, tregohet një aferë politike në të cilën “antikomunisti” ekstremist dhe anarkist, Edi Rama, del i zbuluar lakuriq, më keq se lakuriqësitë e tij që kanë marrë dhenë.
Pavarësisht se Ramizi ishte bërë leckë nga Edvini (1991) në librin e tij hipokrit - me mësymje të papërmbajtura kundër komunizmit, kundër nostalgjisë enveriste, kundër Ramiz Alisë, - paska ardhur një çast i jashtëzakonshëm kur Ramizi duhej t’i shpërblente Edvinit lejen që i dha për ndërtimin e një pallati në tokën e Xhuvanëve, ku pjesëtar është edhe Ardian Klosi: “Leja e ndërtimit i ishte dhënë një personazhi mediatik të fuqishëm. Ky, nëpër medies së tij, do të kontribuonte në humbjen e socialistëve dhe të Fatos Nanos, në zgjedhjet e tre korrikut. Kjo marrëveshje u krye me pronarin e kësaj medieje, e cila i hapte rrugën Edvinit drejt marrjes së kreut të socialistëve”, - po citojmë një fragment nga ky shkrim që paska kaluar pa u vënë ré.
Duket si një aferë mafioze nga më fantazmagoriket ndërmjet një komunisti të deklaruar enverist, si Ramiz Alia, dhe një antikomunisti ekstremist të vetëshpallur si absolutisht i papajtueshëm me PPSH-në, pra edhe me PS-në, që s’është veçse PPSH-ja e pudrosur dhe me makijazhin fals të “rinovimit” demokratik!
Po citojmë një skenar si të shtrigave shekspiriane: “ Po të thellohen kërkimet më shumë në historinë e këtij pallati, do të shikojmë se leja e ndërtimit i është dhënë një personazhi të fuqishëm mediatik (aluzion thuajse i hapur që tregon se për cilin është fjala,- shënim) i cili ndërmjet medies së tij do të kontribuonte në humbjen e socialistëve dhe të Fatosn Nanos, në zgjedhjen e tre korrikut, marrëveshje kjo e Ramës me pronarin e kësaj medieje e cila do t’i hapte rrugën Edvinit drejt marrjes së kreut të socialistëve”.
Thuajse e pabesueshme! Por ç’nuk ndodh me personazhe aventurierësh si Ramizi, i cili nga numri tre i hierarkisë pranë tiranit të kuq Enver Hoxha ia mbërriti që, me ndihmë krushqish dhe me kolaboracionin e Nexhmijes, të kapërcente mbi Hysniun dhe mbi Mehmetin, për të vënë në dorë skeptrin e një Enveri të katandisur që të bënte karagjozllëqe me rojat e tij! Ç’nuk ndodh me “antikomunistë të tërbuar” si e.r.-ja i librit të pushkatuar, një parvëny i rikthyer nga stallat e kuajve të Parisit, si një proselit që duhej të bënte lutje për të qenë anëtar i thjeshtë i PSSH-së! Autori i këtij shkrimi, I.D. (në të vërtetë emri është i plotë) ka këtë koment të tij, me një periudhë të stërgjatë, të denjë për romanet e verdha të Sherlok Holmsit: “Në të gjithë këtë histori pazaresh e kulisash, në këtë histori vlerash makbethiane, ku përplasen ish-diktatorët me kandidatët për diktatorë, mes vrasjesh të një kohe të shkuar dhe pabesive të një kohe të tashme, ia vlen t’i hedhësh një sy marrëveshjes së Edvin Ramës me diktatorin e fundit të shqiptarëve, Ramiz Alinë, njeriun që i ka duart të ngjyera me gjakun e mijëra shqiptarëve, me vrasje poetësh apo intelektualësh dhe në vrasje kalimesh kufiri të bijve të nënave që tentonin lirinë larg diktaturës që po i terrorizonte”.
Pasi bën një portret të frikshëm të Ramiz Alisë, autori bën edhe portretin pervers të Edi Ramës. Për të parin, Ramizin, përmendet fizionomia e tij kriminale, si “i pranishëm në çdo vrasje të dirigjuar nga E. Hoxha”, si bashkëfajtor për “burgosjet e T. Lubonjës, F. Paçramit e duke përfunduar te vrasjet e M. Shehut, K. Hazbiut, Ll. Ziçishtit, etj”: “A nuk ishte R. Alia personi që bllokoi hapjen e kufirit me Perëndimin, njeriu që ktheu kohën e tallonit dhe të urisë, njeriu që shkatërroi ekonominë shqiptare me formulën e tetëdhjetë përqindëshit?”. Pastaj i vjen radha Edit: “Duke nxjerrë R. Alinë në mbrojtje të tij, Edi Rama vërtetoi para shqiptarëve se është pjesë e monstrës komuniste (...) që po ripërtërin gjymtyrët e prera të zvarranikut komunist (...) dhe sot shikojmë një lidership i cili, për të arritur qëllimin e vet në drejtim të pushtetit, është gati të bëjë aleancë edhe me nomenklaturën e vjetër komuniste, duke shpresuar në sundimin e plotë (...) e duke kthyer mbrapsht rrotën e historisë. Me atë, metastazat e komuniste jo vetëm që nuk janë zhdukur, por ato kanë marrë frymë në mënyrë të fshehtë për t’u gjallëruar kur të dilte një i çmendur si Edi Rama për t’i përfaqësuar”.
Mjaft me kaq. Edhe sikur diçka, shumë pak, të jetë e vërtetë në këtë shkrim, do të duhej të bëhej një investigim i hollësishëm, qoftë për R. Alinë, që “nuk di gjë për Tivarin, le të pyeten kosovarët”, qoftë për E. Ramën që “ka deklaruar si të ardhura 3000 euro!”. Sa fukara paska qenë, i shkreti! Vetëm trushkulurit mund t’i besojnë allçakut Edi Rama!
Në këtë histori që përmendëm, shumë gjëra mund të duken si të fantazisë së një fantashience të shthurur. Por disa gjëra, megjithatë, janë të hetueshme. Mund të qëmtohet nëse është dhënë një leje ndërtimi prej Edvinit për një pallat në tokën e cilësuar me emër konkret, ku është pjesëtar edhe “antikomunisti”, vëlla siamez i Edvinit. A është ndërtuar pallat në atë zonë dhe a është e vërtetë se ndërtues na qenka një personazh mediatik ultramilioner? A është me leje apo pa leje ndërtimi i këtij pallati? Në atë terren, pavarësisht nga një plan urbanistik ekzistent apo inekzistent, këshilli bashkiak a kishte qenë i mendimit apo jo për një lulishte, në sipërfaqe vërtet të bollshme si ajo?
Kjo tollovi, si edhe shumë të tjera të ngjashme me ngjarjen e çuditshme, do të ishin krejtësisht të pamundshme pa atë gangrenë të kuqe, të përshkruar në litanitë si në një tempull nga e.r.-ja, që e ka emrin mendësia komuniste, për të cilën e.r.-ja ka shkruar me dorën e tij:
“PPSH (ose PSSH, - shën.) nuk mund të ekzistojë më veçse duke kundërshtuar hapur dhe totalisht mendësinë e vet. Por tingëllon paradoksale që Partia e Punës (apo socialiste, s’ka ndonjë ndryshim, - shënim) po u bën thirrje për solidarizim pikërisht këtyre psikologjive të mendësive të vjetra. Paradoksi mund të rrëzohet vetëm po të bjerë poshtë thelbi i mendësisë që sundon kokat e drejtuesve të Partisë së Punës. Krerët e burokracisë shqiptare besojnë mendjelehtësisht se zhdukja e Stalinit nga piedestali në mes të natës (...) është i mjaftueshëm për t’u mbyllur gojën mëkatarëve dhe për të mbledhur rreth vetes besimtarët e përhershëm. Përderisa në Pallatin e madh të kulturës shqiptare nuk do të hiqet parulla e kuqe gjigante që glorifikon Partinë e Punës; përderisa nga majat e maleve do të vazhdojë të na vrojtojë emri Enver, demokracia në Shqipëri do të jetë një utopi, kurse vëllavrasja do të endet pezull mbi kokat tona”. Në këtë gjendje sureale që po na katandisin, na duket sikur Enveri ka nxjerrë kokën, aty ku është ylli i kuq, te përmendorja e Nënës-Shqipëri, në varrezat e dëshmorëve: “Bravo, bijtë e mi, Edi dhe Ardian! Rrumpallë e bëni këtë vend të pabesë, që ma përmbysi statujën, në qendër të Tiranës!”
***
Një gjë është e qartë: Që Shqipërisë po i bëhet një dëm i pallogaritshëm nga personazhe të tillë të politikës shqiptare. Po na ringjallet figura e hajdutit të kuajve, Grigor Rasputinit që, në vitet 1915-1916, mori përfytyrimin e një shenjtori, paçka se e çoi Rusinë perandorake në zgrip të greminës.
Populli ynë e ka rastin, këto dy javë që mbeten, të shkundet e të dallojë mashtrimin nga e vërteta, njeriun serioz nga aventurieri, njeriun që i rri pranë qytetarit, nga kryebashkiaku pro forma, titullarit të cilit i intereson bashkia vetëm për aferat 20 përqindëshe, nga kryebashkiaku i ardhshëm i premtimeve të njëmendësuara. Emblema e “Qytetarit në vend të parë, Tiranës mbi gjithçka” është me bindëse se zhurmimi se “Ç’do të bëjmë”, për të fshehur gjithçka që s’është bërë! “Ç’do të bëjmë” është i huazuar nga një libër i Leninit me titull në edicionin frëngjisht “Che faire” .