E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshirja e Serbisë

27-04-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Çështjen fshirje apo mosfshirje, mes Kosovës dhe Serbisë, nuk e sollën bisedimet Beograd - Prishtinë. Këtë e përqas mendësia politike serbe, kësaj herë e lakuar edhe nga kryesuesi i saj në bisedime, Borko Stefanoviç, shprehur për gazetën “Blic”. Ai e përmendi këtë fjalë  në domethënien më politike, duke thënë që, “Beogradi ofron zgjidhje konkrete për rregullimin e gjendjes aktuale, sepse fshirja e Serbisë nga Kosova është e pamundur”.
Zyrtarët e lartë, të mesëm, por dhe më të ulët si Borko, duket se, në ato bisedime, kanë dy synime: me një veprim politik formal, të përfitojnë prej tyre sa më shumë nga Europa dhe t’i dëmtojnë e t’ua çojnë ligsht nervat shqiptarëve. Kosova merr pjesë dhe bisedon sinqerisht edhe t’ua plotësojë kërkesën aleatëve të saj të mëdhenj, Serbia dinakërisht bisedon të përfitojë për një përshpejtim të procesit të integrimit, për të përforcuar pozicionin e vet  në BE që t’i bëhet pengesë edhe më serioze Kosovës prej aty. Serbia, ndoshta, mëton të ndikojë që Kosova të tërhiqet prej bisedimeve, me deklarime të Borko Stefanoviç të tilla si  “ …edhe pala tjetër duhet t’ia përshtasë qasjen kërkimit të zgjidhjeve e jo të synojë konfirmimin tonë për të ashtuquajturën pavarësi të tyre, sepse atë kurrë nuk do ta fitojë”.
Termat politikë si “fshirja e Serbisë”, “e ashtuquajtur pavarësi” dhe “kurrë njohje”, nuk janë gjë e re, siç nuk është e re të thuhet se Beogradi ka shkuar në bisedime për këto e territore, duke thënë se “Jemi gati të bisedojmë edhe për ndarjen”. Të tri palët - Serbia, Kosova dhe BE - kanë rënë  dakord që bisedimet do të jenë për çështje teknike. Sa për të “ashtuquajturën pavarësi” nuk ia vlen të flitet: Kosova është e njohur nga 74 shtete dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ndërsa ia vlen të ndalesh te termi fshirje, çfarë realisht ka ndodhur në Kosovë, nëse e vështrojmë fjalën “fshirje” të përdorur nga përfaqësuesi serb në bisedime.
Në Kosovë është fshirë kolonializmi serb, në saj të qëndresës dhe mbijetesës së shqiptarëve. Serbia e kolonizoi Kosovën, por nuk e serbizoi dot. Kjo është arsyeja madhore pse kolonializmi serb u fshi siç fshihet me shparcë shprehja e shkruar me shkumës në dërrasë të zezë.
Në Kosovë është fshirë pushtimi serb me qëndresën e popullit dhe goditjen luftarake të NATO-s. Kjo është aq e njëmendtë sa që çlirimi përjetohet si një ngjarje e futur në histori: ata që kanë lindur gjatë eksodit biblik të shqiptarëve, në largim a kthim, tashmë janë 12 vjeç. Për ta Serbia tregohet “Na ishte njëherë një pushtues barbar…”.
Nga harta e Ballkanit, Europës dhe Botës, janë fshirë kufijtë e perandorisë së vogël të Jugosllavisë dhe kufijtë e Serbisë  së Madhe. Shihni lajmet: krahas shteteve të pavarura si Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, edhe Serbia është në pavarësinë e vet ashtu siç Kosova zhvillohet e forcohet brenda kufijve të shtetit të saj. Kjo fshirje e Serbisë në Kosovë shihet thuajse përnatë në ekranet e televizioneve.
Është fshirë serbishtja, si  gjuhë e pushtuesit. Fshirja e saj është aq marramendëse sa thuajse nuk përmendet më ndër shqiptarë. Kjo shihet në tërësinë e popullit edhe përmes individëve:  e saktë ishte serbishtja  e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, kur shqiptoi një numër frazash gjatë shpalljes së pavarësisë, ndërsa serbishtja e kryeministrit Hashim Thaçi, i tjetër moshe, nuk qe e atillë, kurse më të rinjtë as  nuk e dinë  fare. Shkrimtari dhe publicisti Ramiz Kelmendi, pak vite  më parë, më thosh se “më duket sikur nuk kam folur kurrë serbisht”, edhe pse ai e zotëron atë gjuhë në nivelin e intelektualëve serbë. Fshirjen e gjuhës së pushtuesit, në vetëm një brez njerëzor, që nga ai që ka lindur më 1989, e detyroi vet Serbia dhe ky është një argument nga më të mëdhenjtë për t’u marrë në shqyrtim serioz në Beograd, se Serbia është  fshirë në Kosovë.
Por ka diçka serbe që ende nuk është fshirë në Kosovë.
Serbia nuk është fshirë nga kujtesa për barbarizmin e saj.
Nuk është fshirë ndërhyrja e hapur dhe e fshehtë e Serbisë në punët e Kosovës.
Nuk është fshirë pushteti paralel i Serbisë në Mitrovicën e Veriut.
Nuk është fshirë sjellja armiqësore e Serbisë ndaj pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.
Kosova që fitoi luftën së bashku me aletatët e mëdhenj, do ta fitojë edhe paqen me shtetin e vet i mbështetur ndërkombëtarisht. Pavarësia mbetet “ e ashtuquajtur” në kushtetutën serbe, por në tokën e Kovosës ajo ështe e gdhendur, e kthyer në fortesë lirie, është bërë vetëdije, ushqehet me djersë dhe mendim. Beogradi e di dhe e sheh këtë, por atje nuk pushojnë të pengojnë dhe nervozojnë shqiptarët, edhe duke marrë pjesë pa sinqeritet në bisedime, edhe duke lëshuar terma nënvleftësues e hedhur ideologji coptimi e ndarjeje, të cilit përfaqësuesi i SHBA, Tomas Cauntriman i tha prerë se “çështja e ndarjes apo e territorit nuk është në tavolinën e dialogut dhe nuk do të jetë në tavolinë”. Kur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kosova është shtet, Serbia me termin shpërfillës e  “ashtuquajtura pavarësi e Kosovës” duket si e pazbritur ende në Ballkanin e sotëm, megallomane e pa fuqi, një bashkëkohëse e vjetëruar. Por Serbia është fshirë nga Kosova. E vetmja e keqe e kësaj fshirjeje është se ajo u krye shumë vonë dhe serbët për të keqen e tyre vonojnë të mësohen me të.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›