Deklarata e gazetarëve, Berisha: Silleni ta firmos edhe unë!
Kryeministri Sali Berisha i është kundërpërgjigjur deklaratës së gazetarëve, duke kërkuar ironikisht që ta ketë edhe ai atë për të hedhur firmën e tij. Berisha theksoi se edhe ai ka shkruar dikur dhe shpreh dëshirën për ta pasur atë deklaratë në arkiva. “Do të më pëlqente ta kisha atë deklaratë. Kam shkruar edhe unë dikur, madje kam dhe një arkiv me shkrimet e mia”, beri analogji Berisha me firmëtarët e daklaratës. Kryeministri Berisha ironizoi deklaratën e nënshkruar dy ditë më parë nga disa gazetarë të 2-3 unioneve anonime. Kryeministri u është drejtuar gazetarëve të pranishëm në mbledhjen e qeverisë se “do të donte ta dispononte dhe ai deklaratën dhe madje edhe të të firmoste”. “Dikur shkruaja, tani pena më është ndryshkur”, nënvizoi kreu i qeverisë. Pas ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vdekur dy persona, Presidenti i Top Medias, Dritan Hoxha dhe punonjësja e televizionit Top Channel, Entela Hysko, Partia Demokratike ngushëlloi familjarët e të dy viktimave. Por ajo që ishte e papranueshme i takon denigrimit dhe fshehjes që i bënë mediat elektronike dhe pjesa më e madhe e atyre të shkruara, vdekjes së të ndjerës Entela Hysko. “Partia Demokratike, si parti e fjalës së lirë, që nxori vendin nga censura dhe terri informativ më i egër komunist, e konsideron heshtjen, fshehjen apo censurën totale nga Top Media dhe disa simotrave të saj, të lajmit të vdekjes tragjike të bashkëpunëtores së tyre, Entela Hysko, si një akt primitive, çnjerëzor dhe të pashembullt. Partia Demokratike, iu kujton këtyre censorëve të rinj se vdekja e një njeriu në një shoqëri të lirë, nuk mund të jetë kurrë sekret. Vdekjen e një njeriu mund ta mbajnë sekret vetëm diktaturat më mizore dhe shpellat e Al Kapones. Mirëpo, punonjësja e Top Channel-it, 28-vjeçarja Entela Hysko, nuk vdiq në Korenë e Veriut, as dhe në skutat Sakra Korona Unita, por ajo vdiq në mes të bulevardit të Tiranës, sëbashku me idhullin tuaj, për të cilin u veshët me të zeza, derdhët lot, hodhët me qindra karafila dhe asnjë për Eentelën, që e gjallë do të derdhte ndofta lotë më shumë se ju për padronin tuaj”, ishte deklarata e selisë blu, duke reaguar ashpër ndaj censurimit që iu bë ndarjes nga jeta të ish-punonjëses mediatike, Entela Hysko, duke përqëndruar vëmendjen vetëm tek vdekja e Presidenti i Top Medias, Dritan Hoxha.