E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti, i vendosur të pastrojë drejtësinë nga e keqja

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar dje pas akuzave të hedhura nga kryetari i PS-së Edi Rama, se po shkel rregulloren e Kuvendit, duke vonuar jashtë çdo kufiri kohor zëvendësimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, emrat e rinj të të cilëve janë dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një javë më parë. Zëdhënësja
e kuvendit Suela Ruseti, përgënjeshtroi këto akuza duke sqaruar se “Presidenti i Republikës i ka drejtuar Kuvendit pesë dekrete për emërim të anëtarëve të Gjykatës së Lartë”. “Nga ana e Kryetares janë marrë të gjitha masat për kalimin e tyre në procedurë me të gjithë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë me të cilat momenti historik ngarkon sot Kuvendin”. Zëdhënësja Ruseti nënvizoi se nuk ka asnjë dekret të bllokuar dhe asnjë lloj vonimi apo tejkalim afati, por vetëm respektim të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së Kuvendit. “Ripërtëritja e Gjykatës së Lartë është një shans historik për shtetarët e përgjegjshëm të këtij vendi, me qëllim që gjyqësorit t’i japim shpresën e pastrimit nga e keqja, padrejtësia e korrupsioni. Dhe garancinë për këtë nuk mund ta japë Edi Rama apo shokët e tij, por e japin vetëm kandidatët përmes kurrikulumit të tyre të panjollë. Në një prononcim të vetin për shtypin, Kryetari i Partisë Socialiste, zoti Rama, ka kërcënuar shqiptarët me prishjen e paktit për drejtësinë, me bllokim të reformave dhe me mocion mosbesimi për Kryetaren e Kuvendit, për shkak të bllokimit që Kryetarja e Kuvendit i paska bërë një procedure të brendshme parlamentare, e cila lidhet me emërimin në detyrë të pesë kandidatëve të propozuar për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë. Meqenëse kërcënimi nuk i bëhet thjesht dhe vetëm Kryetares së Kuvendit, por gjithë procesit të reformave, në emër të saj kam dalë për të përgënjeshtruar akuzat fals. Nga Presidenti i Republikës i janë drejtuar Kuvendit pesë dekrete për emërim të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Nga ana e Kryetares së Kuvendit janë marrë të gjitha masat për kalimin e tyre në procedurë me të gjithë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë me të cilat momenti historik ngarkon sot Kuvendin. Ju deklaroj publikisht se nuk ka asnjë dekret të bllokuar, nuk ka asnjë lloj vonimi apo tejkalimi afati. Ka vetëm respektim të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit”- deklaroi Ruseti. Sipas saj, çdo formë presioni ndaj parlamentit dhe parlamentarizmit nga kushdo që të vijë është totalisht e paefekt. Parlamenti do të vazhdojë të punojë për reformat dhe nuk do të pranojë asnjë kërcënim ndaj vazhdimit të tyre, me kushtin për të shkelur ligjin. “Edhe në rastin e këtyre kandidimeve Kuvendi do të ushtrojë me përgjegjshmëri të plotë detyrën e tij, në përputhje me objektivin tonë historik për të ngritur një pushtet gjyqësor të drejtë, të ndershëm e të pakorruptuar”- konkludoi zëdhënësja e kryeparlamentares Topalli.
Rama, shantazh me prishjen e konsensusit për reformën në drejtësi/Më parë, kreu i opozitës, Edi Rama pretendoi dje se “Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme, prova të pafajësisë së tyre, duke kapërcyer çdo kufi të ligjit”. Duke nënvizuar shqetësimin për kapërcimin e Kushtetutës e ligjit nga Kryetarja e Kuvendit, Rama paralajmëroi edhe një kërkesë për mocion të shkarkimit të saj. Gjithashtu, Kryetari i PS-së kërkoi nga Kryeministri Sali Berisha nisjen e menjëhershme të procedurave parlamentare për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës. Në të kundërt, Rama kërcënoi me prishjen e konsensusit në reformën në drejtësi. “Miratimi, qoftë edhe në heshtje, i kryeministrit të vendit për këtë abuzim të skajshëm me detyrën të Kryetares së Kuvendit në dëm të pushtetit gjyqësor, do të ishte shprehja më kuptimplotë e qëllimit për të kapur Gjykatën e Lartë dhe oguri më i keq për vetë reformën në drejtësi. Sepse s’mund të ketë Pakt Kombëtar për Drejtësinë nga njëra anë dhe shkelje të tilla të Kushtetutës e të ligjit nga ana tjetër. Sali Berisha të zgjedhë e të marrë! Ndërkohë Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk duhet të kryejnë asnjë veprim në funksion të lajthitjes së Kryetares së Kuvendit. E cila nuk ka asnjë kompetence që t’u drejtohet këtyre organeve e jo me t’u ngarkojë detyra policore në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, ligjet e Republikës sonë dhe vetë Kartën e të Drejtave e Lirive Themelore të Njeriut” - deklaroi Rama.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›