E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: Demilitarizimi, proces që synohet të realizohet brenda vitit 2010

Z.ministër, sapo jeni kthyer nga një vizitë tre ditore në SHBA, vizitë kjo që vjen pas 3 Prillit, kur Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO. Pse kjo vizitë në SHBA?
Është mëse normale që një Ministër Mbrojtjeje të kryejë vizita pune sidomos në një periudhë të tillë, pas marrjes së ftesës për në NATO dhe për më tepër në një vend të tillë, që e ka mbështetur fuqishëm Shqipërinë në këtë rrugë. Ishte një vizitë punë tepër intensive dhe pozitive, ku morëm mbështetje për atë që kemi berë deri tani dhe për atë që duhet të bëjmë në të ardhmen deri në anëtarësimin e plotë në NATO. Konfirmova dhe një herë vendosmërinë e Qeverisë shqiptare, Ministrisë së Mbrojtjes, për të përmbushur të gjitha ato detyrime që na lindin nga marrja e ftesës. Përveç optimizmit kemi bindjen se brenda vitit të ardhshëm do të përmbushim ato detyrime për të qenë anëtarë të denjë të kësaj aleance të madhe.

Ju nënshkruat një marrëveshje me homologun tuaj amerikan për demilitarizimin e armëve në Shqipëri. Mund të tregoni më konkretisht për këtë marrëveshje dhe ndihmën që ju ofruan FA amerikane?
Kjo ishte një marrëveshje, e cila kishte të bënte me çaktivizimin, demilitarizimin dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të municioneve të tepërta. Duhet të pranojmë se një sasi e tyre paraqet një rrezikshmëri konstante. Falenderoj dhe një herë SHBA për kontributin e vazhdueshëm që kanë dhënë për të tilla projekte apo të tjera, duke iu referuar këtu gjithmonë MM-së dhe mobilizimit të FA shqiptare.

Përsa u takon municioneve të rrezishme, në çfarë situate ndodhet Shqipëria?
Nuk është një situatë të cilën duhet ta shohim me nota tepër alarmante. Natyrisht është një situatë që në disa zona paraqitet kritike, por në rast se respektohen të gjitha rregullat dhe në rast se tregohet vëmendja maksimale atëherë rreziku minimizohet. MM në bashkëpunim me ekspertë të huaj përfundon së shpejti një strategji, që do t’i bëhet prezente gjithë autoriteteve dhe donatorëve. Çështja e municioneve të tepërta nuk duhet parë si një çështje dhe problem vetëm i MM-së, por është një çështje që mbart shqetësim mbarëkombëtar. Ndaj dhe në zgjidhjen e këtij problemi nevojitet kontributi i shumë aktorëve, i qeverisë shqiptare, pushtetit vendor, natyrisht dhe i FA. Pikërisht me këtë strategji ne synojmë të kemi një panoramë të qartë për hapat të cilat duhet të ndiqen për eliminimin e këtij rreziku, mundësisht brenda vitit 2010.

Keni deklaruar se së shpejti do të ketë një tryezë të rrumbullakët me donatorë të huaj dhe vendas. E keni të specifikuar se ç’do t’u kërkoni atyre?
Në këtë tryezë do të bëhet prezente pikërisht strategjia për të cilën fola më lart. Synimi është që kjo strategji të paraqitet me një gjuhë sa më të thjeshtë, të kuptueshme për të gjithë, me projekte dhe kosto financiare konkrete. Natyrisht, kur flas për kontribut nuk e kam fjalën vetëm në termat financiarë, por edhe në anën teknike. Këto kontribute do të ishte të mirëpritura dhe të vlerësuara nga ana jonë. Ne si ministri kemi filluar të shohim mundësinë me të cilat do të bëhet realitet muajin e ardhshëm alokimi i disa fondeve nga buxheti i vitit 2008, në funksion të financimit të disa projekteve të demilitarizimit.

Mund të flisni për projekte konkrete në kuadër të kësaj strategjie?
Momentalisht pritet përfundimi i kësaj strategjie, e cila do të japë një rrugë të detajuar të të gjitha hapave që do të ndiqen. Pritet që kjo strategji të fillojë pikërisht nga ato depo që paraqesin rrezikshmëri më të lartë, ndërsa për projekte konkrete do të flitet sapo kjo strategji të përfundojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›